Autoritetet e Kosovës mbyllin institucione serbe, Prokuroria thotë se s'i autorizoi bastisjet

Your browser doesn’t support HTML5

Mbyllja e institucioneve paralele serbe në Kosovë.

Disa komuna paralele të Serbisë, ashtu si edhe zyra postare dhe tatimore të saj u mbyllën të mërkurën në dhjetë komuna të Kosovës, në anën jugore të lumit Ibër.

Policia e Kosovës tha se qëllimi i operacionit, me kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ishte ndërprerja e "shërbimeve të jashtëligjshme" të Serbisë në Kosovë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë tha, në anën tjetër, se ajo nuk e ka autorizuar Policinë e Kosovës për kryerjen e këtij operacioni, pasi, sipas saj, nuk kishte ndonjë kërkesë zyrtare.

Aksione policore u ndërmorën në komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skënderajt.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha se me këtë veprim "përfundon epoka e komunave dhe institucioneve paralele e kriminale të Serbisë në Republikën e Kosovës".

Në videon që shpërndau ai në rrjetet sociale, u pa edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, duke thënë se "nga sot, 28 komunat paralele, kriminale të Serbisë në Kosovë dhe pesë qarqet e tyre mbyllen përfundimisht".

Mbyllja e degës së Postës së Serbisë në Graçanicë, 15 janar 2025.

Mbyllja e degës së Postës së Serbisë në Graçanicë, 15 janar 2025.

Autoritetet në Kosovë thonë se puna e këtyre institucioneve serbe, që ishin në funksion që nga paslufta më 1999, është "e paligjshme", dhe nisën mbylljen e tyre qysh në fillim të vitit të kaluar.

Kosova do t'i mbajë zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt dhe është në mes të fushatës elektorale.

A mund të veprohet pa urdhër të prokurorit?

Ehat Miftaraj, nga Instituti joqeveritar i Kosovës për Drejtësi, thotë për Radion Evropa e Lirë se Policia e Kosovës nuk mund të kryejë veprime si ato të sotmet pa urdhër të prokurorit kompetent.

"Policia mund të arrestojë apo kontrollojë vetëm në rastet kur kryhet një krim flagrant (si vjedhje, grabitje etj.) dhe njoftohet. Por, edhe në këtë rast, në një fazë, prokurori do të njoftohet dhe do të ftohet në vendin e ngjarjes”, thotë ai.

Miftaraj shton se "në një shoqëri demokratike të qeverisur nga ligji, veprimi i sotëm do të nënkuptonte pasoja juridike për ata që e iniciuan atë".

Në rastet e mëparshme që kishin të bënin me mbylljen e institucioneve serbe në veri të Kosovës, policia njoftoi se prokurori përgjegjës e kishte cilësuar rastin si "falsifikim dokumentesh".

Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë, e cila gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar - tha se të gjithë punonjësit e institucioneve që u mbyllën më 15 janar nga autoritetet e Kosovës, do të vazhdojnë t'i marrin pagat.

Kryetari Zllatan Ellek tha se kjo parti "do të vazhdojë të luftojë me të gjitha mjetet dhe të fitojë në zgjedhje, për të mbrojtur popullin serb".

"Ndoshta mund t'i mbyllin përkohësisht objektet, por nuk mund ta pengojnë ndihmën e shtetit të Serbisë, e as Listën Serbe që të kujdeset për njerëzit e saj dhe të marrë pjesë në zgjedhje", tha Ellek.

SHIKONI EDHE: Për çka do të votojnë serbët?

Reagime nga Serbia

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se situata e popullit serb në Kosovë "është e vështirë" dhe paralajmëroi se, së shpejti, do të takohet me përfaqësues të serbëve nga Kosova.

"A është situata gjithnjë e më e vështirë? Po. Dhe, kjo ka qenë e pritshme që nga viti 2008 [v.j. kur Kosova ka shpallur pavarësinë]", tha Vuçiq për televizionin serb, B92.

Kryeministri serb, Millosh Vuçeviq, tha se zhvillimi i situatës në Kosovë po ndiqet me kujdes.

"Do t'i ndërmarrim të gjitha masat për ta mbrojtur popullsinë serbe nga sulmet e reja të Albin Kurtit [kryeministër i Kosovës], i cili, mesa duket, fushatën e tij parazgjedhore e ka shndërruar në vazhdim të keqtrajtimit të popullit tonë", tha Vuçeviq.

Ministri i Jashtëm serb, Marko Gjuriq, e cilësoi aksionin e fundit të autoriteteve të Kosovës si një "përshkallëzim të rrezikshëm".

"Këto lëvizje agresive nuk janë vetëm sulm ndaj institucioneve, por edhe përpjekje e hapur për t'i minuar të drejtat kolektive dhe identitetin e serbëve në Kosovë", shkroi Gjuriq në rrjetet sociale.

Ai tha se komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të heshtë, por "t'i mbrojë të drejtat e serbëve në Kosovë".

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq - i cili ndodhej në Bruksel, ku do të duhej të mbahej takimi i parë i Komisionit të përbashkët Kosovë-Serbi për të pagjeturit -tha se "e ka braktisur atë takim", për shkak të ndodhive në Kosovë.

"Kurti nuk do dialog, por dhunë", u tha ai gazetarëve në Bruksel.

I pyetur nëse u mbajt takimi për të pagjeturit, Petkoviq tha: "Natyrisht që jo. Çështja e të pagjeturve është e rëndësishme... por Kurti e ka mbytur dialogun, e ka mbytur takimin e sotëm".

Ai tha se nga mbyllja e institucioneve serbe të mërkurën, mbi 1.100 njerëz kanë mbetur pa punë, por tha se i siguron ata që Serbia do të vazhdojë t'i paguajë.

SHIKONI EDHE: A do të thotë mbyllja e institucioneve serbe edhe ndërprerje e punës së tyre? Jo.

Kritika nga bashkësia ndërkombëtare

Në një deklaratë të postuar në ueb-faqen e saj, Ambasada amerikane në Prishtinë i cilësoi veprimet e Kosovës si të pakoordinuara tha se ato "e dobësojnë besimin në marrëdhënie" dhe "e kufizojnë aftësinë tonë për ta ndihmuar Kosovën që të sigurojë të ardhme më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj".

Sipas Ambasadës amerikane, "këto çështje duhet të menaxhohen përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja" në mes të Kosovës dhe Serbisë, në mënyrë që të shkohet përpara me normalizimin dhe integrimin e Kosovës "si një demokraci moderne, multietnike, evropiane".

Një zëdhënës i kësaj ambasade tha më herët për Radion Evropa e Lirë se mbyllja e institucioneve të drejtuara nga Serbia, "ndikon drejtpërdrejt dhe negativisht te qytetarët e Kosovës - serbët etnikë dhe komunitetet tjera - dhe mund t'i minojë aspiratat e Kosovës për t'iu bashkuar komunitetit euroatlantik".

SHIKONI EDHE: Verma: Shpresojmë për një shkallë normalizimi mes Kosovës dhe Serbisë që do të çonte te njohja e ndërsjellë

Një zëdhënës i Bashkimit Evropian tha, në anën tjetër, se mbyllja e strukturave të mbështetura nga Serbia, në mes të fushatës zgjedhore, "bie ndesh me detyrimet e Kosovës ndaj Bashkimit Evropian" në kuadër të procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.

"Statusi i strukturave të mbështetura nga Serbia parashihet të zgjidhet në dalogun e lehtësuar nga BE-ja", tha ai.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, tha se mbështet plotësisht deklaratën e BE-së.

"Dhe, më lejoni të jem i qartë: Ne pajtohemi në parim që strukturat e tilla paralele duhet të shuhen. Por, rruga deri aty duhet të jetë gjithëpërfshirëse. Me veprime si sot, nuk i fitoni zemrat e mendjet e njerëzve të prekur", shkroi Rohde në rrjetet sociale.

Aksioni - "fushatë parazgjedhore e Vetëvendosjes"

Për politologun serb, Ognjen Gogiq, aksioni i mbylljes së institucioneve serbe në zonat në jug të lumit Ibër, është "fushatë parazgjedhore" e partisë së Kurtit, Lëvizjes Vetëvendosje.

"Aksioni u shoqërua me videoklip të ministrit Sveçla, në të cilin thotë se ka marrë fund prania e Serbisë në Kosovë... sipas tij, një prani paralele dhe ilegale. Ata nuk mund të tregojnë asgjë tjetër si rezultat, kështu që kjo [mbyllja e institucioneve serbe] është pjesë e fushatës së tyre", thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.

Ai shton se partia në pushtet "po e instrumentalizon politikisht edhe Policinë e Kosovës, për të bërë fushatë".

Mbylljen e pothuajse të gjitha institucioneve serbe në jug të Ibrit, Gogiq e lidh edhe me ardhjen në pushtet të administratës së re amerikane. Autoritetet e Kosovës duan që "t'i kryejnë veprimet e tilla para se Donald Trump të hyjë në Shtëpinë e Bardhë", sipas tij.

SHIKONI EDHE: Munter: SHBA-ja nuk do të ketë më qasje tradicionale ndaj Kosovës dhe Serbisë

Gogiq thekson se institucionet e Serbisë në Kosovë nuk do të shfuqizohen derisa Beogradi zyrtar ta vendosë një gjë të tillë, por nuk e përjashton mundësinë që punonjësit e tyre të ndiqen penalisht.

Në korrik të vitit 2024, Prokuroria e Ferizajt mori në pyetje punonjës të autoritetit të përkohshëm komunal të Shtërpcës, nën dyshimet për "rrënim të rendit kushtetues të Kosovës".

Përfaqësues të shoqërisë civile i thanë më herët Radios Evropa e Lirë se punëtorë të tjerë në institucionet e financuara nga buxheti i Serbisë, mund të përballen tani me akuza të njëjta.

Cilat institucione serbe u mbyllën?

Policia e Kosovës mbylli më 8 janar Administratën Tatimore në Mitrovicën e Veriut, e cila funksiononte në kuadër të sistemit të Serbisë, për shkak të, siç u tha, "aktiviteteve të paligjshme", si dhe kompaninë e sigurimeve nga Serbia "Dunav Osiguranje", për shkak të dyshimeve se punonte pa licencë.

Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe qysh në janar të vitit 2024, duke ua vënë fillimisht drynin organeve të përkohshme komunale të Dragashit, Suharekës, Prizrenit dhe Rahovecit, të cilat gjendeshin në jug të lumit Ibër.

Pastaj u mbyllën organet e përkohshme komunale të Pejës, Istogut, Klinës, Skenderajt, si dhe ato në komunat në veri: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Ndërkohë u mbyllën edhe degët e Postës së Serbisë në veri të Kosovës, kasaforta e Bankës Popullore të Serbisë në Leposaviq, Banka Kursimorja e Postës, Zyra për Kosovën e Qeverisë së Serbisë, Drejtoria e Fondit për Sigurimin Pensional dhe Invalidor, Qarku Administrativ Kosovë-Mitrovicë dhe Qendra për Punë Sociale në Vushtrri.

Të gjitha këto institucione me mijëra punëtorë funksiononin në sistemin e Serbisë.