“Shumë polakë vijnë për t’u njohur me bjelloruse”: Interesim i madh për kurset e emigrantëve

Natalka Hapanovich, inxhiniere bjelloruse në Poloni.

“Kur u zhvendosa në Varshavë menjëherë dëshiroja të gjeja bashkëkombës të mi bjellorus”, tha Natalka Hapanovich, një inxhiniere bjelloruse që u largua nga Minsku në dritë të shtypjes brutale pas zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të shtetit të vitit 2020.

Hapanovich është bashkëthemeluese e Shkollës së Kulturës Tradicionale Bjelloruse në Varshavë. Ajo tregoi për Shërbimin Bjellorus të Radios Evropa e Lirë se si u themelua organizata një vit më parë.

Marshi i bjellorusëve në Varshavë më 9 gusht 2023, në trevjetorin e zgjedhjeve të diskutueshme presidenciale të Bjellorusisë.

“Ne nisëm të njiheshim me bjellorusë të tjerë gjatë tubimeve [të bjellorusëve në Varshavë që protestonin kundër dhunës në shtetin e tyre]. Më pas shkova në një ngjarje të organizuar për Krishtlindje nga emigrantët. I takova disa vajza aty dhe pasi përfundoi ndeja, ne qëndruam dhe dëgjuam muzikë dhe u krijua një komunitet shumë i ngrohtë”.

Përderisa Hapanovich dhe të tjerët kënduan dhe vallëzuan në këtë ndejë, atyre iu bashkuan muzikantët duke lozur këngë tradicionale me gajde.

Gajde tradicionale bjelloruse.

Në atë moment, tha Hapanovich, “ne vendosëm: ‘Le të hapim një shkollë’. Dhe ne filluam të kishim ndjekës... Njerëzit dëshironin që në mënyrë vullnetare të na ndihmonin”.

Shkolla, e cila mëson këndimin bjellorusisht, kërcënimin, prodhimin e rrobave dhe si të luhet me gajdet tradicionale të shtetit, u hap më 11 shtator 2022. “Shpresoj t’u sjellim gëzim njerëzve”, tha Hapanovich.

Mbi 50.000 bjellorusë janë rezidentë në Poloni. Kjo shifër është dyfish me bjellorusët që jetonin në këtë shtet që nga viti 2020.

Pesë vullnetarë punojnë në organizimin e shkollës. “Ne këtë punë e bëjmë në kohë të tillë”, tha Hapanovich për REL-in.

“Gjëja më e vështirë është se ne shpesh jemi të lodhur. Unë kam shumë dëshirë që t’i bëj të gjitha këto, por kam pak energji pas punës. Por, disi ne e mbështesim njëri-tjetrin dhe tentojmë t’i koordinojmë gjërat”.

Kursi i vallëzimeve tradicionale bjelloruse në Varshavë.

Hapanovich tha se polakët janë veçanërisht të interesuar për kurset e vallëzimit.

“Shumë djem vijnë të vallëzojnë tani, edhe për t’u njohur me njëri-tjetrin, por edhe për të gjetur vajza bjelloruse. Kur polakët vijnë ata thonë: ‘Oh, wow, nuk e kemi ditur se kështu janë vallëzimet bjelloruse. Mendonim se vetëm rrotullohesh disa herë dhe aq, por në fakt ajo janë shumë të ndërlikuara...’ Vallëzimet tradicionale polake, sikurse mazurka, janë më të thjeshta në kuptimin e lëvizjeve, prandaj vallëzimet tona janë shumë interesante [për vizitorët polakë të shkollës]”.

Kurset e këndimit, tha ajo, për disa shërbejnë si terapi.

“Këndimi, veçmas i këngëve folklorike, i ofron një lloj lehtësimi trupit, veçanërisht ul tensionin”, pretendoi Hapanovich.

Lidhur me atë se nëse është i nevojshëm talenti apo njohuritë paraprake për këndim dhe vallëzim, bashkëthemeluesja e shkollës tha se “ju duhet të keni vetëm dëshirë. Ende nuk kam takuar ndonjë bjellorus që nuk di të vallëzojë apo të këndojë keq. Të gjithë mund të këndojnë, të gjithë kanë mundësi të mësojnë të vallëzojnë. Ne nuk synojmë të fitojmë asnjë garë apo të trajnojmë në mënyrë profesionale. Qëllimi ynë është vetëm të mbështesim traditat tona”.

Një rrip tradicional bjellorus. Nxënësit e shkollës në Varshavë mësojnë se si të bëjnë edhe veshje tradicionale të Bjellorusisë.

Kurset mbahen me një buxhet të vogël. Në kurset për gajde, studentët i marrin me vete instrumentet e tyre, ose mund të përdorin me radhë gajdet e instruktorëve. Në kursin e mësimit për prodhimin e rrobave, studentët sjellin materialin të cilin mësojnë si ta presin dhe të qepin bluza, funde dhe rripa tradicionalë bjellorusë.

Kurset mbahen në një muze të Varshavës, pasi shkolla ende nuk ka një objekt të sajin.

“Ne kemi plane që të sigurojmë një hapësirë tonën dhe të ofrojmë materiale për studentët, por për këtë na duhen financa”, tha Hapanovich. “Kemi aplikuar për disa grante, por deri më tani nuk kemi pasur sukses që të përfitojmë ndonjë grant. Por, ne po qëndrojmë pozitivë, shoqatat bjelloruse dhe polake po na ndihmojnë shumë”.

Natalka Hapanovich në Varshavë.

Kjo punë e papaguar, tha Hapanovich, ja vlen kur ajo sheh se sa pozitivitet u jep njerëzve të tjerë.

“Sikurse unë, ata vijnë këtu të lodhur nga puna dhe janë të stresuar dhe pasi vallëzojnë për dy orë, ju mund të ktheheni në shtëpi të kënaqur, dhe të gjitha shqetësimet tuaja zhduken”.

“Nuk e kam pritur se do të ndodhë kjo, por ndihem se sa më shumë zhytem në kulturën bjelloruse, aq më shumë më jep forcë”, tha ajo.

“Ne na ishte thënë se kultura bjelloruse është e shëmtuar, e papërshtatshme, dhe ne nuk na duhet. Por, kur filloni të thelloheni dhe ta kuptoni se kush jeni, kush ishin paraardhësit e tu, familjarë, çfarë mund të bënin dhe çfarë arritën. Kjo më jep forcë”.

Përgatiti: Mimoza Sadiku