Policia e Kosovës i arreston katër të dyshuar për trafikim me emigrantë

Fotografi ilustruese nga arkivi

Katër burra janë arrestuar të dielën nën dyshimin për trafikim me emigrantë, njoftoi Policia e Kosovës të hënën.

Të dyshuarit, shtetas kosovarë, u kapën në Mitrovicë të Jugut nga oficerët policorë duke transportuar pesë shtetas të Jemenit, të cilët kishin për synim t’i dërgonin drejt vendeve të Bashkimit Evropian, sipas një njoftimi të Policisë.

Policia theksoi se ka bastisur një shtëpi dhe automjete, si dhe ka sekuestruar të holla dhe automjete.

“Gjatë kontrollit të shtëpisë dhe automjeteve janë gjetur dhe sekuestruar: 6280 €, 7300 lek shqiptare, 140 CHF zvicerane, dhe 4 automjete”, thuhet në njoftim.

Policia tha se të arrestuarit janë dërguar në mbajtje, pa dhënë më shumë informacione.

SHIKONI EDHE: Kosova pret e përcjell migrantë

Prej vitit 2015, shtetet e Ballkanit Perëndimor janë shndërruar në qendër transiti për personat që ikin nga Lindja e Mesme dhe Afrika dhe që synojnë të arrijnë në shtetet e Bashkimit Evropian.

Kosova ka qendra për pranimin e emigrantëve, por shumica e tyre e përdorin këtë shtet vetëm si transit për në BE.

Edhe në të kaluarën, Policia e Kosovës ka arrestuar të dyshuar për trafikim me emigrantë.