Polonia dërgon ushtarë pranë kufirit me Bjellorusinë

Në këtë pamje satelitore të marrë nga Planet Labs PBC, shihet një kolonë e gjatë me dhjetëra automjete në një ish bazë ushtarake në Bjellorusi, pranë kufirit me Poloninë, 17 korrik 2023.

Polonia ka vendosur të zhvendosë formacionet ushtarake nga perëndimi në lindje të vendit për shkak të kërcënimeve të mundshme që lidhen me praninë e grupit mercenar Wagner në Bjellorusi, ka thënë sekretari i komitetit të sigurisë së vendit, Zbigniew Hoffmann, të premten.

Rritja e vigjilencës së Polonisë vjen pas njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes bjelloruse se mercenarët nga Wagner do të ndihmojnë në trajnimin e forcave speciale bjelloruse gjatë stërvitjeve në një poligon ushtarak pranë kufirit me Poloninë, e cila është anëtare e NATO-s.

Në një video të publikuar të mërkurën, Yevgeny Prigozhin, kreu i grupit mercenar Wagner, u pa duke mirëpritur luftëtarët e tij në Bjellorusi.

SHIKONI EDHE: Polonia thotë se po monitoron situatën në kufirin me Bjellorusinë

Fati i trupave të Wagner-it ka qenë i paqartë që kur Prigozhin udhëhoqi një rebelim jetëshkurtër në 23-24. qershor, që ishte kërcënimi më i madh për qeverisjen 23-vjeçare të presidentit rus Vladimir Putin.

Sundimtari autoritar i Bjellorusisë dhe një aleat i ngushtë i Putinit, Alexandar Lukashenka, u përfshi në negociatat për t'i dhënë fund rebelimit duke rënë dakord me Prigozhinin dhe presidentin rus për t'i dhënë strehim grupit Wagner dhe liderit të tyre në Bjellorusi.

Disa ditë pas deklaratës së Lukashenkos, tenda u shfaqën në fshatin lindor të Selit.

Sipas një analize të imazheve satelitore nga Schemes, një projekt hulumtues i Radios Evropa e Lirë, vlerësohet se në afërsi të kampit të tendës ndodhen të paktën 485 automjete.

Asnjë pajisje e rëndë ushtarake nuk është e dukshme.

SHIKONI EDHE: Wagner trajnon forcat bjelloruse

Një ditë më parë, Ministria e Mbrojtjes e Polonisë ka thënë se po monitoron situatën në kufirin me Bjellorusinë dhe është e përgatitur për skenarë të ndryshëm.

“Kufijtë e Polonisë janë të sigurt, ne po monitorojmë situatën në kufirin tonë lindor në mënyrë të vazhdueshme dhe jemi të përgatitur për skenarë të ndryshëm”, tha ministria e Mbrojtjes në një deklaratë të dërguar me email agjencisë së lajmeve Reuters.

Trupat e Wagner-it luajtën një rol kyç në pushtimin rus të Ukrainës, duke ndihmuar në kapjen e pjesëve kryesore të qytetit të Bakhmut pas gati dhjetë muaj luftimesh intensive.

Prigozhin tha se ai humbi 20 mijë burra gjatë operacionit në Bakhmut.