Porti i Detit të Zi që mund t’ia përcaktojë të ardhmen gjeopolitike Gjeorgjisë

Porti gjeorgjian i Anaklias nga kulmi i Hotel Anaklia.

Gjatë 20 vjetëve sa Data Gabelia ka punuar në Anaklia Hotel, ai i ka parë pasuritë e qytetit turistik të Detit të Zi, i cili i ka 1.500 banorë, duke u rritur dhe zvogëluar.

Në vitet 2000, ai ishte dëshmitar i derdhjes së parave në Anaklia, pasi presidenti i asaj kohe, Mikheil Saakashvili, synonte ta shndërronte atë në një destinacion kryesor për pushime, në përpjekje për ta zhvilluar vendin.

Pasi Saakashvili e humbi pushtetin në vitin 2012, qeveria e re e braktisi planin e guximshëm për Anaklian, duke i lënë mbrapa plot struktura gjysmë të ndërtuara dhe i braktisi hotelet dhe restorantet buzë plazhit.

Që prej atëherë, qyteti nuk ka qenë shumë serioz, pasi e shndërroi veten në një vend ahengjesh për pushuesit e Detit të Zi, duke mbajtur festivale të muzikës dhe shfrenimit veror. Por, të gjithë ata janë zhvendosur tanimë – duke e braktisur qytetin e Gjeorgjisë perëndimore.

“Gjatë kohës sa unë kam qenë këtu, më duket se gjërat po lëvizin mbrapa, jo përpara”, tha Gabelia për Radion Evropa e Lirë.

Data Gabelia duke shikuar nga dritarja e korridorit të Hotelit Anaklia, ku punuar në 20 vjetët e fundit.

Por tani, Anaklia mund të jetë duke e krijuar një identitet të ri, këtë herë si një vend i pagjasë për intrigë gjeopolitike e cila mund ta vërë Gjeorgjinë në epiqendër të garës globale për infrastrukturë dhe rrugë të tregtisë.

Kjo pasi Qeveria e ka ringjallur planin ambicioz dhe kontrovers për ta ndërtuar një port në mes të detit në Anaklia, për shkak të rritjes së interesimit në tregtinë ndërkombëtare, pas pushtimit të Ukrainës nga Moska, ku sanksionet e Perëndimit ndaj Rusisë – vendit i cili është rruga kryesore për shumicën e tregtisë transkontinentale – bënë që kompanitë për transportimin e mallrave dhe qeveritë të kërkonin rrugë të reja.

Nëse plani do të jetë i suksesshëm, do të mundë t’ia revolucionojë rolin e Gjeorgjisë si pikë kyçe e transitit mes Evropës dhe Azisë.

E ardhmja e këtij projekti të madh është mbërthyer edhe nga një debat kontrovers politik në shtëpi dhe nga një zënkë gjeopolitike jashtë vendit për atë se kush duhet ta ndërtojë atë. Kjo mund të prodhojë mospajtime të mëdha për Tbilisin, i cili është në kërkim ta fitojë statusin e kandidatit për Bashkim Evropian, dhe e ka brengosur Brukselin duke ndërtuar marrëdhënie më të ngushta me Rusinë në vitet e fundit, derisa është kthyer kah kompanitë kineze për ta ndërtuar infrastrukturën në shkallë të lartë, po ashtu.

Ankandi është hapur dhe Anaklia mund të bëhet tani tregues i rëndësishëm për të vendosur nëse Gjeorgjia do ta vazhdojë rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në Perëndim, apo të zgjedhë për të lidhur marrëdhënie më të ngushta me Rusinë dhe Kinën.

“Ne ndodhemi në një moment anormal të rrezikut gjeopolitik përreth Detit të Zi [për shkak të] pushtimit rus”, tha për Radion Evropa e Lirë Romana Valhutin,ish e dërguara e posaçme e BE-së për strategjinë e lidhjeve.

“Është e vështirë të planifikosh për diçka kur gjërat janë kaq të avullueshme, por ne e dimë se çfarë nuk bëjmë ne, e bëjnë të tjerët”, shtoi ajo.

Alternativa kryesore për ta shmangur transitin përmes Rusisë është përmes të ashtuquajturit “Korridori i Mesëm”, i cili e lidh Kinën dhe vendet e Azisë Qendrore me Evropën përmes Gjeorgjisë dhe Azerbajxhanit.

Për këtë rrugë interesim të madh ka shfaqur edhe Brukseli, i cili është duke kërkuar ta financojë ndërtimin e infrastrukturës strategjike që përjashton Rusinë nga rrjetet e saj të tregtisë dhe që do të garonte me Iniciativën e Kinës “Një Brez, Një Rrugë”, një projekt global i zhvillimit në vlerë qindra miliarda dollarë, të cilin Pekini e ka përdorur për ta ndërtuar infrastrukturën dhe për ta rritur ndikimin.

“Nëse Brukseli është serioz për ta bërë të mundur Korridorin e Mesëm, atëherë nuk mund ta bëjë këtë pa Anaklian”, tha Vlahutin.

Skandal dhe Vështirësi për Anaklian

Lokacioni strategjik i Gjeorgjisë në cepin lindor të Detit të Zi ka bërë që të jetë vërtet vendimtar për nisjen e Korridorit të Mesëm dhe e ka çuar lidhshmërinë në krye të agjendës së politikave të jashtme të vendit.

Por, Gjeorgjia ka mungesë të infrastrukturës së cilësisë së lartë, e cila s’e ka lejuar deri tani ta shfrytëzojë potencialin për transit, me pritje të gjata të kampionëve në kufijtë e saj dhe me portet në Batumi dhe Poti që punojnë me kapacitet të plotë, pasi tregtia përmes rrugës është rritur shpejt që nga viti 2022.

Kjo ka bërë që organizatat si, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Banka Botërore të paralajmërojnë se pa një port në mes të detit në Gjeorgji – i cili mund të mundësojë që anijet më të mëdha të transportojnë vëllime të mëdha me ritëm më efikas – as Gjeorgjia e as Korridori i Mesëm nuk do të jenë konkurrues si rrugë për tregtinë globale.

Pas këtij vlerësimi, Qeveria e Gjeorgjisë nisi të flasë për ringjalljen e projektit në vitin 2022. Kryeministri Irakli Garibashvili, i cili u kthye në pushtet më 2021 për mandatin e dytë si shef i Qeverisë, tha se ndërtimi i portit në Anaklia është “prioriteti kryesor dhe ambicioz” i Qeverisë së tij, si dhe bëri thirrje për aplikim për një projekt të ri rrugor në fillim të këtij viti, duke thënë se Qeveria do t’i gëzonte 51 për qind aksione.

Golden Fleece hotel u ndërtuar për t'i mirëpritur turistët në plazhet e Anaklias në Detin e Zi, por nuk punon më dhe ka mbetur i braktisur.

Ky vendim i zuri në befasi disa vazhdues, duke qenë se një tentim i mëparshëm i një konsorciumi mes bankës së Gjeorgjisë, TBC, dhe Conti International me bazë në SHBA, për ndërtimin e një porti në mes të detit në Anaklia, ishte anuluar nga Qeveria në vitin 2020, pasi ishte zhytur në polemika për disa vite.

Konsorciumi ishte themeluar më 2017 nga një bankier i shndërruar në politikan opozitar, Mamuka Khazaradze, i cili e themeloi Lelon për Gjeorgjinë në vitin 2019. Pak pas kësaj, u ngrit aktakuzë për shpëlarje parash ndaj tij dhe ndaj partnerit të tij, Badri Japaridze, i cili bashkë me të e themeloi TBC-në – bankën më të madhe të Gjeorgjisë.

Pas akuzave, investitori amerikan u tërhoq dhe projekti u pezullua derisa Qeveria vendosi ta anulojë tërësisht kontratën për ndërtimin e portit në vlerë 2.5 miliardë dollarë. Më 2022, Khazaradze dhe Japaridze u shpallën fajtorë për mashtrim nga një gjykatë, por që të dy u liruan pa u përballur me burgim.

Khazaradze pretendoi se autoritetet po tentonin ta sabotonin projektin dhe se çështja kryesore rreth mospajtimeve ishte një konflikt personal mes tij dhe Bidzina Ivanishvilit, ish-kryeministrit miliarder, i cili e udhëhoqi Partinë e Ëndrrave të Gjeorgjisë që ka qenë në pushtet që nga viti 2012.

Mamuka Khazaradze.

Pati thashetheme, po ashtu, nëpër mediat gjeorgjiane se Rusia i kishte bërë trysni Tbilisit për ta anuluar projektin, sepse Moska nuk do ta mirëpriste një port të mbështetur nga një kompani amerikane në Detin E Zi, apo një kompani e cila do të garonte kundër portit të saj në veri në Novorossiisk.

Khazaradze nuk pranoi të intervistohej nga Radio Evropa e Lirë, por ai me Qeverinë e tij është duke u përballur me akuza për pengimin e portit në një gjykatë të Arbitrazhit në Londër, të cilat i quan të nxitur politikisht. Ai ka qenë kritik i zëshëm i ringjalljes së projektit dhe beson se ka pak gjasa të tërhiqen investime të mjaftueshme, duke marrë parasysh pengesat ligjore që rasti i tij mund t’i sjellë kundër tij dhe kundër dëshirës së qeverisë për të pasur 51 për qind aksione në port.

Kush do ta ndërtojë portin e Anaklias?

Me gjithë këto polemika, ankandi për projektin e Anaklias është hapur.

Afati i fundit për t’i bërë propozimet skadoi në qershor, dhe kandidatët po vlerësohen tani, tha David Javakhadze, drejtori i Agjencisë për Zhvillim të Portit të Detit të Anaklias në Ministrisë e Gjeorgjisë për Zhvillim dhe Qëndrueshmëri Ekonomike.

“Disa kompani kanë shprehur interesim për projektin, përfshirë një konsorcium i përbërë nga disa kompani”, tha Javakhadze, i cili nuk tregoi emrat e kompanive që kanë aplikuar.

Banorët e Anaklias u zhvendosën nga kjo zonë, në mënyrë që të niste ndërtimi i portit në vitin 2018. Por, ka mbetur i zbrazët që prej atëherë, pasi u anulua plani më 2020.

Ndërtimi i portit do të zgjaste me vite të tëra dhe do të kushtojë, me gjasë, miliarda dollarë. Ndërkohë, përqendrimi është te çështja se cilat kompani do të përzgjidhen dhe se cili është vendi i tyre i origjinës.

Po del të jetë se kompanitë kineze në veçanti kanë aplikuar. Në të kaluarën, kompanitë kineze i ishin afruar konsorciumit të Khazaradzes për ndërtimin e portit dhe interesimi i tyre në Gjeorgji është rritur që nga pengesat në rrugët e tregtisë për shkak të luftës në Ukrainë.

Gjatë një interviste në fund të vitit 2022, Zhou Qian, ambasadori i Kinës në Tbilisi, tha se Anaklia është e rëndësishme për suksesin e Korridorit të Mesëm dhe se Ambasada e tij do t’i nxisë kompanitë kineze të aplikojnë.

Duket se edhe interesimi i Gjeorgjisë në Kinë po rritet, po ashtu, pasi Garibashvili i ka përmirësuar marrëdhëniet e Tbilisit me Pekinin në partneritet strategjik gjatë një vizite në Chengdu në korrik. Kjo i ka nxitur thashethemet se ndonjë firmë kineze mund të përzgjidhet për ta ndërtuar portin.

Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili, (majtas) takohet me homologun e vet kinez, Li Qiaing, në Pekin muajin e kaluar.

Një gjë e tillë do t’i kushtonte Gjeorgjisë me prishje të marrëdhënieve me Brukselin, posaçërisht në një kohë kur po e pret vendimin e BE-së për statusin e saj të kandidatit për anëtarësim në bllok, që pritet të bëhet i ditur në dhjetor.

Marrëdhëniet e Tbilisit me Brukselin dhe Uashingtonin janë dëmtuar në vitet e fundit, për shkak të rritjes së retorikes anti-Perëndim, shqetësimeve rreth sundimit të ligjit, qëndrimit neutral të Qeverisë rreth luftës në Ukrainë, thellimit të marrëdhënieve me Rusinë dhe veprimeve jodemokratike të partisë udhëheqëse Partia e Ëndrrave e Gjeorgjisë.

Në shkurt, Qeveria u përpoq ta miratojë një ligj kontrovers “agjentët e huaj”, i cili ishte kopje e një ligji të ngjashëm të miratuar në Rusi më 2012, i cili i cilësonte mediat, organizatat joqeveritare, individualët dhe organizatat e tjera të shoqërisë civile që pranonin më shumë se 20 për qind të financave të tyre nga burimet e jashtë si “agjentë të ndikimit të jashtëm”.

Qeveria u tërhoq dhe e largoi projektligjin në mars, pas protestave të vazhdueshme dhe reagimeve të ashpra ndërkombëtare, me Brukselin që tha se projektligji ishte në kundërshtim me vlerat e BE-së.

Shqetësime të ngjashme u ngritën në maj për përmirësimin e marrëdhënieve me Moskën, kur Kremlini papritmas i hoqi vizat për qytetarët gjeorgjianë dhe e hoqi ndalesën e vendosur njëanshëm ndaj fluturimeve në vitin 2019, pas një vale protestash kundër Kremlinit në Gjeorgji.

Si përgjigje, Qeveria i rifilloi fluturimet direkte me Rusinë, megjithëse marrëdhëniet ishin të prishura qëkur Moska e pushtoi Gjeorgjinë më 2008, duke bërë që Tbilisi të humbte kontrollin mbi rajonet e mbështetura nga separatistët rusë. Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha asokohe se ai vendim “ngre shqetësime për rrugën e Gjeorgjisë drejt BE-së”.

Asuncion Sanchez Ruiz, nënkryetarja e Misionit të BE-së në Gjeorgji, thotë se sprova të ngjashme testuese do të vijnë gjatë përzgjedhjes së fituesit për ndërtimin e portit në Anaklia. Projekti është përzgjedhur brenda Global Gateway, strategjisë të financimit infrastrukturor të Brukselit, dhe Ruiz thotë se BE-ja ka një dëshirë të madhe që firmat evropiane të përfshihen në këtë port.

“Gjeorgjia ka aplikuar në BE dhe kushdo që të jetë investitori i huaj, ne duhet të sigurohemi se do të jenë në përputhje me marrëveshjen [BE-Gjeorgjia]”, tha Ruiz duke iu referuar marrëveshjes së vitit 2016, e cila i mundësonte Gjeorgjisë qasje në disa sektorë të Tregut të Vetëm Evropian, si dhe udhëtimit pa viza të gjeorgjianëve në bllok.

“Nëse ajo që përzgjidhet nuk është në përputhje me BE-në, një klub të cilit dëshiron t’i bashkohet Gjeorgjia, atëherë kjo duhet të na tregojë neve për drejtimin në të cilin po shkon kjo Qeveri”, tha ajo.

Shpresa të mëdha dhe ëndrra të shkatërruara

Përveç palmave që e pikëzojnë Anaklian dhe trotuaret prej druri që duhej ta paraqisnin këtë vend si destinacion bregdetar, shenjat e një tentimi të dështuar për ta ndërtuar portin e parë brenda detit në Gjeorgji mund të shihen ende në qytet.

Maya Svanidze, një banore 60-vjeçare e Anaklias, e cila e udhëheq një shtëpi banimi për turistët e verës, e mban në mend optimizmin që e kaploi qytetin, për shkak të premtimeve të mëdha për vende të reja të punës dhe zhvillim me projektin ambicioz.

Maya Svanidze duke ecur në hyrje të terrenin e portit të mundëshm të Anaklias.

Si shumë banorë në cepin jugperëndimor të Anaklias, Qeveria i kishte ofruar asaj para për ta shitur shtëpinë për punën operative për portin. Svanidze i pranoi paratë, për të cilat tha ishin të mjaftueshme për t’u zhvendosur dhe për ta blerë një shtëpi vetëm pak minuta më larg. Ajo u zhvendos atje me familje më 2018.

Pasi toka u gërrye, dheu dhe rëra u grumbulluan në një vend, zona e ndërtimit u rrethua me gardh. Pastaj gjithçka ndaloi, por rëra mbeti.

Që prej atëherë, rëra është bërë një bezdi e madhe për vendorët, pasi erërat e detit e shpërndajnë atë rregullisht nëpër shtëpitë, drenazhet dhe veturat e atyre që jetojnë afër.

Palmët dhe një urë e këmbësorëve që u ndërtua në pritje të një fluksi me turistë.

Svanidze dhe të tjerët e kanë ngritur këtë çështje para zyrtarëve, por grumbujt e rërës kanë mbetur.

“Do të isha e lumtur nëse ky port ndërtohet dhe kjo rërë dhe ky pluhur zhduket përfundimisht. Por ka pasur premtime në të kaluarën, të cilat nuk janë përmbushur. Prandaj, do ta besoj kur ta shoh me sy”, tha ajo.

Ndërkohë, projekti për Anaklian po përballet me konkurrencë edhe nga Poti, porti më i madh i vendit që momentalisht shërben si vendi kryesor për tregtinë ndërkombëtare të Gjeorgjisë.

APM Terminals, operatori me bazë në Holandë i portit në Poti, njoftoi për planet për ta dyfishuar kapacitetin dhe për të lejuar futjen e anijeve më të mëdha.

Ai është në fazën finale të bisedimeve me Qeverinë për zgjerimin e portit, i cili mund ta rrisë kapacitetin e Potit dhe zhbllokimin e ngushticës së tanishme të furnizimit, megjithëse hyrja e tij e ngushtë mund ta kufizojë prapëseprapë numrin e anijeve krahasuar me planet për Anaklian.

APM Terminals nuk i është përgjigjur kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment.

Roman Gotsiridze, deputet opozitar nga Lëvizja Kombëtare e Bashkuar, thotë se është e paqartë nëse Gjeorgjia do të kishte nevojë për të dy projektet, edhe me rritjen e tregtisë përgjatë Korridorit të Mesëm.

Prandaj, thotë ai, është përqendruar në muajt e fundit për të marrë përgjigje nga Qeveria për projektin e Anaklias dhe për të bërë trysni për një hetim formal për publikimin e më shumë hollësive rreth planit.

Por përpjekjet e tij nuk kanë dhënë shumë. Ai thotë se Qeveria ka ngurruar të përgjigjet ndaj pyetjeve të opozitës për portin dhe, në disa raste, ka gjetur arsyetime për ta shmangur shkuarjen në Parlament, apo thjesht nuk është paraqitur për periudhën e pyetjeve që është detyrim me kushtetutë.

Ndërkohë, ai thekson se do ta vëzhgojë nga afër procesin e tenderimit për të parë se cilat aplikacione shtyhen përpara.

“Shqetësimi im është se kompanitë nga Perëndimi nuk do të përzgjidhen dhe do të jetë ndonjë kompani nga ndonjë vend, e cila mund të arrijë ndonjë marrëveshje me Rusinë”, tha Gotsiridze.

“Kina, një vend i Gadishullit [Persian], apo një kombinim mes tyre, janë mundësitë [për t’u përzgjedhur]”.

Përgatiti: Ekrem Idrizi