Presidentja e Gjeorgjisë i vë veton ligjit për “agjentë të huaj”

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili.

Presidentja e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, e ka përdorur veton për të ashtuquajturin projektligj për agjentë të huaj që shënjestron mediat dhe organizatat joqeveritare, të cilat financohen prej qeverive të huaja.

Tash e sa javë banorët e Gjeorgjisë janë duke protestuar pasi konsiderojnë që ky ligj rrezikon rrugën e shtetit drejt integrimeve në Bashkimin Evropian.

Ligji do t’iu kërkonte mediave dhe organizatave joqeveritare që të regjistrohen si “përmbushës të interesave të një fuqie të huaj”, nëse marrin më shumë se 20 për qind të fondeve prej jashtë.

Zurabishvili ka thënë më herët gjatë javës se e konsideron këtë ligj si “të papranueshëm”.

Zurabishvili, që ka mospajtime në rritje me partinë në pushtet, Ëndrrat Gjeorgjine, ka treguar edhe më parë që synon t’i vendosë veton projektligjit, i cili është miratuar nga parlamenti më 14 maj.

Kundërshtarët e këtij dokumenti, të miratuar nga Parlamenti i Gjeorgjisë më herët gjatë javës, janë sulmuar të shtunën nga mbështetësit e partisë në pushtet, jashtë Universitetit Shtetëror të Tbilisit, ku kanë qenë duke pritur kryeministrin e shtetit, Irakli Kobakhidze.

Protestuesit kundër besojnë se dokumenti ka ngjashmëri me legjislacionin e përdorur prej presidentit rus, Vladimir Putin për t’i heshtur kundërshtarët në Rusi dhe për t’i mbyllur institucionet e pavarura.

Prandaj shumë gjeorgjianë po i referohen masës si “ligji rus”.

Partia Ëndrra Gjeorgjiane është themeluar prej miliarderit të afërt me Rusinë dhe ish-kryeministrit të shtetit, Bidzina Ivanishvili.