Policia franceze e ka arrestuar një të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme në një sinagogë në qytezën jugperëndimore La Grande Motte, ku u lëndua një oficer i policisë, tha të dielën ministri i Brendshëm në detyrë, Gerald Darmanin.
Dy vetura të parkuara në parkingun e sinagogës Beth Yaacov në La Grande Motte, afër Montpellierit, u doëgjën të shtunën pas orës 20:00. Zjarrfikësit zbuluan zjarre shtesë në dy hyrjet e sinagogës.
Një oficer i policisë i cili shkoi në vendin e ngjarjes u lëndua kur shpërtheu një bombol gazi e vendosur pranë veturave që po digjeshin.
Pesë njerëz, përfshirë rabinin, ndodheshin në sinagogë në kohën e sulmit, por ata shpëtuan pa lëndime.
“I dyshuari për zjarrvënie të qëllimshme në sinagogë është arrestuar”, tha Gerald Darmanin në X.
SHIKONI EDHE: Një polic francez lëndohet nga një shpërthim përballë një sinagogeProkurorët francezë thanë se i dyshuari u arrestua në qytetin jugor Nimes, pak para mesnatës të shtunën.
“Ai shtiu ndaj njësitit policor që intervenoi. Policia iu përgjigj zjarrit dhe e plagosi [të dyshuarin] në fytyrë”, tha të dielën Zyra Kombëtare Kundër Terrorizmit.
Dy persona të tjerë të lidhur me të dyshuarin janë futur në paraburgim gjithashtu, tha ajo.
Prokurorët janë duke e hetuar rastin si tentim vrasje të lidhur me një grup terrorist dhe i dëmtim i pronës me mjete të rrezikshme, si dhe si një krim të planifikuar nga një grup terrorist me qëllim pë të shkaktuar dëm, thuhet në komunikatë.
Pas këtij incidenti, Darmanin i urdhëroi forcat e sigurisë t’i mbrojnë vende fetare hebraike pas “kësaj vepre të qartë kriminale”.
Prokurorët thanë se një burrë i dyshuar u kap nga kamerat e vëzhgimit duke ikur nga vendi i ngjarjes me një flamur palestinez në dorë dhe me një armë. Ata folën në kushte anonimiteti në përputhje me rregulloret e procesit të hetimit.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se sulmi në sinagogë ishte “vepër terroriste”.
“Lufta kundër antisemitizmit është betejë e vazhdueshme”, shkroi Macron në X.