Që nga themelimi i Policisë së Kosovë, 18 vjet më parë, deri më tani, 17 pjesëtarë të saj kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës, derisa numri i policëve të lënduar në kryerje të detyrës, konsiderohet të jetë më i madh.
Së fundi dy policë të Kosovës gjatë kryerjes të detyrës zyrtare janë aksidentuar në rrugën magjistrale Hani i Elezit-Kaçanik, e të cilët kanë rënë në rrjedhën e lumit Lepenc.
Policët e aksidentuar ende janë të zhdukur, derisa kërkimet për gjetjen e trupave të tyre po vazhdojnë.
Megjithatë, policët në Kosovë vazhdojnë të punojnë pa sigurim shëndetësor dhe jetësor.
Kërkesa për sigurim shëndetësor dhe aksidental për Policinë e Kosovës është e kahmotshme, por që deri më tani, asnjë nga qeveritë e deritashme të Kosovës nuk ka arritur ta plotësojë.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Shaban Tasholli në një prononcim për Radion Evropa e Lirë tha se rasti i fundit i policëve të aksidentuar ngritë nevojën urgjente të krijimit të sigurimeve shëndetësore e aksidentale për policët.
“Disa herë edhe në qeveritë e mëhershme edhe tani kemi bërë kërkesat tona për sigurim shëndetësor dhe aksidental, asnjëherë nuk na është thënë që nuk do të bëhen, por asnjëherë nuk janë bërë. Kemi qenë të shqetësuar, por tani më këtë rastin e fundit jemi edhe më të shqetësuar, jemi të pakënaqur me atë që është bërë në këtë çështje. Jemi Policia e vetme në botë që nuk kemi sigurim shëndetësor”, tha Tasholli.
Në kryerje të detyrës shumë herë policët në Kosovë, thotë Tasholli, kanë qenë të rrezikuar apo janë lënduar dhe mungesa e sigurimit shëndetësor dhe aksidental ka vështirësuar trajtimin e tyre mjekësor apo të shërbimet për familjarët e policëve që kanë humbur jetën.
Njohës të çështjeve të sigurisë në Kosovë e shohin urgjente krijimin e sigurimeve shëndetësore dhe jetësore për pjesëtarët e Policisë së Kosovës.
Eksperti i çështjeve të sigurisë Naim Maloku thotë për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës duhet urgjentisht të sjell në Kuvend Ligjin për sigurime shëndetësore dhe jetësore të policisë.
“Problemi i sigurimeve shëndetësore për Policinë daton që kur është miratuar Ligji për policinë dhe nuk është zgjidhur. Që nga atëherë ka pasur kërkesën nga Sindikata e Policisë dhe ai problem nuk është zgjedhur. Me këta dy policë të aksidentuar e të zhdukur, numri i policëve që kanë humbur jetën në detyrë shkon mbi 17, e që familjarët e tyre nuk kanë asnjë kompensim. Është hendikep i madh edhe për Policinë që nuk e kanë të siguruara jetën”, thotë Maloku.
Sipas Malokut, është e pajustifikueshme që Policia e Kosovës edhe pas 18 vjetësh prej themelimit të mos kenë as edhe sigurimin shëndetësor.
“Ne kemi pasur probleme të lëndimit të policëve në protestat e dhunshme që u bënin në Kosovë dhe sipas njohurive që i kam as lëndimet e tyre nuk janë trajtuar si duhet. E di një rast që ka pagur 6 mijë euro për t’u shëruar në spitale private dhe nuk e ka kompensuar shteti. Kjo është një hendikep i madh edhe për efikasitetin e tyre në detyrë, për shkak se një polic e dinë që nuk e ka jetën e siguruar dhe nuk ka sigurim shëndetësor, atëherë edhe efikasiteti i tyre në detyrë bie”, thotë Maloku.
Ndryshe, Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në përmbushjen e vizionit dhe misionit të saj, në zbatimin e ligjit dhe Kushtetutës së vendit, garantimin e rendit dhe sigurisë, në mënyrë që të ofrojë një shërbim efikas policor dhe profesional ndaj të gjithë qytetarëve.