Policia e Kosovës ka bërë të ditur të martën, 26 prill, se në orët e hershme të mëngjesit është sulmuar me armë zjarri një njësi patrulluese kufitare e saj në Zupçe të Zubin Potokut.
Sipas saj, përveç dëmeve materiale në automjet, nuk ka raportime për zyrtarë policorë të lënduar.
Komunat në veri të Kosovës, si Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq, janë të banuara me shumicë serbe.
Zëdhënësi i policisë për rajonin e veriut, Branislav Radoviq, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se sulmi ka ndodhur në rrugën kryesore në fshatin Zupçe, në afërsi të kopshtit të fëmijëve dhe dyshohet se vetura zyrtare e policisë kufitare është qëlluar me armë zjarri.
Në ora 11:28, Njësia e Forenzikës Ligjore nga Prishtina, si dhe Njësia për Terrorizëm, kanë inspektuar vendin në fshatin Zupçe, ka konfirmuar Radoviq.
SHIKONI EDHE: Pas sulmeve në veri, bëhet thirrje kundër eskalimit të situatës
Patrulla e Policisë së Zubin Potokut është duke punuar në rregullimin e normalizimit të komunikacionit në rrugën kryesore. Njësitet nga Prishtina janë tërhequr nga vendi i ngjarjes rreth orës 12:30.
Bastisje në Lagjen e Boshnjakëve
Policia e Kosovës gjatë së martës, 26 prill, ka bërë të ditur se ka kryer edhe një bastisje në Lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut, ndërsa nuk dihet nëse kjo bastisje ka të bëjë me çështjen e sulmeve ndaj Policisë.
Baki Kelani, zëdhënës i Policisë së Kosovës, ka thënë se gjatë këtij operacioni policor është kryer bastisje, porse nuk ka të arrestuar.
“Nuk raportohet për të arrestuar, përderisa dy personave iu është lënë ftesë për paraqitje në Policinë e Kosovës, mbi dyshimin e bazuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale”, ka thënë Kelani në një deklaratë për Radion Evropa e Lirë.
Kelani nuk ka dhënë detaje tjera se për çka saktësisht dyshohen personat që janë ftuar për paraqitje në Polici.
Radio Evropa e Lirë mëson se Njësitet speciale të Policisë së Kosovës kanë ndaluar së paku një person në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut.
Forcat speciale të Policisë së Kosovës ndodhen në lagjen e Boshnjakëve në Mitrovicën e Veriut. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e veriut, Branislav Radoviq, thotë se nuk ka informacion për këtë aksion.
Njëra nga rrugët anësore në këtë vendbanim është e bllokuar.
SHIKONI EDHE: Kush po e sulmon Policinë e Kosovës?Sulmin ndaj Policisë së Kosovës e ka dënuar Lista Serbe, partia kryesore e komunitetit serb në Kosovë.
“Ky incident ka për qëllim destabilizimin e situatës, por edhe tentim për t'i paraqitur serbët si banditë, gjë që nuk është e vërtetë”, thuhet në komunikatën e Listës Serbe.
Lista Serbe u bëri thirrje "të gjithë qytetarëve që të përmbahen dhe të mos bien pre e provokimeve dhe të mos lejojnë incidente të tilla të rrezikojnë paqen shumë të nevojshme në këtë zonë."
Lidhur me këtë sulm ka reaguar edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë Serbe, Petar Petkoviq.
Ai tha se “rritja e tensioneve në terren, sidomos në veri, nuk ka të bëjë me serbët”.
Autoritetet në Kosovë, më 15 prill, kanë bërë të ditur për të parën herë se Policia e Kosovës ka qenë cak i disa sulmeve në veri të Kosovës.
Sulmi i parë sipas zyrtarëve të Kosovës, ka ndodhur më 13 prill, ndërsa për një javë janë regjistruar pesë sulme në total.
Sulmi i 26 prillit është i gjashti në dy javët e fundit.
Sipas autoriteteve, në sulmet ndaj policisë janë përdorur iriqë metalikë, gurë, granata dore, armë automatike dhe mjete piroteknike.
Po ashtu, ka pasur dyshime se disa nga të shtënat kanë ardhur nga territori i Serbisë.
Më 15 prill, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, në një konferencë për media ka thënë se policia e shtetit ka qenë “cak i sulmeve të armatosura të grupeve kriminale në veri”.
“Unë mendoj se qëllimi i Serbisë në këtë moment nuk është ta sulmojë, por ta destabilizojë Kosovën”, ka thënë Sveçla më 15 prill.
Sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, afërsia e sulmeve lë të kuptohet se, “kemi të bëjmë me një grup të organizuar, i cili ka për qëllim të sulmojë dhe të pengojë punën e Policisë së Kosovës, me theks të veçantë luftën kundër kontrabandës dhe tregtive të ndryshme”.
Policia e Kosovës në shkurt të këtij viti kishte njoftuar se ka nisur të mbyllë disa rrugë që shfrytëzohen për kontrabandë. Sveçla atëherë kishte thënë se mbyllja e këtyre rrugëve është tentim për të parandaluar dhe luftuar krimin dhe të gjitha format e kontrabandës në zonat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Edhe në tetor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës pati zhvilluar një aksion të gjerë kundër kontrabandës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Policia e Kosovës pati thënë se në atë aksion ishin sekuestruar mallra “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra eurosh”.