Dështon mocioni për shkarkimin e presidentit të Koresë së Jugut

Parlamenti i Koresë së Jugut.

Mocioni për shkarkimin e presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, ka dështuar të miratohet në Parlament më 7 dhjetor, pasi deputetë të partisë së tij bojkotuan votimin.

Mocioni ishte iniciuar nga partitë opozitare pas vendimit të Yoon më herët gjatë javës për të shpallur gjendje lufte.

Vetëm 195 deputetë votuan, nga 200 sa kërkohej që mocioni të ishte i suksesshëm.

“I gjithë kombi po e shikon vendimin që po merret sot në Asamblenë Kombëtare. Bota po shikon”, tha kryetari i Parlamentit, Woo Won-shik, tha ai duke shtuar se është për keqardhje që mocioni nuk kaloi.

Partia kryesore opozitare, Partia Demokratike më herët ka deklaruar se do të iniciojë sërish mocion për shkarkimin e presidentit javën e ardhshme, nëse më 7 dhjetor një mocion i tillë nuk do të kalonte.

Para se të mbahej votimi në Parlament, Yoon ka kërkuar falje gjatë një adresimi televiziv për vendimin e tij për shpalljen e gjendjes së luftës, teksa mijëra protestuesit u mblodhën jashtë Parlamentit.

Yoon tronditi vendin dhe komunitetin ndërkombëtar mbrëmjen e së martës kur njoftoi për shpalljen e gjendjes së luftës. Kjo ishte hera e parë në më shumë se katër dekada që u shpall gjendje e luftës në këtë shtet dhe pas njoftimit të presidentit, trupat dhe helikopterët u dislokuan në Parlament.

Por, ligjvënësit arritën të votonin për ta shfuqizuar dekretin, duke e detyruar Yoonin që ta tërheqë vendimin mëngjesin e së mërkurës.

“Shpallja e gjendjes së luftës erdhi nga dëshpërimi im si president”, tha ai gjatë një adresimi televiziv, që është adresimi i tij i parë drejtuar publikut, që kur e futi shtetin në një kaos politik.

“Kam shkaktuar ankth dhe shqetësim te publiku. Sinqerisht, ju kërkoj falje”, tha ai.

Opozita dhe pjesëtarë të rëndësishëm të partisë së tij i kanë bërë thirrje presidentit që të japë dorëheqje.

Protestuesit para Parlamentit të Koresë së Jugut kërkojnë dorëheqjen e presidentit të shtetit. 7 dhjetor 2024.

Mijëra protestues u mblodhën jashtë Parlamentit të shtunën, para nisjes së seancës për shkarkimin e presidentit.

Yoon nuk ofroi dorëheqje gjatë adresimit të tij, por tha se ai ia beson “partisë që të ndërmarrë masa për stabilizimin e situatës politike, përfshirë edhe për mandatin tim si president”.

Partia e Pushtetit Popullor e Yoonit, para se të mbahej seanca për shkarkimin e presidentit, ishte e ndarë se si do të votonte për këtë çështje.

Një ditë më herët, kreu i kësaj partie, Han Dong-hoon, ka deklaruar se Yooni duhet të largohet ose Seuli rrezikon të përballet me më shumë kaos politik.

“Ushtrimi normal i detyrave të presidentit është i pamundur nën rrethanat aktuale dhe një dorëheqje e presidentit është e pashmangshme”, tha Han Dong-hoon më herët gjatë së shtunës.

SHIKONI EDHE: Partia në pushtet në Korenë e Jugut kërkon largimin e presidentit

Blloku opozitar ka 192 ulëse në Parlamentin me 300 vende dhe partia e Yoonit ka 108 deputetë.

Që mocioni për shkarkimin e presidentit të miratohej, kërkoheshin dy të tretat e votave dhe më pas Yoonit do t'i pezulloheshin detyrat si presdient dhe vendimi final për shkarkimin e tij do të merrej më pas nga Gjykata Kushtetuese.

Policia ka nisur ta hetojë presidentin dhe të tjerët për kryengritjen e supozuar.

“Unë nuk do t’i shmangem çështjes së përgjegjësinë ligjore dhe politike sa i përket shpalljes së gjendjes së luftës”, tha Yoon gjatë adresimit të tij.

Udhëheqësi opozitar, Lee tha se fjalimi i Yoonit ishte “shumë dëshpërues”, duke pasur parasysh kërkesën e publikut që presidenti të japë dorëheqje.

SHIKONI EDHE: Presidenti i Koresë së Jugut përballet me shkarkim për shkak të ligjit ushtarak

Disa protestues kanë qëndruar gjatë natës para Parlamentit, pavarësisht temperaturave të ulëta dhe disa deputetët opozitarë po ashtu kanë qëndruar brenda Parlamentit gjatë natës, duke pasur frikë se Yoon mund të tentojë të ndërmarrë ndonjë masë të dëshpëruar me qëllim që të ruajë pushtetin.

Kur shpalli gjendjen e luftës, Yoon pretendoi se një vendim i tillë “do të eliminojë elementet antishtetërore që po pengojnë liritë dhe lumturinë e popullit”.

Forcat e sigurisë rrethuan Asamblenë Kombëtare, ndërkaq helikopterët ateruan në çatinë e ndërtesës. Pothuajse 300 ushtarë tentuan të bllokonin ndërtesën. Por, stafi i Parlamentit arriti të ndalonte hyrjen e ushtarëve në ndërtesë dhe brenda Parlamentit kishte numër të mjaftueshëm të deputetëve, të cilët votuan kundër vendimit të Yoonit.

Ligjvënësit nga partia në pushtet dhe opozita thanë se ushtarët ishin urdhëruar që të arrestonin politikanët kryesorë, ndërkaq njësive speciale të policisë thuhet se u ishte dhënë urdhri që të largonin deputetët nga Parlamenti.