Posta e Kosovës e zhytur në borxhe, premtohet zgjidhje e shpejtë

Fotografi nga arkivi.

Protestat dhe grevat e punëtorëve të Postës së Kosovës po shpërfaqin gjendjen e rëndë financiare me të cilën po përballet kjo kompani.

Posta e Kosovës është ndërmarrje publike. Por, ka dy ditë që nuk kryen asnjë shërbim postar, për shkak se punëtorët e të gjitha filialeve në tërë terrorin e Kosovës kanë hyrë në grevë, ngase atyre nuk u janë ndarë pagat për këtë muaj.

Borxhi aktual i Postës se Kosovës është rreth 5 milionë euro, tha në një konferencë të jashtëzakonshme për media, kryeshefi i kësaj kompanie, Sejdi Hoxha.

Ai ka treguar se vetëm Telekomi i Kosovës i ka borxh Postës rreth 350 mijë euro.

Kurse rreth 4 milionë euro, është thënë se janë humbje nga shërbimi universal postar.

“Ne ofrojmë një shërbim që me 0.40 cent e ofrojmë një dërgesë postare nga Prishtina në Dragash. Postën e obligon ligji të përfundojë këtë shërbim, por i njëjti ligj e obligon edhe Qeverinë e Kosovës që të mbulojë humbjet nga shërbimi universal postar”, u shpreh Hoxha.

SHIKONI EDHE: Greva shpërfaq gjendjen e rëndë financiare të Postës së Kosovës

Hoxha tha se i gjithë dokumentacioni i nevojshëm dhe kriteret ligjore deri më tani janë plotësuar dhe janë adresuar në Qeveri për mbulimin e humbjeve.

“I gjithë dokumentacioni ka shkuar në Qeverinë e Kosovës dhe tashmë po presim që Qeveria të reflektojë, mos të mbesin punëtorët pa paga, si e drejtë e tyre themelore. Mos të kemi bllokada në bërjen e punës në formë normale, sepse çdo situatë e tillë krijon një klimë jo të mirë në ndërmarrje, një imazh jo të mirë për ndërmarrje. Dhe natyrisht e dëmton edhe afarizmin tonë për të ardhmen, pasi kemi krijuar qindra shërbime të reja në zyrat tona postare dhe nuk është e lehtë të përballemi me greva të tilla”, theksoi Hoxha.

Ministria e Zhvillimit Ekonomik është duke shqyrtuar të gjitha ankesat e Postës së Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, ministri Valdrin Lluka.

Ai tha se vetëm në javën e parë të muajit tetor pritet të ndahet një pjesë e shumës së mjeteve të nevojshme për të larguar nga kriza përkohësisht këtë kompani.

“Unë personalisht jam kundër subvencioneve dhe jemi duke punuar në vazhdimësi që ta zhvillojmë një sistem më të qëndrueshëm, t’i ndihmojnë Postës që të rrisë qarkullimin përmes aktiviteteve shtesë, siç janë pagesat e skemave sociale, pagesat e ndryshme që mund të bëhen përmes Postës”, tha Lluka.

Përveç punëtorëve të Postës se Kosovës të cilët kanë hyrë në grevë, edhe punëtorët Distribucionit të Furnizimit me Energji Elektrike (KEDS), të hënën kanë zhvilluar protestë duke kërkuar rritjen e pagave, në të kundërtën edhe ata kanë paralajmëruar grevë, duke ndërprerë furnizimin me energji elektrike.

Në anën tjetër, zyrtarë të KEDS-it më anë të një komunikate për media kanë thënë se “KEDS është kompani që vepron nën rregullativa të Zyrës se Rregullatorit të Kosovës dhe për këtë arsye çdo shpenzim, përfshirë edhe shpenzimet e beneficioneve të punëtorëve, duhet të jenë të aprovuara nga Rregullatori”.