Një person është arrestuar dhe një sulmues është vrarë pasi ka sulmuar një pjesëtar të Xhandarmërisë pranë Ambasadës së Izraelit në Beograd.
Ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, e karakterizoi sulmin si "akt terrorist të drejtuar kundër shtetit të Serbisë dhe anëtarëve të Xhandarmërisë". Pas sulmit, autoritetet rritën nivelin e kërcënimeve nga terrorizmi, që nënkupton se prania policore do të rritet.
Sulmuesi, që më vonë u identifikua si Millosh Zhujoviq, u vra pasi ai plagosi me hark me shigjeta pjesëtarin e Xhandarmërisë. Sipas Daçiqit, personi i arrestuar dyshohet për "lidhje me terrorizëm".
“Bëhet fjalë për Igor Despotoviq nga Beogradi, i lindur në vitin 1999, i cili ishte arrestuar dy vjet më parë për shkak se ishte administrator i disa grupeve militante në internet që bënin thirrje për xhihad”, tha Daçiq. Ai shtoi se i arrestuari ka komunikuar çdo ditë me sulmuesin e vrarë dhe se për këtë arsye dyshohet se ka marrë pjesë “në mbështetjen logjistike dhe organizimin e këtij akti terrorist”.
Më herët, Daçiq po ashtu tha se autoritetet janë duke hetuar nëse sulmues veproi i vetëm apo nëse kishte ndonjë grup dhe se disa persona janë arrestuar "si masë parandaluese, pasi ata ishin afër ndërtesave policore".
Autoritetet thanë se sulmuesi i vrarë ishte nga qyteti Mlladenovac.
“Është konstatuar se personi që ka kryer sulmin terrorist është Millosh Zhujoviq [1999], emri fetar Salahudin, i konvertuar, nga Mlladenovaci, i cili është shpërngulur për të jetuar në Novi Pazar”, thuhet në deklaratën e MPB-së së Serbisë.
Autoritetet thanë se sulmi ndodhi rreth orës 11:00 të 29 qershorit, një person qëlloi me hark me shigjeta një anëtar të Xhandarmërisë i cili po ruante Ambasadën e Izraelit, duke e goditur në qafë. Autoritetet thanë se pjesëtari i Xhandarmërisë ka përdorur armën në vetëmbrojtje, duke qëlluar sulmuesin, i cili vdiq si pasojë e plagëve të marra.
Gjatë adresimit para mediave më herët gjatë ditës, Daçiq tha se pjesëtarët e Xhandarmërisë serbe rregullisht ruajnë ambasadat, ndërkaq ambasadorëve iu ofrohet një njësi e posaçme e Ministrisë së Mbrojtjes.
Duke dhënë detaje për sulmin, ai tha se sulmuesi iu afrua policit në disa raste, duke e pyetur për një muze dhe gjëra të tjera dhe xhandari i ishte përgjigjur se nuk kishte muze në atë zonë.
“Dhe më pas ky person i panjohur u kthye, hapi derën e ambasadës, duke bartur një çantë nga e cila nxori harkun dhe e qëlloi xhandarin me shigjetë në qafë”, tha Daçiq.
Ai shtoi se sipas informacioneve që ka, polici reagoi menjëherë, nxori armën dhe e qëlloi sulmuesin.
“Ai e qëlloi sulmuesin disa herë dhe pas gjysmë ore ai vdiq”, tha Daçiq.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, paraprakisht deklaroi se edhe disa persona janë në kërkim pas sulmit.
Vuçiq ka shtuar se “një person nuk është kapur”, por se dihet se ai ndodhet në territorin e Serbisë.
“Ai udhëhiqej nga të njëjtat parime si Salahudini. Ata janë përcjellur dhe pas shtatë apo tetë ditësh do të arrestoheshin, kaq i është dashur prokurorit për të mbledhur të gjitha provat, por është e qartë se ata filluan më herët”, tha Vuçiq pasi kishte vizituar xhandarin e lënduar në Qendrën Emergjente.
Ai theksoi se secili ka të drejtë të zgjedhë fenë e tij, por se autorët e këtij sulmi iu bashkuan qarqeve ekstremiste.
Vuçiq tha gjithashtu se operacioni i xhandarit të sulmuar Millosh Jevremoviq ishte i suksesshëm dhe se ai është në “gjendje shumë të mirë”.
Autoritetet serbe kanë njoftuar se aksion policor është duke u kryer edhe në Novi Pazar, ku po kryhen kontrolle në lokacione që besohet se kanë lidhje me sulmin.
Novi Pazari është komunë në Serbi, e banuar me shumë boshnjake.
Zyra e Prokurorit të Lartë Publik në Beograd ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se prokurori i rastit ka urdhëruar kryerjen e autopsisë për trupin e sulmuesit. Kjo zyrë tha po ashtu se polici ka gjuajtur në vetëmbrojtje.
Daçiq ka diskutuar lidhur me sulmin me ambasadorin e Izraelit në Serbi, Jahel Vilan.
“Në një bisedë telefonike me ambasadorin Vilan, ministri Daçiq ka thënë se sipas informacioneve fillestare, me shumë gjasa sulmuesi është shtetas i Serbisë, pjesëtar i lëvizjes vehabiste”, thuhet në njoftimin e MPB-së së Serbisë.
Serbia ka mbajtur raporte të ngushta me Izraelin, shtet që po vazhdon operacionet ushtarake në Gazë, kundër Hamasit, grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.