Policia e Kosovës tha të enjten se e ka arrestuar një shtetas serb të dyshuar për kontrabandë me mallra nga Serbia në Kosovë.
Në një komunikatë për media, policia tha se zyrtarët policorë dhe doganorë të Kosovës kishin vërejtur dy automjete me targa serbe duke u futur jashtëligjshëm nga fshati Dobrosinë në jug të Serbisë në qytetin juglindor të Kosovës, Gjilan, të enjten pasdite.
Ata pastaj paralajërmuan njësitet e tjera doganore në Graçanicë për mbërritjen e dy automjeteve të dyshuara, ku të dyshuarit nuk i kanë zbatuar urdhrat e zyrtarëve për t’u ndalur dhe, derisa njëri prej tyre u kap, tjetri ia doli të arratiset, sipas njoftimit.
“Dy drejtuesit e automjeteve nuk kanë zbatuar urdhrat e zyrtarëve doganore që ishin me uniformë dhe veturë zyrtare. Është arritur të ndalet vetëm njëra veturë me drejtues të dyshuarin V.B., i moshës 36-vjeçar shtetas i Serbisë. Kurse, automjeti tjetër me drejtues të dyshuarin F.M., ka arritur të ikë në drejtim të panjohur duke shkaktuar disa aksidente”, thuhet në njoftim.
Shtëpia e të arrestuarit në lagjen Hajvali në Prishtinë është kontrolluar nga autoritetet e sigurisë, të cilat kanë gjetur mall si, pajisje elektrike, me origjinë serbe, që dyshohet të jetë futur në në Kosovë përmes kontrabandës, tha policia.
I dyshuari i arrestuar do të mbahet në paraburgim për 48 orë.
Në Kosovë është i ndaluar importi i mallrave nga Serbia.
Në korrik 2023, Qeveria e Kosovës mori vendim për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, për arsye “sigurie”, kur tre policë të Kosovës u arrestuan nga policia serbe.