Policia e Kosovës u bëri thirrje qytetarëve që t’i shpërfillin thirrjet për pjesëmarrje në një protestë sot në jug të Mitrovicës.
Policia tha se është në dijeni se “nëpër media të ndryshme sociale, nga persona dhe profile të ndryshme, janë duke qarkulluar postime me thirrje ndaj qytetarëve shqiptarë, për pjesëmarrje në gjoja protestë masovike, sot në ora 12:00, në jug të Mitrovicës dhe me synimin kinse për marshim në veri të vendit”.
Në komunikatën dërguar mediave, policia tha se është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija.
SHIKONI EDHE: MPB-ja, për sulmet ndaj policëve: Të orkestruara nga BeogradiEdhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se përmes organizimeve në rrjetet sociale “po tentohet të nxiten tubime të panevojshme”.
“Thirrjet për protestë në jug të Mitrovicës dhe me synim marshimin drejt veriut të vendit, janë të panevojshme dhe nuk i ndihmojnë Republikës së Kosovës”, tha Sveçla.
Në ditën e katërt të tensioneve të shtuara në komunat veriore të Kosovës, protestuesit serbë kanë nisur të mblidhen para objekteve të komunave, ku tashmë ushtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR janë vendosur.
Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”, dhe u sulmuan nga disa protestues të dhunshëm, që Weveria e Kosovës thotë se ishin “banda kriminale serbe”.
SHIKONI EDHE: Stoltenberg: NATO-ja do të mbetet vigjilente mbi situatën në KosovëNga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka mbrojtur veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.
- Për t'u informuar lidhur me zhvillimet e fundit në veri të Kosovës, përcillni blogun e Radios Evropa e Lirë