Policia e Kosovës gjen armatim në bastisjet në veri

Armët e konfiskuara nga Policia e Kosovës në veri.

Policia e Kosovës ka kryer të shtunën bastisje në shtatë lokacione në pjesën veriore, lidhur me sulmin e armatosur ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator.

Policia ka thënë se të shtunën ka kryer bastisje në katër lokacione në Mitrovicë të Veriut, dy në Zveçan dhe një në Banjskë.

Në Mitrovicë të Veriut, përkatësisht te një podrum i lagjes "Tre Rrokaqiejt", policia ka gjetur mjete shpërthyese, pushkë automatike dhe plumba.

"Lista preliminare e armëve dhe pajisjeve tjera të sekuestruara: 87 copë eksplozivë të tipit TM 100, 3 granata hedhës dore (zola) 1 armë automatike AK-47, 1 minë kundër këmbësorisë e tipit MRUD, 14 karikatorë, municion të kalibrave të ndryshëm, 63 detonatorë elektrikë, 23 detonatorë mekanikë, 1 orë për aktivizim, 1 granatë dore M79, 3 tuba fitila ndezës", ka thënë Policia e Kosovës përmes një komunikate për media.

Në zonën e bastisjeve janë parë edhe pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Makinë e KFOR-it në zonën e bastisjeve.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Veton Elshani ka thënë se deri më tani nuk ka të arrestuar.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se armatimi i konfiskuar ka qenë pjesë e planit "të strukturave terroriste të Serbisë për aneksimin e veriut".

Si pasojë e sulmeve të 24 shtatorit ka mbetur i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit në Banjskë janë vrarë edhe tre sulmues.

Kosova e ka fajësuar Serbinë për këtë sulm, dhe ka prezantuar prova, që sipas saj e vërtetojnë këtë pretendim, mirëpo Serbia i ka hedhur poshtë ato.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiqi, i cili ka hequr dorë nga të gjitha funksionet partiake.

Lexoni edhe këtë: Senatorja amerikane: Serbia të bashkëpunojë për hetimin e sulmit në Banjskë

Policia ia ka konfiskuar pronat e tij në Kosovë dhe kërkon ekstradimin nga Serbia.

Në Serbi ai është marrë në pyetje ditë më parë dhe është liruar brenda 24 orëve.