Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri sërish thirrje udhëheqësve të NATO-s që të vendosin një zonë ndalim-fluturimi mbi Ukrainë.
“Nëse nuk e mbyllni qiellin tonë, është çështje kohe kur raketat ruse do të bien në territorin tuaj, në territorin e NATO-s”, tha Zelensky në një video-adresim të postuar në mediat sociale.
Thirrja e tij vjen pasi raketat ruse qëlluan të dielën një bazë stërvitore ushtarake në Javoriv të Ukrainës.
Lokacioni ndodhet 25 kilometra larg Polonisë - vend anëtar i NATO-s.
Zyrtarët ukrainas thanë se së paku 35 njerëz u vranë dhe 134 u plagosën në sulm.
SHBA-ja e ka përjashtuar mundësinë e vendosjes së zonës së ndalim-fluturimit mbi Ukrainë, pasi, siç ka thënë, kjo mund të nënkuptojë që forcat e NATO-s t’i rrëzojnë aeroplanët rusë.
Sipas presidentit amerikan, Joe Biden, kjo do ta përkeqësonte situatën në shkallën e një lufte të tretë botërore.
- Për lajme në kohë reale nga lufta në Ukrainë, na përcillni në këtë blog.
Rusia ka nisur pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka dhënë urdhrin për pushtim pasi nuk ka marrë garanci nga NATO-ja se nuk do të zgjerohet më drejt lindjes.
Perëndimi e ka dënuar ashpër veprimin rus dhe ka vendosur një sërë sanksionesh kundër Rusisë.