Deri në tetë ditë, një vizitor ka gjëra interesante dhe të rëndësishme për të parë në Kosovë, thotë Arsim Rexhepi, drejtues i kompanisë Balkan Destination, e cila ofron shërbime në industrinë e turizmit në të gjitha vendet e Ballkanit.
“Ne kemi shumë pika të rëndësishme për vizitorët që vijnë në Kosovë, duke filluar me muzetë, pjesët arkeologjike, xhamitë, kishat, manastiret e vende të tjera turistike”, thotë ai.
Kosova është e ndarë në pesë rajone turistike: rajoni qendror i Prishtinës; rajoni turistik i Alpeve Shqiptare - Bjeshkët e Nemuna; rajoni turistik i Sharrit; rajoni turistik i Anamoravës dhe rajoni turistik i Mitrovicës.
Brezovica, Malet e Sharrit, Gryka e Rugovës, Shpella e Gadimes, Ujëvara e Mirushës, Burimi i Drinit të Bardhë, Prevalla dhe disa monumente kulturore janë destinacione të njohura turistike.
Janë disa festivale, si: Dokufest, Festivali Ndërkombëtar i Dokumentarit dhe Filmit të Shkurtër, Skena UP, Prishtina Film Festival dhe Freedom Festival, që po ashtu tërheqin turistë.
Ueb-faqja zyrtare Vizito Kosovën i përmbledh të gjitha destinacionet në një vend, që duken të përshtatshme për stinë të ndryshme të vitit.
SHIKONI EDHE: Turistët u kthehen maleve të KosovësPor, pavarësisht llojshmërisë së destinacioneve, përfaqësues të organizatave që merren me promovimin e turizmit në Kosovë, thonë se ky sektor nuk është zhvilluar sa duhet.
Rexhepi thotë se turizmi ka potencial që të kontribuojë në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
“Qeveritë tona - secila e ka pasur gojën plot turizëm, mirëpo nuk ka bërë asgjë për turizëm”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Institucionet për turizmin
Qeveria aktuale e Kosovës, e cila ka marrë detyrën në mars të vitit të kaluar, e ka zhvillimin e sektorit të turizmit pjesë të programit qeverisës për vitet 2021-2025.
Fokus i veçantë vihet mbi turizmin malor, përfshirë: resorët e skijimit, rritjen e kapaciteteve akomoduese e njerëzore dhe përmirësimin e infrastrukturës përkatëse.
Digjitalizimi i destinacioneve turistike është po ashtu pikë e programit qeverisës.
Më 19 maj, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin e ri për turizmin, i cili, siç thuhet, përcakton parimet, standardet dhe rregullat bazë për zhvillimin dhe promovimin e turizmit të qëndrueshëm në Kosovë.
Sipas deputetëve, ligji do të zhvillojë pako të ndryshme turistike, do të rregullojë veprimtarinë e turizmit dhe do të sjellë përfitime për ekonominë.
Me ligjin e ri, po ashtu, është thënë se pritet të rritet numri i turistëve në Kosovë.
Sipas Qeverisë, është paraparë edhe krijimi i një strategjie për zhvillimin e turizmit, e cila, siç është paralajmëruar nga Ministra e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, është në proces të finalizimit.
Udhëheqësja e kësaj ministre, Rozeta Hajdari, ka marrë pjesë në dy panaire të turizmit, të organizuara gjatë muajit maj në Prishtinë, ku ka thënë se institucionet janë duke punuar edhe në krijimin e brendit të turizmit të Republikës së Kosovës.
Brendi i turizmit ka për qëllim identifikimin sa më të mirë të Kosovës si destinacion turistik.
“Kosova ka potencial të jashtëzakonshëm në zhvillimin e sektorit të industrisë së turizmit, i cili është prioritet kryesor [dhe] me anë të të cilit promovohen vlerat dhe trashëgimia e pasur kulturore dhe thesaret natyrore”, ka thënë Hajdari.
Disa komuna në Kosovë, turizmin e kanë pjesë të planeve të tyre strategjike të zhvillimit.
Your browser doesn’t support HTML5
Blerta Haxhi Begolli, nga Drejtoria për zhvillim ekonomik në Pejë, thotë se ky rajon ka një potencial të madh të turizmit.
Ajo thotë se, brenda vitit, mbi 13 mijë vizitorë të huaj vizitojnë Pejën, e cila shtrihet në rajonin e Rugovës, në pjesën lindore të Bjeshkëve të Nemuna.
“Ne promovojmë turizmin natyror dhe kulturor... Vizitorët janë më së shumti nga vendet evropiane. Një vizitor në rajonin e Pejës mundohemi ta mbajmë dy ditë, një ditë viziton qytetin e Pejës - trashëgiminë kulturore - dhe pastaj në Rugovë”, thotë ajo.
Hoti: Turizmi i Kosovës në paketën evropiane të turizmit
Kryetari i Unionit të Turizmit në Kosovë, Baki Hoti, thotë se pas rregullimit të pjesës ligjore, investimet duhet të bëhen në infrastrukturën e turizmit në përgjithësi.
Për të pasur më shumë vizitorë, sipas tij, duhet pasur partneritete me shtete të rajonit dhe më gjerë.
“Ne, si Union i Truizmit të Kosovës, jemi duke punuar që turizmi i Kosovës dhe paketa e turizmit të përfshihen në një paketë evropiane të turizmit. Në mund t’i sjellim për një ditë apo dy ditë vizitorët nga Shqipëria, nga vendet rreth Ballkanit, por vizitorët nga shtetet e largëta, si nga Amerika apo vendet aziatike, nuk vijnë për ta vizituar Kosovën për dy ditë... Dy ditë, ata bëjnë vetëm rrugë”, thotë Hoti për Radion Evropa e Lirë.
Nëse Kosova arrin të përfshihet në ndonjë paketë evropiane, kjo, sipas tij, do të bënte që turistët e largët, në mesin e destinacioneve në Evropë ose Ballkan të kenë edhe Kosovën.
Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2021, Kosova ka pasur 367,925 vizitorë me 567,419 net qëndrimi.
Ndërkaq, sipas të dhënave të fundit për muajin shkurt, 2022, numri i vizitorëve ka qenë 27,739 - prej tyre 44.92 për qind kanë qenë vendorë dhe 55.08 për qind të huaj.
Numri më i madh i vizitorëve të huaj përqendrohet në Prishtinë, Prizren, Pejë dhe vende të tjera, ndërsa numri më i madh i tyre vjen nga Shqipëria, Gjermania dhe Zvicra.
Sipas shoqatave të turizmit, një vizitë dyditore në Kosovë një turisti i kushton nga 100 deri në 150 euro.