Një prej tregjeve më të mëdha kriminale në botë, që përdoret nga mashtruesit online për të blerë fjalëkalime, është mbyllur në kuadër të koordinimit global të zyrtarëve për zbatim të ligjit.
Genesis Market ka shitur të dhëna për kyçje në llogari, për identifikim të rrjetit online dhe të dhëna tjera të viktimave në botën digjitale.
Zakonisht duke kushtuar më pak se 1 dollarë, informacioni personal u ka mundësuar mashtruesve që të kenë qasje nëpër llogaritë bankare të viktimave.
Agjencitë për zbatim të ligjit në gjithë botën, i kanë koordinuar aksionet për t’i kryer bastisjet.
SHIKONI EDHE: Adoleshentët, më të cenueshmit ndaj krimeve kibernetikeNë kuadër të bastisjeve, Agjencia britanike për Krime, ka arrestuar 24 njerëz të cilët dyshohet se kanë përdorur rregullisht faqen.
Agjenci për zbatim të ligjit nga 17 shtete janë përfshirë në këto bastisje, të cilat kanë nisur në mbrëmjen e së martës.
Operacioni është udhëhequr nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI) në Shtetet e Bashkuara dhe Policia Kombëtare Holandeze, por edhe nga autoritetet në Mbretëri të Bashkuar, Australi dhe Evropë.
Në nivel global janë kryer 200 kërkime dhe janë arrestuar 120 persona.
Të gjithë ata që kanë tentuar të kyçen të mërkurën në faqe, u është shfaqur mbishkrimi “Kjo faqe është konfiskuar”.
Genesis Market ka operuar si faqe online e hapur dhe jo i fshehur.
Faqja është krijuar më 2017.