Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafi ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se në një kodër mbi Tërnocin e Madh, në jug të Serbisë, kanë nisur punimet për rregullimin e hapësirës dhe ndërtimin e një objekti kushtuar komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit (UÇPMB), Ridvan Qazimi, i njohur edhe si komandant Lleshi.
“Mund të quhet kompleks memorial, një park përkujtimor ose mund t’i vihet një emër tjetër, por në thelb, ky vend do të jetë një vend për të ruajtur kujtimin për komandant Lleshin, që ne këtu e shohim si një hero të historisë sonë të fundit, një njeri që sakrifikoi për të mirën e popullit të tij”, tregon Mustafi.
Pasi në opinion nisi të qarkullonte një informacion jozyrtar për nisjen e punimeve në këtë kompleks përkujtimor, për këtë temë u diskutua edhe në një seancë të rregullt të Parlamentit serb.
Në seancën e Parlamentit të Serbisë, të mbajtur më 13 prill, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), Gjorgje Miliqeviq, pyeti Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale e të Veteranëve nëse Komuna e Bujanocit apo autoritetet lokale të Tërnocit të Madh, kanë paraqitur ndonjë kërkesë për miratimin e lejimit të ndërtimit të kompleksit përkujtimor për Ridvan Qazimin.
Me këtë rast, ai tha se Komuna e Bujanocit duhet të respektojë ligjet e Serbisë, pavarësisht përkatësisë etnike të qytetarëve të Bujanocit.
“Në Serbi ekziston një ligj ku rregullohet saktë se kujt dhe në çfarë kushtesh mund t’i ndërtohet monument përkujtimor. Kjo sigurisht nuk është e mundur për ata që morën pjesë në veprime terroriste”, u shpreh Miliqeviq.
Hero kombëtar për shqiptarët
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafi, tha për REL se asgjë e rrezikshme dhe e tmerrshme nuk është duke ndodhur për Serbinë në kodrën mbi Tërnocin e Madh, pasi sipas tij, çdo nismë e shqiptarëve në jug të Serbisë, trajtohet si e tillë.
“Deklaratat që vijnë nga Beogradi janë të rrezikshme, në të cilat, shqiptarët janë gjithmonë armiq të shtetit”, tha Mustafi.
Në vend të kësaj, ai shton se shteti do të duhej të respektojë Ligjin për amnistinë, i cili, sipas tij, ka sjellë paqe në këtë pjesë të Serbisë.
“Me këtë ligj është paraparë që të gjithë luftëtarët e UÇPMB-së të amnistohen për pjesëmarrje në konflikte”, tha Mustafi.
Çka parasheh Ligji për amnisti?
Ky ligj, i cili është miratuar më 3 korrik, 2020 thotë se u jepet amnisti personave, shtetas të Jugosllavisë, të cilët në periudhën 1 janar, 1999 deri më 31 maj, 2001, në territorin e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kanë bërë ose ekziston dyshimi i bazuar se kanë kryer veprën penale të terrorizmit.
Sipas organizatës Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut më 2000 dhe 2001, në këto tri komuna, të banuar me shumicë shqiptare, ishte vendi i konfliktit të armatosur në mes të policisë serbe dhe ushtrisë jugosllave në njërën anë dhe UÇPMB-së në anën tjetër.
SHIKONI EDHE: Mustafi: Keqpërdorimi i ligjit në Serbi për përndjekjen politike të shqiptarëveSipas të dhënave të Fondit për të Drejtën Humanitare, të drejtat themelore dhe të drejtat e minoriteteve, përkatësisht të shqiptarëve, që banojnë në këto komuna, vazhdimisht ishin shkelur gjatë viteve të 80-ta si dhe gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit, partisë të të cilit i përket edhe Miliqeviq, që gjatë seancës plenare, kritikoi ndërtimin e këtij monumenti.
Sipas të dhënave të këtij fondi, një numër i madh vrasjesh, i zhdukjeve me forcë, dëmtimit të pronës dhe torturave nga anëtarët e MUP-it serb dhe policisë ushtarake jugosllave, si dhe të formacioneve paralamilitare, që ndodhën në periudhën para se të përshkallëzohej kriza në jug të Serbisë, mbeten të pazgjidhura, njësojë sikurse shkeljet e të drejtave të njeriut nga të dy palët gjatë konfliktit më 2000 dhe 2001.
Ragmi Mustafi tha se Ridvan Qazimi luftoi për të drejtat e popullit të tij si dhe ai ishte njëri nga personat që nënshkruan marrëveshjen, e cila solli paqe në këtë zonë.
“Absolutisht është e papranueshme që ta quash atë njeri terrorist shqiptar. Kjo sjellje e shtetit, që shkel ligjet, rregulloret dhe vendimet e veta, është e papranueshme. Sepse, nëse të gjithë këta njerëz amnistohen, kjo do të thotë se në njëfarë mënyre, shteti e pranon se revolta e tyre ishte e drejtë dhe se amnistia është ajo që ua dha atyre mundësinë për pajtim”, tha Mustafi.
Kush ishte Ridvan Qazimi?
Ridvan Qazimi, i njohur edhe si Komandant Lleshi, është një hero kombëtar për shqiptarët nga jugu i Serbisë, e për autoritetet në Beograd një terrorist. Ai vdiq gjatë një konflikti me anëtarët e ushtrisë dhe policisë.
Sipas një studimi të vitit 2002 të kryer nga Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), Qazimi ishte një nga përfaqësuesit e UÇPMB-së, që ishte i përfshirë drejtpërdrejtë në negociatat me zyrtarët qeveritarë në fillim të vitit 2001.
Rrethanat e vdekjes së tij, më 24 maj, 2001, nuk janë sqaruar ende. Sipas FDH-së, ai ishte vrarë me një snajper, që kishte shtënë në vendin e quajtur Guri i Gat mbi fshatin Lluçan, teksa ai kishte qenë aty së bashku me tre bashkëluftëtarë.
Sipas deklaratave të mëparshme të bashkëluftëtarëve të Qazimit, ai kishte marrë pjesë në përgatitjet për nënshkrimin e një marrëveshjeje për dhënien fund të luftimeve, prandaj, ai konsiderohet si luftëtar për të drejtat e popullit shqiptar, që sakrifikoi veten për të ardhmen e brezave të rinj.
Një monument i Ridvan Qazimit është ngritur në qendër të Tërnocit të Madh, ku ai është varrosur.
Më 2002, një pllakë përkujtimore për Qazimin u vendos në hyrje të Tërnocit të Madh.
Në po atë vend, më 2012 është hapur një muze kushtuar komandant Lleshit, ku është ekspozuar automjeti në të cilin ai ishte kur është vrarë me snajper si dhe uniforma që e ka pasur të veshur. Në Bujanoc çdo vit mbahen Ditët e komandantit Lleshi, gjatë të cilave shfaqen programe kulturore-artistike, për të nderuar atë.
A mund të përsëritet “skenari i Preshevës”?
Megjithatë, çdo vendosje e monumenteve që u kushtohen personaliteteve nga ky konflikt i armatosur në jug të Serbisë, përcillet me tensione ndëretnike.
Vëmendjen më të madhe e mori një monument, i ndërtuar nga mermeri, ku ishin të vendosur 27 emra të luftëtarëve të vrarë të UÇPMB-së, që u zbulua në nëntor të vitit 2012, në qendër të Preshevës.
Tre muaj më vonë, 200 pjesëtarë të xhandarmërisë serbe e hoqën këtë monument, pavarësisht reagimeve të shumta nga politikanët shqiptarë.
Arsyetimi kryesor i autoriteteve serbe ishte se ngritja e këtij monumenti ishte bërë pa lejen e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës nga Nishi. Sidoqoftë, udhëheqësi i SPS-së, njëherësh kryeministri i atëhershëm i Serbisë – kryetari aktual i parlamentit – Ivica Daçiq, e kishte quajtur këtë monument “provokim ndaj të cilit shteti duhet të reagojë”. Atëbotë, zëvendëskryeministri i parë, aktualisht presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjithashtu, publikisht kishte kërkuar heqjen e monumentit.
Your browser doesn’t support HTML5
Edhe presidentja e atëhershme e Kosovës, Atifete Jahjaga e kishte cilësuar në kundërshtim me të drejtat themelore dhe lirive të njeriut heqjen e këtij monumenti në Preshevë.
Nga Misioni për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), atëherë kishin shprehur keqardhje që negociatat për një zgjidhje kompromisi për këtë monument ishin ndërprerë, për shkak të largimit të tij.
Monumenti më pas u zhvendos në oborrin e një xhamie ku edhe sot gjendet.
Në të njëjtin vit, u ndalë fillimi i punimeve në një kompleks memorial kushtuar pjesëtarëve të UÇPMB-së në fshatin Oraovicë të Preshevës. Sipas shkrimeve të mediave, në atë vend ishte planifikuar të ndërtoheshin tetë shtylla mermeri, në gjatësi prej 16 metrash, sipas një projekti të Prishtinës.
Në mesin e vitit 2015, u hoq edhe monumenti i ngritur në nder të 12 pjesëtarëve të policisë serbe, të vrarë te fshati Lluçan. Monumenti u zhvendos në oborrin e një kishe në Banjë të Bujanocit.
Në rajonin e jugut të Serbisë janë edhe të paktën 20 monumente, të cilat kundërshtohen nga njëra ose pala tjetër.
Çka thotë Ligji për monumentet?
Sipas Ligjit për memoriale të luftës, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Veteranëve, bazuar në mendimin e Këshillit për ruajtjen e traditave të luftërave çlirimtare të Serbisë dhe Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve, vendos për ngritjen ose heqjen e monumenteve. Vetëqeverisjet lokale do të thotë, komunat apo qytetet, mund të jenë propozues, por nuk vendosin për propozimet për ngritjen e monumenteve.
Sipas ligjit, pushteti lokal zbaton vendimet e ministrisë – ngritjen, heqjen apo evidentimin e monumenteve në territorin e tyre.
Po ashtu sipas ligjit, nismat për ngritjen e monumenteve të reja, mund të vijnë nga qytetarët, personat juridikë apo nga institucionet shtetërore.