Preferencat në rritje të pacientëve për trajtim jashtë Kosovës

Qendra Klinike Universitare e Kosovës

Mungesa e besueshmërisë në institucionet publike shëndetësore shtynë në vazhdimësi qytetarët që t’i kërkojnë shërbimet e tyre mjekësore nëpër spitalet private apo në qendrat mjekësore në vendet e rajonit, kryesisht në Maqedoni, Serbi apo edhe Turqi.

Institucionet publike shëndetësore në Kosovë, prej vitesh vuajnë nga mungesa e barnave, cilësia jo e mirë e shërbimeve shëndetësore, por edhe nga kushtet jo të mira për punë.

Fotogaleri: Kushte të vështira në QKUK

Kushte të vështira në QKUK

Sipas hulumtimeve të bëra, del se për një vit, qytetarët e Kosovës shpenzojnë më shumë se 150 milionë euro për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Afërdita Murati, qytetare nga Komuna e Podujevës, tha për Radion Evropa e Lirë se shkaku që ajo shpeshherë ka kërkuar ndihmë jashtë institucioneve publike shëndetësore është se në këto institucione nuk ofrohen shërbime të plota.

“Ju besoj institucioneve shëndetësore në Kosovë, por nganjëherë detyrohem që të shkojë jashtë vendit. Arsyeja është se vet mjekët brenda institucioneve shëndetësore të preferojnë analiza që nuk bëhen këtu. Andaj, je e obliguar që për ndonjë sëmundje të caktuar të kërkosh ndihmë edhe në vendet e rajonit e më gjerë”, tha Murati.

Derisa, Kemal Tershana, një qytetar nga Prishtina, thotë se ka humbur besimin në institucionet publike shëndetësore, pasi aty bëhen keqpërdorime sidomos me barna dhe si rrjedhojë, pacientët i blejnë vetë ato.

“Në spital nuk ka barna. Ndonëse dedikohet buxheti për barna, shumë shpesh ka mungesa. Mendoj se të njëjtin nivel jemi edhe me Shqipërinë e Maqedoninë. Sa i përket besimit në këto institucione, u besoj 50 për qind”, tha ai.

Në Ministrinë e Shëndetësisë, thonë se ndonëse për shumë vite me radhë ka pasur problem me mosbesim nga ana e qytetarëve në institucionet publike shëndetësore, gjendja ka ndryshuar.

Albatrit Matoshi, këshilltar i ministrit të Shëndetësisë, i tha Radios Evropa e Lirë se për nëntë mujorin e këtij viti, brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës janë ofruar rreth 5.3 milionë shërbime, ku mbi 600 mijë sosh, sipas tij, kanë gjetur shërim, derisa kanë qenë edhe 1 milion shërbime ambulantore.

“Kjo tregon se QKUK po e kthen besimin tek qytetarët. Ekziston një numër i qytetarëve që ende kërkojnë trajtim jashtë këtij institucioni, por që po zvogëlohet çdo vit e më shumë. Kjo, për shkak se janë ri-funksionalizuar shumë shërbime duke punuar kështu 7 ditë në jave 24 orë në ditë, në mënyrë që qytetarët të marrin shërbime në kohë dhe falas”, tha Matoshi.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë Blerim Syla, tha se dukuria e mosbesimit nga ana e qytetarëve në institucionet publike shëndetësore është përcjellë disa vite pas luftës. Si rrjedhojë, tha ai, janë mbi 150 milionë euro që i shpenzojnë qytetarët jashtë institucioneve publike shëndetësore, kryesisht në Beograd, Shkup, por edhe spitale private.

“Atë çka ne e hulumtojmë çdo ditë është për të ardhur keq. Ka mungesë të sigurimeve shëndetësore në Kosovë, por edhe sigurimet shëndetësore private, po krijojnë një komoditet të rrejshëm dhe njerëzit ikin jashtë Kosovës, jo për ndonjë profesionalizëm më të madh se ne Kosovë, por pse e kanë atë mundësi. Por, janë edhe kushtet e punës që i kemi ne, të cilat janë jo të volitshme, ndonëse kohëve të fundit janë përmirësuar kushtet dhe rrjedhimisht cilësia e shërbimeve”, tha Syla.

Sidoqoftë, institucionet publike shëndetësore në Kosovë vazhdojnë të mos i ofrojnë disa shërbime për të cilat pacientët detyrohen të kërkojnë shërim jashtë vendit.

Sfida më e madhe mbetet për fëmijët, të cilëve u duhet të kërkojnë shërim jashtë Kosovës. Sëmundjet malinje, leukemitë akute, operacionet e zemrës janë vetëm disa nga sëmundjet që institucionet publike nuk po mund t’i ofrojnë në vend për fëmijët.

SHIKONI EDHE: Shërimi jashtë Kosovës mbetet zgjidhje e vetme për fëmijët me sëmundje të rënda