Bashkimi Evropian e intensifikoi luftën për sundim të ligjit në Poloni më 5 qershor, kur gjykata më e lartë e bllokut evropian e konfirmoi se Varshava nuk i kishte respektuar rregullat e BE-së për pavarësi të gjyqësorit.
Lidhur me këtë akuzë, Polonia, anëtare e BE-së, tashmë ka humbur mbi gjysmë miliardë euro në gjoba.
Gjykata Evropiane e Drejtësisë vendosi të hënën se reforma e drejtësisë e Polonisë e vitit 2019 ka shkelur ligjin e BE-së pasi Komisioni Evropian, dega ekzekutive e bllokut evropian, pretendoi se Gjykatës së Lartë polake i mungonte pavarësia dhe paanësia.
“Me vendimin e sotëm, Gjykata e lë në fuqi veprimin e Komisionit”, thuhet në një deklaratë të Gjykatës Evropiane të Drejtësisë.
SHIKONI EDHE: Gjykata e BE-së miraton kushtëzimin e fondeve me sundimin e ligjitMosmarrëveshjet mes Polonisë dhe Bashkimit Evropian lidhur me reformat gjyqësore në Poloni ka kohë që kanë filluar.
Më 27 tetor të vitit 2021, Gjykata Evropiane e Drejtësisë kishte vendosur që Polonia t’i paguante një milion euro në ditë për shkak se refuzoi ta pezullojë funksionin e Dhomës Disiplinore të Gjykatës së Lartë.
SHIKONI EDHE: Gjykata Evropiane vendos që Polonia të paguajë 1 milion euro në ditëMosmarrëveshjet mes BE-së dhe Polonisë u shtuan në tetor të vitit 2021, kur Gjykata Kushtetuese e Polonisë vendosi që të hedhë poshtë parimin e përparësisë së ligjit të BE-së mbi legjislacionin kombëtar, në çështje të caktuara gjyqësore.
Gjykata Kushtetuese kishte thënë se disa nene të traktatit të BE-së nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Polonisë. Dhe, sipas saj, gjykatësit polakë nuk duhet ta përdorin ligjin e BE-së për të vënë në dyshim pavarësinë e kolegëve të tyre.
Vendimi shkaktoi një kundërshtim të ashpër nga Brukseli dhe zyrtarë të lartë të BE-së i kujtuan Polonisë se "një nga shtyllat e BE-së është përparësia e ligjit të BE-së".