Aktivisti politik opozitar nga Rusia, Vladimir Kara-Muza, i cili u lirua nga një burg rus muajin e kaluar në këmbimin e madh të të burgosurve mes Rusisë dhe Perëndimit, thotë se autoritetet në Mongoli duhet “patjetër ta arrestojnë” presidentin Vladimir Putin, gjatë vizitës së tij në shtetin e Azisë lindore.
Putini kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP), të cilës Mongolia iu bashkua më 2003, për dëbimin dhe dërgimin e jashtëligjshëm të fëmijëve nga pjesë të pushtuara të Ukrainës në Rusi.
Putini mbërriti në kryeqytetin e Mongolisë, Ulan Bator, mbrëmjen e 2 shtatorit, për vizitën e tij të planifikuar, e cila përfshin edhe pjesëmarrjen e tij më 3 shtator në një ceremoni për shënimin e fitoreve në betejat sovjetike dhe mongole në Luftën e Dytë Botërore.
“Sa i përket Gjykatës Ndërkombëtare Penale, sa i përket Statutit të Romës, sa i përket ligjit ndërkombëtar, Vladimir Putin duhet të arrestohet”, tha Kara-Murza për Current Time më 1 shtator.
“Nëse Mongolia e vlerëson veten shtet ku sundon ligji dhe i cili shpreson të behet pjesë e botës së qytetëruar, atëherë Mongolia duhet patjetër të veprojë” në përputhje me Statutin e Romës që e themeloi GJNP-në.
Ai shtoi se ai dhe politikanët dhe aktivistët e tjerë opozitarë rusë e nënshkruan një peticion online për t’i bërë thirrje autoriteteve mongole ta arrestojnë Putinin.
“Nga pikëpamja e ligjit ndërkombëtar, nuk është çështje e zgjedhjes apo vullnetit – është çështje e detyrimit ligjor”, tha Kara-Murza.
Më 2 shtator, organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Human Rights Watch (HRW) i ka bërë thirrje Mongolisë t’ia mohojë hyrjen, ose ta arrestojë presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, i cili e ka ndër mend ta vizitojë këtë vend më 3 shtator.
SHIKONI EDHE: HRW i bën thirrje Mongolisë ta arrestojë ose t’ia mohojë hyrjen Putinit“Mongolia do t’i shpërfillë detyrimet e saj ndërkombëtare si një anëtare e GJNP-së, nëse e lejon vizitën [e Putinit] pa e arrestuar atë”, tha të hënën Maria Elena Vignoli, avokate e lartë ndërkombëtare në HRW.
Kremlini tha më 30 gusht se nuk “brengoset” për udhëtimin e Putinit, duke shtuar se Rusia ka “dialog të mrekullueshëm me miqtë tanë nga Mongolia”.
Putini ka ndër mend të marrë pjesë në ngjarje në Mongoli kushtuar 85-vjetorit të fitores së forcave të përbashkëta të armatosura sovjetike dhe mongole kundër trupave japoneze në Betejat e Khalkhin Gol.
Vizita e Putinit në Mongoli do të jetë e para nga ai në një vend i cili e ka nënshkruar dhe ratifikuar Statutin e Romës prej se GJNP-ja lëshoi urdhërarrest ndaj tij në mars 2023.
Në dhjetor 2023, gjykatësi nga Mongolia, Erdenebalsuren Damdin, u emërua gjykatës në GJNP.
Më 30 gusht, Ukraina i bëri thirrje Mongolisë ta arrestojë Putinin.
Rusia nuk e njeh juridiksionin e GJNP-së.
Sipas Statutit të Romës, secili prej 124 anëtarëve të GJNP-së duhet ta zbatojë fletarrestimin, nëse Putini e viziton territorin e tyre.
Megjithatë, GJNP-ja nuk ka mjete për ta siguruar zbatimin e traktatit dhe varet nga bashkëpunimi i vendeve anëtare për zbatimin e fletarrestimeve.