Plani i presidentit kolumbian për “paqe të plotë”

Policia duke patrulluar në një lagje në Buenaventura, Kolumbi, ku ka prani të grupeve kriminale. 17 gusht 2023.

AP

Në mbarë Kolumbinë, dekadat e luftës midis guerilëve të majtë, paramilitarëve të krahut të djathtë, grupeve të trafikantëve dhe Qeverisë, kanë bërë që mbi 9.5 milionë persona – pothuajse 20 për qind e popullatës – të jenë viktima të zhvendosjes me forcë, të jenë viktima të vrasjeve, dhunës seksuale e të tjera.

Përderisa konflikti në këtë shtet bëhet edhe më i ndërlikuar, me grupe të armatosura që luftojnë për kontroll, presidenti i Kolumbisë, që më herët ishte rebel, Gustavo Petro, ka premtuar se do të vendosë “paqe totale” dhe do t’i japë fund një prej konflikteve më të gjata në botë.

Cili është plani i presidentit të Kolumbisë?

Petro synon të riorganizojë mënyrën se si ky shtet i Amerikës Jugore adreson dhunën endemike, duke zëvendësuar operacionet ushtarake me programe sociale që kanë për qëllim të trajtojnë rrënjët e konfliktit, përfshirë varfërinë në zonat e goditura nga dhuna, sikurse është Buenaventura, një qytet bregdetar me 450.000 banorë, ku gjendet porti më i përdorur në Kolumbi.

SHIKONI EDHE: Kolumbia arrin armëpushim me grupet kryesore të armatosura

Ai po ashtu po negocion me grupet më të fuqishme të armatosura në Kolumbi – duke nisur nga guerilët e majtë e deri te mafitë më të vogla të trafikantëve – në përpjekje për t’i detyruar që ata të çmobilizohen përnjëherë. Mbi 31.000 luftëtarë të armatosur janë pjesë e milicive me të cilat ekzekutivi po negocion ose të cilat thonë se dëshirojnë negociata të paqes, sipas në të dhënat e prezantuara nga ekzekutivi.

Asnjë grup nuk ka nënshkruar marrëveshje për paqe të plotë, edhe pse Ushtria Çlirimtare Kombëtare (ELN) dhe Kolumbia së fundi janë pajtuar për një marrëveshje gjashtëmujore të armëpushimit.

Si pjesë e planit për “paqe të plotë”, programet e orientuara drejt rekrutimit të fëmijëve do të lansohen në qytete ku ka nivel të lartë të dhunës dhe varfërisë, përfshirë në Buenaventura, tha për AP-në këshilltarja qeveritare, Carolina Hoyos. Ajo i përshkroi këto programe si thelbësore në ndryshimin e situatës.

Të Rinjtë në Paqe do të japin një pagë mujore prej 1 milion pesos apo 250 dollarë, për 100.000 kolumbianë nga 14 deri në 28 vjeç “që janë të lidhur apo që rrezikojnë të lidhen” me grupe kriminale, tha Hoyos. Ata do të kërkohet që të arsimohen dhe të kryejnë ndonjë lloj pune sociale.

“Ideja prapa ‘paqes së plotë’ bazohet në para. Shikoni çështjet sociale prapa këtyre konflikteve”, tha Jeremy McDremott, bashkëthemelues i InSight Crime, një organizatë me seli në Kolumbi. “Sfida më e madhe me të cilën përballet Petro është: Si mund të flisni për paqe pa forcuar këto grupe?”

SHIKONI EDHE: Kolumbi, 49 viktima nga zjarri në burg gjatë tentativës për arratisje

Pse është i rëndësishëm ky plan?

Qeveria kolumbiane që një kohë të gjatë ka punuar që të bindë grupet kriminale që të ulin armët dhe më 2016 ekzekutivi u përgëzua pasi nënshkroi një marrëveshje të paqes me forcën më të fuqishme guerile të shtetit, Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC). Pjesa më e madhe e marrëveshjes përqendrohet në programe të ngjashme sociale dhe në mundësi për riintegrimin e rebelëve.

Presidenti i atëhershëm kolumbian, Juan Manuel Santos, fitoi Çmimin Nobel për Paqe, për shkak se ai arriti “t’i jepte fund luftës më të gjatë civile në botë”. Por, një pretendim i tillë nuk zgjati shumë. Kjo për shkak se autoritetet dështuan të zbatonin marrëveshjen dhe të merrnin kontrollin e territoreve që rebelët e FARC-ut kishin pasur nën kontroll dhe mafiozë të ndryshëm nisën luftën për kontrollin e territoreve. Gjakderdhja u rikthye.

Pas dështimit të marrëveshjes me FARC-un, Qeveria po tenton të arrijë marrëveshje të ngjashme, por konfliktit në shtet tani është më i ndërlikuar dhe beteja për të arritur pakte të tilla do të jetë më e vështirë.

Çfarë po ndodh në Buenaventura?

Bandat ndërluftuese në Buenaventura, Los Shottas dhe Los Espartanos, janë në mesin e grupeve në rritje të armatosura që po rreshtohen për të negociuar marrëveshje paqeje me Qeverinë e re të Kolumbisë. Këto dy banda janë të fundit që ndërmorën këtë vendim në Buenaventura – ku kalojnë rrugët kyçe për trafikimin e drogës, që më pas trafikohet në pjesën tjetër të botës.

SHIKONI EDHE: Kolumbia arreston trafikantin më të kërkuar të drogës  

Në Buenaventura, lufta e bandave ka shkaktuar një konflikt brutal, duke e bërë qytetin një prej qyteteve më të dhunshme në botë. Vrasjet, rrëmbimet, torturat e sulmet seksuale në këtë qytet janë të zakonshme. Sikurse janë edhe varret masive e shtëpitë që përdoren nga bandat për të copëtuar trupat e armiqve të tyre. Të rinjtë që nuk kanë shumë mundësi detyrohen që të anëtarësohen në banda dhe ata janë viktima, por edhe personat që shkaktojnë viktima, argumentojnë shumë persona në këtë qytet.

Gjatë vitit të fundit, bandat kanë zhvilluar dialog dhe kanë arritur disa marrëveshje armëpushimi, të cilat edhe janë shkelur. Por, këto zhvillime kanë rritur shpresat për paqe. Një përfaqësues i Los Shottas i tha AP-së se grupi shpreson të arrihet paqja, por do të çmobilizohet vetëm atëherë kur të gjitha grupet e armatosura në Kolumbi të ulin armët.

Në skajet e xhunglës së Buenaventurës, grupet rivale presin që të marrin kontrollin e pjesëve të qytetit. Policia ka thënë se janë aq shumë grupe të armatosura, sa ka hequr dorë nga numërimi i tyre.

“A e dini se sa grupe dëshirojnë të marrin kontrollin e Buenaventurës? Shumë”, tha përfaqësuesi i Los Shottas, i cili foli për AP-në, duke kërkuar që t’i referohen me emrin Jeronimo. “Dhe nëse ua dorëzoni pushtetin atyre, çfarë do të ndodhë? Këto grupe do të vijnë e do të na shfarosin”.

SHIKONI EDHE: Kokaina nga Kolumbia sekuestrohet në një laborator në Shqipëri

Si ndihen njerëzit?

Shumë në Buenaventura duan paqe, por konflikti që po zgjat me dekada bën që ata të mos besojnë shumë se paqja mund të arrihet. Banorët e qytetit që kanë shndërruar në viktima të luftës së bandave, kanë thënë se shpresojnë që bandat ta kenë seriozisht çështjen e nënshkrimit të marrëveshjeve të paqes, por shprehin droje se ato mund të jenë duke tentuar që të fitojnë avantazh nga marrëveshjet e armëpushimit me Qeverinë.

Ky shqetësim është në mbarë vendin.

Vitin e kaluar, grupet e armatosura kanë zgjeruar territorin që kanë nën kontroll, kanë rritur të ardhurat dhe kanë rritur rekrutimin, sipas të dhënave të një raporti të organizatës Ideas for Peace Foundation. Përderisa përleshjet me forcat e rendit kanë rënë, lufta midis grupeve rivale veçse është rritur. Rrëmbimet janë rritur për 77 për qind dhe zhvatjet për 15 për qind.

Përgatiti: Mimoza Sadiku