Kërkohet paraburgim për njërin prej të dyshuarve të sulmit ndaj policëve

Pjesëtarë të Policisë së Kosovës në veri të Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga gjykata që t’i caktojë masën e paraburgimit të dyshuarit me inicialet A.D, i arrestuar në veri të Kosovës për sulmin ndaj zyrtarëve policorë.

Policia e Kosovës njoftoi se më 16 korrik, pesë zyrtarë policorë ishin lënduar, pasi shoferi i kamionit, që dyshohej se po bartte mallra kontrabandë, duke tentuar që t’iu ikte zyrtarëve, ka goditur me kamion dy herë veturat e policisë.

Në njoftimin e Prokurorisë së Mitrovicës thuhet se i dyshuari A.D dyshohet se ka kryer veprat penale: “vrasje në tentativë”, “kalim i paautorizuar i vendkalimit kufitar ose i vijës kufitare” si dhe “kontrabandim i mallrave”.

Sipas Prokurorisë, me veprimet e tij, A.D ka rrezikuar jetën e katër zyrtarëve policorë të Policisë Kufitare. Numri i zyrtarëve të lënduar dallon nga ai që është paraqitur nga Policia e Kosovës, e cila tha se pesë zyrtarë të saj janë lënduar në këtë aksion.

Ndërkaq, sa i përket të dyshuarit tjetër në këtë rast, U.R, Prokuroria thotë se ai “dyshohet se e ka lehtësuar rrugëtimin dhe ka luajtur rolin e personit i cili e ka njoftuar të dyshuarin A.D., për çdo pengesë të mundshme në rrugë, me çka ka rrezikuar dhe penguar zyrtarët policorë, e që është në hetim e sipër”.

Sveçla kritikon organet e drejtësisë që liruan të dyshuarin e dytë

Megjithatë, ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më herët gjatë 17 korrikut, janë shprehur kritikë me vendimin e Prokurorisë që i dyshuari U.R të lirohet në procedurë të rregullt.

"Zyrtarët policorë i kanë kërkuar Prokurorisë Speciale të marrë në hetim ngjarjen. Edhe pas këmbënguljes së tyre, Prokuria nuk u përgjigj pozitivisht. Ndërkohë, prokurorja e Prokurorisë Themelore e liroi menjëherë njërin prej kontrabandistëve sulmues të policisë", tha Sveçla përmes një postimi në Facebook.

Sipas tij, "hezitimi për të vepruar i organeve të drejtësisë, përkthehet automatikisht në fuqizim të kriminelëve dhe rritje të vetëbesimit tek ta".

Minsitri Sveçla tha po ashtu se në aksionin e 16 korrikut është dashur të ndërhyjnë edhe pjesëtarët e njësive speciale të Policisë së Kosovës për të kapur të dyshuarit.

Ndërkaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një konference për media në selinë e partisë së tij, Lëvizjes Vetëvendosje, falënderoi Policinë e Kosovës për trimërinë dhe profesionalizmin në luftën kundër krimit dhe kontrabandës, por kërkoi që edhe hallkat e tjera të sistemit, të kryejnë punën e tyre.

“Por, në të njëjtën kohë shpresoj e uroj që edhe hallkat e tjera të sistemit të drejtësisë, prokuroria e gjyqësori të jenë në nivel të detyrës në mënyrë që të mos na përsëriten rastet e tilla”, tha Kurti.

Takimi midis Kurtit dhe policëve të lënduar në aksionin në veri.

Pasditen e së dielës, Kurti takoi në zyren e tij policët e lënduar gjatë aksionit në veri.

Si ndodhi sulmi ndaj policëve?

Policia e Kosovës tha se pesë zyrtarë të saj u lënduan gjatë një aksioni kundër kontrandandës me mallra në veri të Kosovës. Përveç të lënduarve, organet e rendit thanë se janë dëmtuar edhe vetura policore.

Sipas njoftimit, në orët e mbrëmjes së 16 korrikut, në fshatin Jashanicë të Leposaviqit, zyrtarët policorë kanë vërejtur kamionin që dyshohej se po kontrabandonte mallra, por në tentim për ta ndaluar kamionin, policia është penguar nga dy automjete civile.

Policia tha se më pas ka bërë bllokimin e pjesshëm të magjistrales Mitrovicë-Jarinjë me dy automjete policore.

“Policia e Kosovës në fillim ka ndaluar një veturë me ngjyre të zezë, targa të panjohura dhe shoferi i saj dyshohet që ishte duke komunikuar në telefon me vozitësin e kamionit. Kamioni i dyshuar me një shpejtësi të madhe ka ardhur në drejtim të veturave dhe zyrtarëve policorë, me qëllim goditjen e tyre dhe me këtë rast, kamioni ka goditur një veturë zyrtare policore. Përkundër të gjitha sinjalizimeve për t’u ndalur duke përfshirë edhe bateritë ndriçuese, i njëjti nuk ka zbatuar urdhrin ligjor të zyrtarëve policorë dhe ka vazhduar me vozitjen”, u tha në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Zyrtarët policorë më pas kanë vazhduar që ta përcjellin kamionin, i cili vazhdoi të udhëtonte me shpejtësi të lartë në magjistralen Mitrovicë-Jarinjë.

“Në përpjekje e sipër për ta ndaluar, vozitësi i kamionit e ka goditur veturën policore për herë të dytë, duke u shkaktuar lëndime zyrtarëve policorë si dhe duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale”, u tha në njoftim.

Policia tha se pas disa veprimeve proporcionale arriti të ndalë kamionin në fshatin Llazhinë dhe ta arrestojë vozitësin.

Ndërkaq, në njoftimin e Prokurorisë thuhet se pas ndalimit të kamionit, A.D (1990) ka tentuar të ikë në këmbë drejt një mali, por pas një ndjekjeje, policët kanë arritur ta arrestojnë të njëjtin.

Edhe në të kaluarën, zyrtarët policorë të Kosovës janë penguar gjatë aksioneve të tyre kundër kontrabandës në veri, ndërkaq në fillim të këtij viti janë regjistruar edhe sulme ndaj policisë edhe me mjete shpërthyese. Komunat në veri të Kosovës janë të banuara me shumicë serbe.