Presidenti çek thotë se janë dy teori lidhur me shpërthimin e vitit 2014

Presidenti i Republikës Çeke, Milos Zeman.

Presidenti i Çekisë, Milos Zeman tha se janë dy teori lidhur me shkakun e shpërthimit në një depo të armëve më 2014, që së fundmi ka nxitur tensione diplomatike me Rusinë.

Duke folur për herë të parë për incidentin, Zeman tha më 25 prill se njëra nga teoritë është që inteligjenca ruse ka qenë e përfshirë në shpërthimin vdekjeprurës.

Teoria tjetër, sipas tij, është që shpërthimi është shkaktuar nga trajtimi joadekuat i municioneve që gjendeshin në këtë depo.

Zeman tha se shpreson që këto dy versione të “hetohen plotësisht”.

Kryeministri çek, Andej Babis më 17 prill njoftoi se zyrtarët e inteligjencës çeke dhe të shërbimeve të sigurisë, kanë ofruar “prova të qarta” se “ekziston dyshimi i bazuar lidhur me rolin e anëtarëve të Njësisë 29155 të inteligjencës ruse GRU në shpërthimin në depon e municionit në Vrbetice më 2014”.

SHIKONI EDHE: Çka është Njësia 29155 e GRU-së?

Duke cituar një raport të Shërbimit Informativ të Sigurisë së Çekisë, Zeman tha se nuk ka “as prova, as të dhëna” që dy agjentë rusë të GRU-së po kërkohen për përfshirjen e mundshme në shpërthimin në depon e armëve.

“Shpresoj se ata do të përcaktojnë të vërtetën dhe do të zbulojnë nëse ky dyshim (për përfshirjen e inteligjencës ruse) është i justifikueshëm. Nëse kjo qëndron – edhe pse unë mbështes raporte fer me të gjitha shtetet e rëndësishme – Federata Ruse do të duhej të paguante çmimin për këtë akt të supozuar të terrorizmit”, tha Zeman.

Zeman sugjeroi se duke eliminuar kompaninë ruse Rosatom nga konkurrimi për ndërtimin e një centrali të ri bërthamor, do të ishte një dënim i mundshëm. Megjithatë, ai tha se nëse Rusia nuk është përgjegjëse për këtë shpërthim, kjo “do të mund të ketë pasoja serioze për politikën tonë të brendshme”.

SHIKONI EDHE: BE-ja mbështet Çekinë në tensionet diplomatike me Rusinë

Zeman shpesh ka shprehur qëndrime pro-ruse dhe është parë si miqësor ndaj Moskës.

Më 16 tetor, 2014 kishte ndodhur një shpërthim në Vrebetice, ku ruheshin municione. Dy muaj më vonë, po ashtu ndodhi një shpërthim në të njëjtin vend.

Në përgjigje të kësaj, Çekia ka dëbuar 18 diplomatë rusë, duke i konsideruar spiunë. Rusia është kundërpërgjigjur duke thënë se 20 punëtorët e Ambasadës çeke në Moskë do të dëbohen.

Rusia ka mohuar çdo përfshirje në shpërthimin në depon e municioneve në Republikën Çeke.