As Kosova e as Serbia nuk do të mund të përfitojnë nga plani i Komisionit Evropian për rritjen ekonomike në vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor në rast se nuk do të ketë përparim në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet tyre.
Ky është kriteri shtesë që Komisioni Evropian ua ka vendosur të dyja vendeve.
"Kjo shkon përmes përmbushjes së obligimeve nga dialogu, si dhe respektimit të obligimeve në nismat rajonale”, ka thënë një zyrtar i BE-së.
Komisioni Evropian ka miratuar më 8 nëntor një paketë të madhe të asistencës financiare prej 6 miliardë eurosh për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027.
Sipas planit, nga kjo shumë, deri në 2 miliardë euro do të shkonin si asistencë pa kthim, ndërsa 4 miliardë në formën e kredive të favorshme apo investimeve kapitale. Një pjesë e këtyre mjeteve financiare do të mund të shkonin përmes pagesave direkte në buxhetet e vendeve të rajonit për t’u përdorur për këto qëllime.
SHIKONI EDHE: Komisioni Evropian miraton planin për rritje ekonomike në BallkanKushtet për Kosovën dhe Serbinë janë përmendur edhe në dokumentet e Komisionit Evropian.
“Një parakusht tjetër do të jetë që Serbia dhe Kosova të angazhohen në mënyrë konstruktive për të normalizuar raportet mes tyre me qëllim të zbatimit të plotë të të gjitha obligimeve që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit dhe aneksit, si dhe të gjitha marrëveshjet nga e kaluara nga dialogu dhe të angazhohen në negociata për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve”, thuhet në këtë dokument.
Për Kosovën dhe Serbinë, nëse do të ketë përparim konkret në normalizimin e raporteve ndërmjet tyre, planifikohet të organizohet edhe një konferencë e veçantë donatorësh për të ndihmuar financimin e projekteve me qëllim të përbashkët.
Kosova, aktualisht, është nën masat e BE-së për shkak se është vlerësuar se nuk ka ndërmarrë hapat e duhur për të shtensionuar situatën në veri. Këto masa përfshijnë edhe mosshqyrtimin e disa projekteve nga Kosova që financohen përmes fondeve të para anëtarësimit të BE-së (IPA).
BE-ja përsërit se “këto masa janë të përkohshme dhe mund të hiqen”, por për një gjë të tillë nga Kosova kërkohet që “të bëjë më shumë hapa për shtensionimin e situatës”. Hapat që deri tash ka bërë Kosova konsiderohen si “hapa në drejtim të duhur”, por jo edhe të mjaftueshëm për t’u hequr masat.
Zyrtarët e BE-së kanë thënë se ”është e logjikshme që të insistojmë në bashkëpunim maksimal mes vendeve të rajonit nëse qëllimi është që përmes tregut të përbashkët rajonal, ato t’i sjellim në tregun unik të BE-së”. Ata kanë tërhequr vërejtjen se kjo ndihmë gjithashtu do të ketë disa kushtëzime, që kryesisht lidhen me përshtatjen e kornizës ligjore të BE-së dhe sundimin e ligjit.
Përveç ofertës së asistencës financiare, përfitimi nga ky plan do të jetë edhe në formën e hapjes së mundësisë që vendet e rajonit të kenë qasje në tregun unik të BE-së, edhe para se të mund të bëhen anëtare të bllokut. Për këtë duhet t’i përshtatin disa ligje, kurse në disa fusha duhet të bëhen edhe ndryshime në Marrëveshjet e Stabilizim-Asociimit që vendet e rajonit i kanë me Bashkimin Evropian.
Realizimi i qëllimeve të këtij plani do të shkojë paralelisht edhe me Procesin e Berlinit dhe zbatimin e marrëveshjes për tregun e përbashkët rajonal.
SHIKONI EDHE: Rrugëtimi i Ballkanit Perëndimor drejt anëtarësimit në BEKomisioni Evropian beson se konvergjenca ekonomike është element thelbësor për t’i sjellë vendet e Ballkanit Perëndimor më afër Bashkimit Evropian.
Plan i ri për rritje në Ballkanin Perëndimor është i bazuar në katër shtylla.
Shtylla e parë është “forcimi i integrimit ekonomik në tregun unik të BE-së". Kjo do të varet nga përshtatja e vendeve të rajonit me rregullat e tregut unik dhe paralelisht hapja e tregut të tyre në sektorët përkatës për vendet fqinje.
Shtylla e dytë e këtij plani është “forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal”. Kjo, sipas përvojës së BE-së do të ndikojë në një rritje potenciale ekonomike prej 10 për qind.
Shtylla e tretë e këtij plani është “përshpejtimi i reformave fundamentale“. Kjo nënkupton dhe sundimin e ligjit që ndihmon edhe në tërheqjen e investimeve direkte të huaja dhe forcon stabilitetin rajonal.
Shtylla e katërt e planit të ri të Komisionit Evropian për rritje ekonomike në Ballkanin Perëndimor është “rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat“. Këtu përfshihet edhe propozimi për 6 miliardë euro ndihmë.