Preferencat për djem në Mal të Zi

Fotografi ilustruese

Gjatë debatit të fundit në Parlament për zvogëlimin e përqindjes së vajzave të porsalindura në Mal të Zi, një ligjvënës “e dënoi sinqerisht” trendin, por tha se është rezultat i pashmangshëm i “teknikës” mjekësore dhe i gjendjes së botës sot.

“Çdo qytetar ka të drejtë të ndikojë në riprodhimin e fëmijëve të tij”, tha Dragan Ivanoviq, deputet i koalicionit qeverisës, gjatë një fjalimi më 24 maj.

Përdorimi i abortit për të zgjedhur djem përballë vajzave është i paligjshëm në Mal të Zi - vend me 623,000 banorë - qysh në vitin 2009.

Por, komentet e Ivanoviqit nuk shkaktuan bujë tek aleatët e koalicionit, shumica e të cilëve u zgjodhën me një platformë të mbështetjes së fuqishme për Kishën Ortodokse Serbe, e cila e kundërshton abortin.

Ivanoviq, megjithatë, mori vëmendjen e mbrojtësve të të drejtave të grave.

Dragan Ivanoviq, deputet i koalicionit qeverisës në Mal të Zi.

Drejtoresha ekzekutive e Lobit të Grave në Mal të Zi, Aida Petroviq, i cilësoi deklaratat e tij si “të turpshme” dhe të barasvlershme me “mbështetjen e publikut për abortet selektive”.

Qendra për të Drejtat e Grave - një OJQ në Podgoricë që lufton për ndalimin e atyre që njihen si aborte në bazë të gjinisë - tha se “e drejta” në të cilën është thirrur Ivanoviq është joekzistente dhe shkelje e Kushtetutës së Malit të Zi dhe ligjeve kundër diskriminimit.

“Një anëtar i Parlamentit malazez duhet ta dijë këtë”, tha Qendra për të Drejtat e Grave.

Duke nuhatur zemërimin, politikanët e tjerë u bashkuan.

Partia Demokratike e Socialistëve në opozitë tha se deklaratat pasqyrojnë një qeveri të prapambetur, që i trajton gratë si “të padëshiruara”.

Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Alleksa Beçiq, i kërkoi falje publikut dhe bëri thirrje për “mesazhe respekti për të drejtën e secilit për të lindur, pavarësisht nëse fetusi është mashkull apo femër”.

Kryetarja e Komisionit parlamentar për barazinë gjinore, Bozhena Jellushiq, i dënoi deklaratat e Ivanoviqit, ndërsa abortin selektiv e përshkroi si kancer në shoqërinë malazeze.

Më 25 maj, Ivanoviq kërkoi falje gjithashtu. Ai tha se i kundërshton abortet selektive dhe se deklaratat e tij ishin “të pamatura”.

“U kërkoj falje të gjitha nënave dhe të gjithë atyre që u prekën” nga deklaratat, tha Ivanoviq.

Danijella Gjuroviq, aleate partiake e Ivanoviqit dhe anëtare e Komisionit parlamentar për barazinë gjinore, tha për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se Ivanoviq e ka thënë atë që “për fat të keq, është realitet në Mal të Zi” dhe se ai e ka dënuar atë.

“Pozicioni i tij është se diskriminimi për shkak të gjinisë, para lindjes ose pas lindjes, ose për ndonjë arsye tjetër, është diçka që padyshim është e papranueshme”, tha Gjuroviq.

Problem i vazhdueshëm

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe ekspertë të tjerë pajtohen se ndryshimi që ndodh natyrshëm në lindjet e njerëzve, aktualisht është rreth 105 meshkuj për 100 femra.

Diferenca ose çekuilibri midis numrave të pritur dhe shifrave aktuale të një vendi është rezultat i faktorëve të shumtë, por shpesh është një shenjë treguese e abortit selektiv.

Në raste të tilla, gratë shtatzëna përdorin rezultatet e teknologjisë - të dizajnuara për të dalluar anomalitë e fetusit - për të vendosur nëse do ta mbajnë ose jo një fetus.

Procedurat e tilla, bashkë me braktisjen pas lindjes, janë të zakonshme në Kinë dhe Indi, ku paragjykimet kulturore dhe të tjera i inkurajojnë preferencat për djem.

Edhe pse trajektorja e tij është përmirësuar pak gjatë dekadës së kaluar, Mali i Zi ka një nga 10 çekuilibrat më të lartë në botë: rreth 108 djem të porsalindur për 100 vajza, në vitin 2020.

Për shkak të rritjes së aborteve selektive pas rënies së komunizmit, Mali i Zi i ka ndaluar ato më shumë se një dekadë më parë.

Përdorimi i testeve të hershme gjenetike për të përcaktuar gjininë është gjithashtu i ndaluar me ligjin malazez.

Megjithatë, ekspertët e Kombeve të Bashkuara dhe ata evropianë kanë vlerësuar më herët se Mali i Zi vuan më shumë se shumica nga çekuilibri i lindjeve.

Fotografi ilustruese

Tregues të shumtë për një dukuri të tillë ka edhe në fqinjët e tij rajonalë: Shqipëri, Kosovë dhe pjesë të Maqedonisë së Veriut.

Në vitin 2012, komisionari i Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut ka nxitur, por pa sukses, autoritetet malazeze që të hetojnë mbizotërimin e aborteve selektive.

Dy vjet më vonë, Këshilli i Evropës ka kërkuar ndalesa kombëtare midis vendeve anëtare, duke e cilësuar praktikën si “një rast të qartë diskriminimi, me elemente të forta të dhunës fizike dhe psikologjike”.

Afati i fundit për të kryer abort të ligjshëm në Mal të Zi është dhjetë javë pas mbetjes shtatzënë.

Përtej numrave

Një indeks i madh kombëtar për barazinë gjinore, i porositur dhe zhvilluar nga organet lokale, të BE-së dhe të Kombeve të Bashkuara, është publikuar dy vjet më parë, duke e nxjerrë Malin e Zi me 55 pikë - prapa mesatares së BE-së prej 67+.

Kohëve të fundit, disa studime sociologjike, antropologjike dhe etnografike kanë sugjeruar se Mali i Zi mbetet i cenueshëm ndaj abortit selektiv, të bazuar në gjini.

Diana Kiscenko, ligjëruese e antropologjisë sociale në Universitetin Riga Stradins, publikoi në muajin prill një studim etnografik për “preferencat ndaj djemve dhe praktikat e trashëgimisë në Mal të Zi”.

Në raportin që përmbante studimin, autorët vunë në dukje lidhjet komplekse midis rrethanave materiale dhe ekonomike në njërën anë dhe mendësitë shoqërore dhe kulturore në anën tjetër.

Ata përmendën edhe rolin e farefisnisë dhe marrëdhëniet pronësore në praktikat gjinore.

“Është diçka shumë komplekse”, tha Kiscenko për Radion Evropa e Lirë.

“Nuk ka të bëjë vetëm me traditën, ku djali vazhdon trashëgiminë, merr pronën e familjes, biznesin dhe shihet si ai që do të kujdeset për prindërit e plakur, por edhe me aspektet praktike të jetës së përditshme të burrave dhe grave në Mal të Zi”, tha ajo.

Sipas saj, situata në Mal të Zi është “statistikisht e vështirë për t'u vlerësuar” për shkak të përmasave, ndërsa “studimet faktike janë të pakta”.

Në studim, Kiscenko nxjerr përvojën e një nëne të re nga Podgorica, të cilën e quan “Ivana”, për të ilustruar pengesat familjare, të punës dhe pronësisë, me të cilat përballen gratë në Mal të Zi.

Edhe pse të varfër, prindërit e Ivanës fituan para duke shitur rroba, për të ndërtuar shtëpinë e tyre dykatëshe në Podgoricë.

Ivana kishte një motër më të madhe, por gjithmonë dëshironte edhe një vëlla më të vogël.

Më vonë, ajo mësoi se babai i saj dhe familja e tij po ia kërkonin me ngulm nënës së saj të njëjtën gjë.

Përfundimisht, Ivanës dhe pjesës tjetër të familjes iu plotësua dëshira.

Fotografi ilustruese

Disa vite më vonë, sipas Ivanës, nëna i tregoi asaj dhe motrës së shtëpia e familjes do t’i jepet vëllait të tyre, ndërsa ato duhet të martohen “për të siguruar shtëpinë”.

“U mësova me këtë”, tha Ivana.

Sipas Kiscenkos, Ivana më vonë e kuptoi se nëna e saj, sa herë që ka mbetur shtatzënë, ka shkuar në Beograd për të zbuluar gjininë e fetusit - nëse do të ishte vajzë, do ta abortonte.

Nëna e Ivanës iu nënshtrua katër aborteve gjatë një dekade.

Më të vetëdijshëm?

Jennifer Zenovich, një ligjëruese në Universitetin shtetëror të San Franciskos, që shkroi një auto-etnografi për “pronën e gjinisë” në Mal të Zi në vitin 2016, tha për Radion Evropa e Lirë se ajo “dyshon se ekziston një epidemi e abortit të fetuseve femra” atje.

Ajo përmendi këtu nivelin e ulët të lindjeve, koston e një procedure të tillë, stigmat kulturore, praktikat e kontrollit të lindjeve dhe numrat e grave të punësuara.

“Unë do të thosha se pronësia dhe trashëgimia e pasurisë, si një praktikë gjinore, ndikojnë në shtatzënitë dhe abortet në Mal të Zi. Megjithatë, nuk do të pohoja se janë të vetmet arsye për dikë që të ndërpresë shtatzëninë”, tha Zenovich.

Sipas saj, shtatzënat kanë “absolutisht të drejtë” për të marrë vendime në lidhje me trupin e tyre.

“Arsyet pse dikush përfundon një shtatzëni ndikohen me siguri nga ana kulturore, por vendimi për të pasur një fëmijë ose jo është përfundimisht i personit shtatzënë”, tha Zenovich.

Sipas saj, raportet për çekuilibër gjinor në shoqëri “mund të shkaktojnë shqetësime nacionaliste për shtetin dhe aftësinë e tij për të riprodhuar”.

Por, Christophe Guilmoto, demograf dhe studiues në Qendrën për Popullsinë dhe Zhvillimin, pranë Universitetit të Parisit, i cili ka shkruar gjerësisht për abortin selektiv në Ballkan dhe në botë, është i bindur se Mali i Zi ka problem.

Për më tepër, sipas tij, Mali i Zi është “i pastudiuar dhe i vetmi vend sllav ku mund të evidentohen abortet selektive në bazë të gjinisë”.

Në vitin 2017, Qendra për të Drejtat e Grave, me seli në Podgoricë, ka bërë një fushatë të ndërgjegjësimit publik, të titulluar “E padëshiruar”.

Me të është bërë përpjekje që Qeveria të detyrohet ta kufizojë në mënyrë më agresive abuzimin me testet e paralindjes dhe të ndalojë abortin selektiv.

Organizatorët kanë sfiduar “vlerat negative patriarkale”, ndërsa kanë theksuar ngurrimin e grave për të folur hapur për përvojat e tyre.

Sipas Agjencisë së Statistikave në Mal të Zi Monstat, bilanci në vitin 2020 ka qenë 108 djem për 100 vajza.

Fotografi ilustruese

Shifra më e ulët e dekadës është regjistruar më 2016, me 104 djem për 100 vajza. Kjo shifër ka dalë pas lindjes së 3,850 djemve dhe 3,719 vajzave.

Sipas Guilmotos, ndalimi dhe kriminalizimi i abortit selektiv “është një strategji e domosdoshme, por nuk është domosdoshmërisht efektive”.

Qeveritë duhet “të marrin një qëndrim dhe t'u thonë mjekëve se ajo që po bëjnë ata, është në kundërshtim me ligjin”, u shpreh ai.

Guilmoto përmendi edhe lehtësinë me të cilën gratë mund të shkojnë në një vend për testimin që përfshin edhe identifikimin e gjinisë së një fetusi dhe pastaj të shkojnë diku tjetër për të kryer abortin.

Sipas tij, çekuilibri në Mal të Zi është përmirësuar gjatë dekadës së fundit dhe “mbase në 15 ose 20 vjet, problemi do të zgjidhet”.

Ai tha se “ideja për të pasur shumë djem është në rregull në letër, por nuk është e qëndrueshme”.

Ministria e Arsimit e Malit të Zi ka bërë të ditur se 35,719 djem dhe vetëm 32,787 vajza janë regjistruar në shkollat fillore të vendit në vitin 2020.

Sipas Guilmotos, mbizotërimi i djemve mund të ndikojë në gjëra si martesa, punësimi e madje edhe migrimi.

Ai tha se gratë luajnë një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në shumë aspekte të shoqërisë së Malit të Zi, çfarë u jep atyre më shumë të drejtë për të vendosur për strukturën e familjes.

“Shumë gra në Mal të Zi nuk duan ta luajnë më atë lojë”, tha Guilmoto, “kështu që struktura e familjes po ndryshon dhe ‘nevoja’ për djem po zvogëlohet”.

Përgatiti: Valona Tela