Presidentja e Komisionit Evropian (KE), Ursula von der Leyen, i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që të zbatojnë udhërrëfyesin për shtensionimin e situatës veri të Kosovës.
"Ekziston një plan shumë i qartë dhe i përkushtuar për de-përshkallëzimin, një udhërrëfyes për të cilin të dyja palët punuan në fillim të këtij viti. Kjo është absolutisht jetike për të ecur përpara në një mënyrë paqësore. Dhe është e qartë se të dyja palët duhet të përmbushin atë që u ra dakord”, tha von der Leyen para fillimit të ditës së dytë të Samitit të NATO-s në Lituani.
Më 11 korrik, Bashkimi Evropian konfirmoi se Kosova ka pranuar të reduktojë praninë e policisë në dhe rreth ndërtesave komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok - komuna të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës - dhe se Kosova do të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, si pjesë e veprimeve për të shtensionuar situatën.
SHIKONI EDHE: Kurti: Dakordimi me BE-në do të vendosë barazi në dialogun Kosovë-SerbiDakordimi u arrit në një takim joformal në Bratislavë ndërmjet përfaqësuesit të Posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbis, Miroslav Lajçak dhe zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi.
Qeveria e Kosovës tha se të gjitha hapat do të "finalizohen brenda një periudhe dyjavore".
Po ashtu, Kosova dhe BE-ja janë pajtuar edhe për ndërmarrjen e disa hapave të tjerë.
Hapat drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës
Marrëveshja ndërmjet BE-së dhe Kosovës për zbatimin e deklaratës së 3 qershorit 2023 të 27 vendeve të BE-së
10 korrik 2023
Hapi | Veprimi | Koha |
---|---|---|
1 |
Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t'u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. | Java e parë |
2 |
Policia e Kosovës kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. | Nga java e parë, në vazhdimësi |
3 |
Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat nveriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve. | Nga java e parë, zbatimi sa më parë të jetë e mundur |
4 |
BE-ja do t'i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes. | Java e dytë |
Burimi: Qeveria e Kosovës
Sa i përket takimit mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, REL merr vesh se ai do të mbahet javën e ardhshme.
Bashkimi Evropian kishte paraqitur disa kërkesa për uljen e tensioneve në veri, që nisën në fund të majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Ndryshe, Kosova ka kërkuar vazhdimisht që të nisë zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që u arrit në Bruksel më 27 shkurt. Palët, më 18 mars në Ohër arritën edhe Aneksin për zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
SHIKONI EDHE: Vuçiq: Është e rëndësishme të kryhet hetim pas sanksioneve amerikane kundër VulinitMarrëveshja, prej 11 nenesh, nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.
Dokumenti kërkon nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.