Policia e Kosovës e ka arrestuar të enjten një serb të Kosovës me inicialet G.M., nën dyshimet për përfshirje në veprën penale "krime kundër popullsisë civile”.
Përmes një komunikate për media, Policia ka thënë se ekzistojnë informacione se i dyshuari ka qenë pjesëmarrës në këto krime, konkretisht në masakrën e Dubravës në maj të vitit 1999.
Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka bërë të ditur se serbi i arrestuar është 63-vjeçari, Gavrillo Millosavleviq, i cili, sipas kësaj Zyre, “ka shkuar në Kosovë për të raportuar pronën e uzurpuar dhe është ndaluar me dyshimin për pjesëmarrje të supozuar në krime lufte”.
“Fjala është për një pensionist, i cili, si person i zhvendosur, jeton në afërsi të Beogradit dhe i cili disa herë ka shkuar pa problem në territorin e Kosovës dhe Metohisë”, është thënë në njoftim duke shtuar se Zyra do t’i sigurojë atij mbrojtje ligjore.
Në njoftim është pretenduar që Prishtina “ka planifikuar dhe sistematikisht i pengon serbët nga mbrojtja e të drejtave dhe kthimi i tyre”, por nuk janë ofruar dëshmi.
SHIKONI EDHE: Të mbijetosh në kohë lufteNë luftën e zhvilluar në Kosovë më 1998/99, janë vrarë mbi 13.000 civilë dhe mijëra të tjerë janë zhdukur.
Mbi 1.600 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur – pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe njihet nga mbi 100 vende të botës.
Serbia nuk e njeh pavarësinë e saj dhe në Kushtetutë vazhdon ta konsiderojë atë si pjesë të territorit të saj.