Polonia do ta mbyllë konsullatën ruse në qytetin e saj perëndimor, Poznan, për shkak të dyshimeve se ka pasur përpjekje ruse për sabotazh, ka thënë ministri i Jashtëm polak, Radoslaw Sikorski.
Moska ka thënë se do të hakmerret kundër këtij vendimi, ka raportuar agjencia ruse e lajmeve RIA.
Polonia ka thënë se roli i saj si shtet, që shërben si qendër për transportimin të pajisjeve ushtarake në Ukrainë, e ka bërë atë shënjestër për spiunazh rus dhe akte spiunazhi.
Vendimi për të mbyllur konsullatën është marrë pas një vendimi të një gjykate polake, që përfshin një 51-vjeçar ukrainas, i cili është akuzuar se ka planifikuar t’i vë zjarrin një fabrike në qytetin polak, Vrocllav.
E përditshmja Gazeta Wyborcza ka raportuar javën e kaluar se prokurorët kanë arritur marrëveshje që i dyshuari të dënohet me tre vjet burgim.
Mirëpo, një gjykatë në Vrocllav e ka hedhur poshtë marrëveshjen, duke thënë se është shumë e butë.
Rasti tani pritet të kthehet në rigjykim.
“Gjykata beson se ka dëshmi të fuqishme për një tentim sabotazhi dhe inteligjenca e jashtme ka qenë mbrapa këtij sabotazhi”, u ka thënë Sikorski gazetarëve.
SHIKONI EDHE: Shtetet baltike dhe Polonia kërkojnë fonde nga BE-ja për mbrojtje kufitare“Si ministër i Jashtëm, kam informacione se Federata Ruse është mbrapa tentimeve për sabotazh në Poloni dhe shtetet tjera. Në lidhje me këtë, ne i kemi tërhequr lejen konsullatës ruse në Poznan”.
Agjencia ruse e lajmeve, RIA, e ka cituar zëdhënësen e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova të ketë thënë se ky është një tjetër “hap armiqësor”, dhe është zotuar për përgjigje “të dhimbshme”.
Zyrtarët perëndimorë besojnë se operativë të paguar nga Rusia janë mbrapa disa krimeve që kryhen nëpër Evropë, përfshirë zjarrvënie nëpër fabrika dhe infrastrukturë kritike, për sulme fizike dhe madje komplot për vrasje të shefit të kompanisë më të madhe gjermane për prodhim të armëve.
Rusia, në anën tjetër, mohon vazhdimisht çdo përfshirje.