Pesë të arrestuar në veri për sulm, kontrabandë dhe posedim të narkotikëve

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës.

Policia e Kosovës i ka arrestuar pesë persona dhe është në kërkim të një personi tjetër, pas sulmit që u është bërë zyrtarëve policorë në Zveçan, teksa kanë qenë duke e luftuar kontrabandën, ka thënë zëvendësdrejtori i Policisë për veriun, Veton Elshani.

Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai ka thënë se në orët e hershme të së premtes, Policia ka tentuar ta ndalë një kamion me mallra kontrabanduese, kur kanë nisur të shtënat e grupit, të cilave Policia u është përgjigjur njëjtë.

“Nuk ka të plagosur, policia i ka arrestuar pesë persona, dhe është në kërkim të një personi tjetër”, ka thënë Elshani.

SHIKONI EDHE: Aksion kundër drogës në Mitrovicë të Veriut

Policia e Kosovës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se tri makina dhe një kamion janë konfiskuar, dhe se përveç kontrabandës, ka gjetur edhe lëndë narkotike.

Rasti është duke u iniciuar si sulm ndaj zyrtarëve policorë, kontrabandë me mallra, dhe posedim i narkotikëve.

Kjo nuk është hera e parë që Policia e Kosovës ka konfiskuar mallra kontrabandauese, lëndë narkotike dhe armë në pjesën veriore.

Të hënën, më 7 gusht, në Mitrovicë të Veriut është gjetur një laborator droge, në të cilin ka pasur pajisje për mihje të kriptovalutave.