Të rinjtë, të cilët janë pjesë e partive politike që janë futur në garë për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 8 maj, thonë se janë të lodhur nga frazat se gjërat nuk ndryshojnë në Maqedoninë e Veriut. Për këtë arsye, ata thonë se janë inkuadruar në to, që në mënyrë të drejtpërdrejtë të ndikojnë në vendimmarrje kur bëhet fjalë për interesat e tyre.
Drejtuesit e forumeve rinore brenda katër forcave kryesore politike, Lidhjes Social Demokrate(LSDM), Frontit Evropian të udhëhequr nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), koalicioni i partive shqiptare në opozitë VLEN, dhe VMRO DPMNE-ja thonë për Radion Evropa e Lirë se angazhimi i tyre në politikë si prioritet ka ngritjen e cilësisë së jetesës që të rinjtë mos largohen nga vendi.
Por, ata kanë edhe ide inovative, si angazhimi i psikologëve sipas modelit të mjekëve familjarë për çdo të ri, krijimi i zonave ekonomike për bizneset e të rinjve etj.
SHIKONI EDHE: Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut, të zhgënjyer me programet e kandidatëve për presidentJetmir Asani nga Lidhja Demokratike që është pjesë e koalicionit të partive politike shqiptare në opozitë, VLEN, thotë se synim ka hapjen e zonave të lira ekonomike për “start up” kompanitë, që do të drejtohen nga të rinjtë në mënyrë që ata të inkurajohen që me njohuritë e tyre të zhvillojnë biznese në Maqedoninë e Veriut dhe jo jashtë vendit.
“Do të angazhohemi që të rinjtë ta kenë më të lehtë të merren me biznes dhe këtë do ta realizojmë përmes krijimit të zonave të lira ekonomike me shumë lehtësime për të rinjtë që do të merren me biznes”, thotë Asani për Radion Evropa e Lirë(REL).
Në programin për zgjedhjet parlamentare të koalicionit VLEN, për sa i përket të rinjve veç tjerash theksohet se “personat më të rinj se 30 vjeç që hapin biznes në Maqedoninë e Veriut për tre vjet do të lirohen tërësisht nga taksat për realizimin e veprimtarive ekonomike”.
Në programin zgjedhor të koalicionit VLEN është apostrofuar dhe sigurimi linjave kreditore pa normë interesi për blerjen e banesave për çiftet e reja nën moshën 35-vjeçare.
“Kredi me zero interes për banim për çiftet e reja”, theksohet në programin zgjedhor të këtij koalicioni.
Jetmir Asani thekson se në fokus të koalicionit të partive shqiptare në opozitë mbetet dhe heqja e taksës së pagesës për studentët në universitete, gjegjësisht studime tërësisht pa pagesë.
Nga ana tjetër, Marko Mihallovski që drejton forcat e të rinjve te socialdemokratë thotë se prioritet mbetet themelimi i një ministrie për të rinjtë, ndërtimi i një sistemi për mbështetje sociale të të rinjve, si dhe promovimi i rëndësisë që ka shëndeti mendor përkatësisht sigurimi i psikologëve sipas modelit të mjekëve amë.
“Ngritja e standardit jetësor dhe konvikteve për studentët do të jetë angazhimi ynë primar. Do theksuar se këtë e kanë premtuar shumë parti politike përfshirë këtu dhe partinë që përfaqësoj se do të rinovojmë dhe ndërtojmë konvikte të reja, që disi nuk ia dolën. Tani kjo çështje do të jetë në fokus tonin”, thekson Mihajllovski për REL-in.
SHIKONI EDHE: Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut ankohen për mospërfshirje në politikëNë programin zgjedhor të Lidhjes Social Demokrate theksohet se kjo parti do të angazhohet për zhvillimin e softuerit “Youth job – E-Youth job” , nëpërmjet të cilit të rinjtë, gjegjësisht studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme do të mund të përfitojnë njohuri për t’u bërë më konkurrues në tregun e punës me këtë dhe krijojnë pavarësi ekonomike.
Në programin e zgjedhjeve parlamentare të socialdemokratëve gjithashtu theksohet se “do të angazhohen për zhvillimin e mekanizmave që të rinjtë ta kenë më të lehtë të jenë pjesë e aktivitetet politike dhe pozitave drejtuese”.
Ndërkaq, nga Koalicioni i Frontit Evropian që udhëhiqet nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë për REL-in se fokusi do të vendoset në përfshirjen e të rinjve në vendimmarrje.
Në programin zgjedhor 2024 të Frontit Evropian, për sa i përket të rinjve, theksohet “nxitja e sipërmarrjes te të rinjtë, si mundësi për ngritjen e cilësisë së jetesës dhe pavarësisë ekonomike në një moshë më të re. Në programin zgjedhor theksohet dhe hartimi i një strategjie për kthimin e të rinjve në vendlindje dhe shfrytëzimin e njohurive të tyre në vend”.
SHIKONI EDHE: Shkup: Votuesit e rinj s'i njohin politikanëtSergej Popov nga VMRO DPMNE-ja për Radion Evropa e Lire thotë se me prioritet mbetet ndarja e 50 milionë eurove nga buxheti për ndarjen e bursave dhe ndihmave financiare për studentët dhe nxënësit e shkollave të mesme.
Popov thotë se do të angazhohet dhe për sigurimin e kartelave ku të rinjtë do të kenë zbritje për produkte dhe shërbime të caktuara.
"Kemi një program përmbajtjesor të hartuar nga të rinjtë për të rinjtë që më vete përfshin interesat edhe të atyre që jetojnë këtu, po edhe atyre që duhet motivuar për t’u kthyer në vend”, thekson Popov.
Në programin zgjedhor të partisë maqedonase, VMRO DPMNE, theksohet se do të angazhohen që të zhvillohen viset rurale duke vënë theksin në zhvillimin e bujqësisë, përkatësisht do të ofrohen subvencione për çiftet e reja që do të shpërngulen e të kthehen në fshatra.
“Për të mbajtur popullsinë që jeton në zonat rurale, veçanërisht të rinjtë, parashikojmë investime sistematike dhe strukturore në infrastrukturë dhe vende të reja pune në zonat rurale”, theksohet në programin zgjedhor të VMRO DPMNE-së.
Edhe kundrejt ofertave të këtilla të partive politike, më shumë se gjysma e të rinjve nën moshën 29 vjeç të ardhmen e shohin jashtë vendit.