Aslan Bzhania, udhëheqësi i Abkazisë – rajonit separatist në Gjeorgji që mbështetet nga Moska – tha më 16 nëntor se është “i gatshëm” të japë dorëheqje nëse mbështetësit e opozitës pajtohen që të largohen nga ndërtesa e Parlamentit, që gjendet në kryeqytetin Sukumi.
Opozita ka bërë thirrje për protesta të reja më 16 nëntor, pasi një ditë më herët protestuesit hynë në ndërtesën e Parlamentit, për të kundërshtuar një marrëveshje për ndërtim me Moskën dhe kërkuan largimin e Bzhanianit.
“Ata që morën nën kontroll ndërtesat, ata që tentuan një grusht shteti, duhet të largohen nga ndërtesa dhe pas kësaj unë jam i gatshëm të thërras zgjedhje të reja, të jap dorëheqje dhe të garoj në zgjedhjet e reja”, tha Bzhania para mbështetësve të tij në vendlindjen e tij Tamish, fshat që gjendet rreth 40 kilometra larg nga Sukumi.
Megjithatë, opozita duket se është e vendosur të injorojë kërkesat e Bzhanianit.
“Aslan Bzhania po bën përpjekje të dëshpëruara për të shpëtuar Qeverinë e tij”, tha përmes një deklarate i ashtuquajturi Këshill Koordinues i opozitës, duke shtuar se “sundimi i tij ka marrë fund”.
SHIKONI EDHE: Protestuesit ia mësyjnë Parlamentit në Abkazi të Gjeorgjisë për shkak të një ujdie me RusinëPërmes kësaj deklarate, opozita akuzoi Bzhanianin për “pasurim të familjarëve të tij dhe rrethit të tij të ngushtë”, duke u bërë thirrje mbështetësve të opozitës që të mblidhen në kryeqytet më 16 nëntor.
Mediat lokale raportuan më 15 nëntor se ligjvënësit dështuan që të ratifikonin marrëveshjes, e cila sipas kundërshtarëve të saj do t’iu mundësonte rusëve të pasur të blejnë prona në rajonin piktoresk të Detit të Zi, do të rriste çmimet e patundshmërisë dhe do të bënte të papërballueshme çmimet e patundshmërisë për vendasit.
Përfaqësuesit opozitarë thanë se pas kërkesës fillestare të tyre që marrëveshja të anulohet, tani protestuesit po kërkojnë rrëzimin e presidentit Bzhania.
Bzhania, ish-shef i shërbimit shtetëror të sigurisë në Abkazi, u tha mbështetësve të tij më 16 nëntor se “po u bëhet presion i madh anëtarëve të Parlamentit në mënyrë që Parlamenti të ndërmarrë veprime të paligjshme për të rrëzuar presidentin”. Ai paralajmëroi se “skenari i vitit 2014 nuk do të përsëritet”, referencë për një nga dy herat kur udhëheqësit në Abkazi dhanë dorëheqje për shkak të protestave të opozitës.
Abkazia dhe Osetia Jugore u shkëputën nga Gjeorgjia pas rënies së Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve ’90.
Moska e njohu pavarësinë e dy rajoneve pasi forcat ruse e zmbrapsën një tentim të Gjeorgjisë për ta rimarrë Osetinë Jugore gjatë një lufte pesëditore në verën e vitit 2008, e cila mbaroi me disfatën e Gjeorgjisë.
Shumica e vendeve ende e njohin Abkazinë si pjesë të Gjeorgjisë, por ekonomia e saj është pothuajse tërësisht e varur nga Moska, e cila ua paguan rrogat administratës publike dhe përfitimet sociale banorëve të saj.
Presidentja proevropiane e Gjeorgjisë, Salome Zurabishvili, duke reaguar për tensionet që Tbilisi thotë se po ndodhin në rajonin e tij të okupuar, tha se Rusia “po përshpejton hapat drejt aneksimit” të Abkazisë.