Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare të Inteligjencës (AKI), tha se ka identifikuar dy lokacione ku ishin vendosur kamera vëzhguese në veri të Kosovës.
Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, tha për Radion Evropa e Lirë se kamerat, që sipas tij ishin të kamufluara, ishin vendosur për “monitorim të lëvizjeve të qytetarëve, institucioneve të Kosovës dhe prezencës ndërkombëtare në veri të vendit”.
![Një nga kamerat që Policia tha se gjeti në veri të Kosovës.](https://gdb.rferl.org/01000000-0aff-0242-7ce6-08dc96b4f1e1_cx0_cy99_cw100_w1080_h608_s.jpg)
Një nga kamerat që Policia tha se gjeti në veri të Kosovës.
“Këto kamera dyshohet se janë përdorur në vazhdimësi nga institucionet e sigurisë së Serbisë”, tha Elshani.
Policia ka identifikuar dy persona “të cilët janë me interes që të intervistohen nga ana jonë”, theksoi Elshani.
Më vonë gjatë 27 qershorit, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, reagoi për këtë rast, duke thënë se institucionet do t'i "luftojnë me çdo kusht mekanizmat e kontrollit dhe spiunazhit të Serbisë".
Sveçla tha se gjatë aksionit të sotëm, përveç kamerave janë gjetur edhe pajisje të tjera ndihmëse të komunikimit, " nga të cilat institucionet e Serbisë kanë monitoruar lëvizjet e qytetarëve, zyrtarëve të institucioneve tona të sigurisë dhe institucioneve ndërkombëtare që veprojnë në vendin tonë".
Edhe në të kaluarën, autoritetet e Kosovës kanë gjetur kamera vëzhguese në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.
Në maj, dy kamera të tilla u gjetën të vendosura një rrugë malore në kufirin lindor me Serbinë, që dyshohet se ishin vendosur për vëzhgimin e rrugës nga kontrabandistët e dyshuar.
Po ashtu, në fund të vitit të kaluar Policia e Kosovës hoqi qindra kamera në komunat me shumicë serbe në veri. Paraprakisht, kamera ishin hequr edhe në Kllokot, Partesh dhe Ranillug - komuna me shumicë serbe në jug të Lumit Ibër.