Disa civilë janë plagosur dhe është dëmtuar infrastruktura nga bombardimet ruse në disa rajone të Ukrainës mëngjesin e së enjtes, thanë zyrtarët rajonalë.
Gjashtë njerëz u plagosën në rajonin Çerkasi, tha guvernatori rajonal Ihhor Taburets, i cili shtoi se u dëmtuar edhe infrastruktura kritike, pa shpjeguar më shumë.
Në rajonin Dnipropetrovsk u dëmtua infrastruktura e rëndësishme e energjisë dhe një tubacion gazi, por nuk u shkaktuan viktima, tha kryetari rajonal Serhiy Lysak.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja i dërgon Ukrainës raketa me rreze veprimi prej 300 kilometrashKatër njerëz u plagosën në Donjeck dhe tre të tjerë në Herson, thanë kryetarët e këtyre rajoneve, Vadym Filashkin dhe Oleksandr Prokudin, përkatësisht.
Për dëme u raportua edhe në rajonin Zaporizhja.
Në javët e fundit, Rusia i ka rritur dukshëm sulmet me dronë dhe raketa kundër infrastrukturës civile dhe posaçërisht asaj energjetike, duke shkaktuar dëme të mëdha në infrastrukturë dhe numër të madh të viktimave civile, teksa forcat ukrainase po përballen me mungesë të municioneve dhe të sistemeve të mbrojtjes ajrore.
Megjithatë, Ukraina pritet të furnizohet shumë shpejt me armë të rëndësishme për ta mbrojtur veten nga pushtuesi rus.
SHIKONI EDHE: Disa fëmijë në mesin e shtatë të plagosurve nga sulmet ruse në OdesaPresidenti amerikan, Joe Biden, e nënshkroi të mërkurën paketën me ndihmë ushtarake për Ukrainën, pasi ajo u miratua nga Kongresi amerikan pas shumë vonesave.
Sipas zyrtarëve amerikanë, pjesa e parë e ndihmës për Ukrainën – që ka vlerë të përgjithshme prej 61 miliardë dollarësh – do të nisë së ekzekutuari brenda orësh.
Aty përfshihen armë të mbrojtjes ajrore, municione për artileri, autoblinda dhe armë të tjera që do t’iu dërgohen forcave ukrainase, të cilat po përballen me pushtimin që Rusia nisi në shkurt të vitit 2022.