Franca dhe KE-ja me bashkëpunim për Ballkanin Perëndimor

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se shteti i tij gjatë kryesimit të Presidencës së bllokut evropian do të punojë së bashku me Komisionin Evropian edhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Këto komente Macron i bëri gjatë një konference të përbashkët për media me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Franca mori kryesimin gjashtëmujor të Presidencës së Bashkimit Evropian nga 1 janari.

Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen tha se e mirëpret faktin që Franca, si një shtet me peshë të madh politike dhe me përvojë ka marrë kryesimin e Presidencës dhe se institucioni që ajo udhëheqë, do të jetë në dispozicion për të bashkëpunuar në realizimin e prioriteteve të përbashkëta të BE-së.

Macron dhe von der Leyen folën për gazetarët pas takimit të parë të punës që pati kolegji i Komisionarëve të BE-së me Qeverinë franceze, si kryesuese e radhës së BE-së.

SHIKONI EDHE: Ballkani Perëndimor, në fokus të BE-së gjatë kryesimit të Francës

Burimet nga Presidenca franceze kanë thënë se do të angazhohen gjatë këtyre gjashtë muajve edhe për të avancuar procesin e zgjerimit me vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke pasur parasysh edhe përmbushjen e kushteve në këtë proces, sipas metodologjisë së re të zgjerimit.

Sipas burimeve diplomatike, Franca pritet sidomos të punojë në tejkalimin e pengesave për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pas krijimit të Qeverisë së re në Bullgari pritet që të gjendet edhe një zgjidhje për të hequr pengesat që ky shtet i ka bërë për nisjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut.

Franca gjatë kryesimit të saj me BE-në do të organizojë edhe një konferencë të veçantë kushtuar Ballkanit Perëndimor, në të cilën do të diskutohet për problemet specifike, sidomos për tensionet politike në Bosnje e Hercegovinë dhe raportet mes Kosovës dhe Serbisë.