Partia Komuniste Kineze ka miratuar një rezolutë, e cila e çimenton pozicionin politik të presidentit, Xi Jinping.
Kjo rezolutë përmban një historik 100-vjeçar të Partisë Komuniste dhe parasheh planet e saj për të ardhmën.
Partia e Komuniste e Kinës ka miratuar dy dokumente të tilla në historinë e saj: nga Mao Ce Duni më 1945 dhe Deng Xiaoping më 1981.
Dokumenti u miratua të enjten (11 nëntor) në seancën e gjashtë plenare, një nga takimet më të rëndësishme politike të Kinës dhe e vë presidentin, Xi Jinping, në pozitë të barabartë me themeluesin e partisë, Mao Ce Dun, dhe pasardhësin e tij Deng Xiaoping.
Disa analistë e shohin rezolutën si përpjekje të Kinës që të kthehet në të ashtuquajturin kult të personalitetit.
Sesioni katër-ditor me dyer të mbyllura mblodhi më shumë se 370 anëtarë të Komitetit Qendror të 19-të të partisë - udhëheqjes më të lartë të vendit.
Ky ishte takimi i fundit i madh para mbajtjes së Kongresit Kombëtar, vitin e ardhshëm, ku Xi Jinping pritet të kërkojë një mandat të tretë historik si president.
Në vitin 2018-ë, Kina hoqi masën e cila parashihte që presidenti të ketë dy mandate, duke i mundësuar, Xi Jinping të qëndrojë në pushtet për gjithë jetën.
SHIKONI EDHE: Mendoni dy herë para se të bashkëpunoni me Kinën, porosit ministri tajvanezMarrëdhëniet midis Perëndimit dhe Kinës janë përkeqësuar në kohët e fundit për shkak të tregtisë, të drejtave të njeriut, spiunazhit dhe pandemisë.
Kohët e fundit, Kina po përballet me kritika dhe sanksione ndërkombëtare për ndalimin e më shumë se 1 milion ujgurëve dhe pakicave tjera myslimane në rajonin e Ksinjiangut.
Sipas Kombeve të Bashkuara të paktën 1 milion pjesëtarë të këtyre grupeve etnike janë arrestuar dhe janë dërguar në qendra të mbajtjes. Presionet ndaj Kinës janë shtuar edhe për shkak të miratimit të një ligji të sigurisë për Hong Kongut dhe shtypjes së zërave pro-demokracisë atje.
Projekti global i Kinës, “Brezi dhe Rruga” ka ngjallur shqetësime në Perëndim, pasi po vlerësohet si një projekt i shtrirjes së ndikimit kinez në botë.
Që prej se u lansua më 2013 nga presidenti i Kinës, Xi Jinping, nisma ka ndarë qindra miliarda dollarë për infrastrukturën e jashtme, duke rritur tregtinë dhe duke hapur rrugë që Pekini të krijojë lidhje të reja politike dhe ekonomike në mbarë botën.
Shumë vende kanë marrë kredi nga Kina për projekte infrastrukturore dhe tash e kanë të vështirë kthimin e tyre. Kjo, nga Perëndimi po shihet si një “kurth” i Kinës për të vendosur nën ndikim këto vende.
Në samitin e G7-ës të mbajtur në mesin e muajit qershor, liderët e Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës, Italisë, Kanadasë, Gjermanisë dhe Japonisë dolën me një plan alternativ të investimeve në infrastrukturën globale për të rivalizuar planin kinez. Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka paralajmëruar fuqitë e huaja kundër përpjekjes për të provokuar ose të ndikojnë në vendin e tij.