Reuters
Që kur Qeveria franceze miratoi projektligjin për reformën për pensione duke anashkaluar miratimin e tij në Parlament, sipas të cilit mosha e daljes në pension për qytetarët francezë do të rritej, presidenti francez, Emmanuel Macron, është duke u përballur me sfidën më të madhe ndonjëherë që nga marrja e pushtetit.
Këtu janë disa nga arsyet:
Çfarë ndryshimesh dëshiron të arrijë Macroni me ndryshimin e Ligjit për pensione?
Në bazë të kësaj reforme, legjislacioni do ta rrisë moshën e daljes në pension për dy vjet, nga 62 vjet në 64. Ky ndryshim parashikohet që të vendoset në mënyrë graduale, me rritje moshe nga tre muaj për çdo vit, duke filluar nga shtatori i vitit 2023 deri në vitin 2030.
Ndërsa, personat që kanë një punë të lodhshme dhe të vështirë psikikisht dhe fizikisht, do të kenë mundësi të dalin në pension më herët se pjesa tjetër e popullsisë.
Sipas Ligjit për pension që ka qenë deri më tani, ata persona që kanë punuar për 42 vjet iu është dashur të kontribuojnë në sigurime shoqërore në mënyrë që të kenë mundësi të dalin në pension, mirëpo sipas projektligjit të ri, që nga viti 2027, shumë personave do t’iu duhet të kenë kontribute për më shumë se 43 vjet pune në sigurime shoqërore.
Nëse e krahasojmë me vende të tjera, SHBA-ja për shembull është duke e rritur moshën e pensionimit në 67 vjet, ndërsa Britania e Madhe ka njoftuar se planifikohet që në vitet 2037-2039, mosha e daljes në pension të rritet në 68 vjet.
SHIKONI EDHE: Francë: Sërish dhunë në protestat kundër reformës për pensionePse Qeveria franceze e sheh të domosdoshëm këtë ndryshim?
Qeveria e Macronit thotë se kjo reformë është shumë e nevojshme në mënyrë që të mos rrezikohet të krijohen borxhe në buxhetin e ndarë për pension.
Qeveria franceze vlerëson se nëse nuk bëhet asgjë për këtë problem, deri në vitin 2030 sistemi i pensioneve do të ketë një deficit vjetor prej 13.5 miliardë eurosh.
Masat kryesore pritej të gjeneronin 17.7 miliardë euro kontribute shtesë deri në vitin 2030. Qeveria vlerësoi se këto "masa strategjike" do të kushtonin 4.8 miliardë euro, duke rezultuar në një suficit prej 0.3 miliard euro në 2030.
Megjithatë, masa shtesë të tjera e rritën këtë kosto në 6 miliardë euro, duke e lënë Qeverinë të gjejë kursime dhe kontribute shtesë në minutën e fundit për të balancuar buxhetin.
Sistemi i pensionit francez kushton afër 14 për qind të GPD-së, më i larti pas Italisë dhe Francës në Organizatën për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik.
Pse reforma për pension është temë kaq e ndjeshme për francezët?
Sistemi i pensionit është gurthemeli i mbrojtjes sociale në Francë, që është shumë e vlefshme për francezët.
Sipas një doracaku të Qeverisë franceze, me model të mbrojtjes sociale nënkuptohet përfshirja e të gjitha sistemeve, qëllimi i së cilave është t’i mbrojnë njerëzit nga pasojat financiare të rreziqeve të ndryshme si sëmundje, amësia, pleqëria, papunësia.
Ky sistem i pensionit bazohet në solidaritetin e brezave dhe një plan pensioni me kontribut të detyrueshëm. Kjo do të thotë, pensionet e atyre që janë aktualisht në pension financohen drejtpërdrejt nga kontributet e atyre që janë ende në punë.
Për të plotësuar pensionin e tyre eventual përmes sistemit shtetëror, njerëzit mund të japin kontribute vullnetare në produktet e kursimeve, por nuk ka ndonjë plan pensioni privat si ato që janë në Britani të Madhe dhe SHBA.
Më parë kur u përpoqën të ndryshonin sistemin e pensioneve, ish-presidentët Nicolas Sarkozy dhe Jacques Chirac ngjallën një reagim po aq të ashpër nga punëtorët dhe publiku i gjerë.
Çka ndodh tutje?
Vendimi i Macronit për ta kaluar projektligjin për reformën në pensione pa votim në Parlament i ka zemëruar kundërshtarët dhe ka shkaktuar trazira të dhunshme.
Qeveria u përball me mocion të pasuksesshëm mosbesimi në Parlament.
Macron mund të mbajë një votim për reformën e pensioneve dhe të rrezikojë që ajo të kthehet në votim për presidencën e tij. Ai, madje, mund të shpërndajë Parlamentin dhe të mbajë zgjedhje të parakohshme, por shumë besojnë se kjo vetëm se do ta dobësojë më tutje atë në Asamblenë Kombëtare.