Policia thotë se ka sekuestruar armatim të gjetur pranë një flamuri serb në Banjskë

Dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës patrullojnë në një zonë afër Manastirit të Banjskës gjatë një operacioni policor më 25 shtator 2023. Fotografi ilustruese nga arkivi.

Policia e Kosovës tha të premten se ka sekuestruar armatim, të gjetur pranë një flamuri të Serbisë, gjatë një patrullimi në fshatin Banjskë të Zveçanit, në pjesën veriore të vendit.

Në raportin e fundit 24-orësh, Policia tha se, gjatë patrullimit të datës 4 janar, "ka gjetur dhe sekuestruar një flamur të shtetit të Serbisë, 34-gëzhoja, një karikator të armës AK-47 dhe 689-fishekë kalibrash të ndryshëm”.

Policia e ka cilësuar rastin “armëmbajtje pa leje”.

Sipas Policisë, deri tani nuk ka persona të arrestuar lidhur me këtë rast, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin e ka marrë Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe - partisë kryesore të serbëve në Kosovë që gëzon mbështetjen e Serbisë - duke pohuar se ai “personalisht” e ka organizuar sulmin dhe të gjitha përgatitjet logjistike, dhe se nuk ka informuar askënd për ato plane.

Kosova akuzoi Serbinë se qëndron pas sulmit, gjë që Beogradi zyrtar e mohon.

SHIKONI EDHE:

Një muaj pas Banjskës: Çka u tha për sulmin, përgjegjësit dhe dialogun?Fabrika e armëve në Serbi pranon se granatahedhës të konfiskuar në Banjskë janë në arkivat e saj të prodhimitKosova kërkon ndihmë nga rajoni për hetimet e sulmit në Banjskë