Piktorë pa atelie!

Your browser doesn’t support HTML5

Në fshatin Lepinë afër Komunës së Lipjanit jeton një familje 7 anëtarëshe rome. Vëlla e motër, ndonëse nuk kanë të përfunduar shkollën e artit, ata tashmë kanë mbi 200 piktura, të cilat i kanë punuar vetë.

Janë këta Bajram e Fahrije Mehmeti, të cilët në kushte mjaft të vështira ekonomike, megjithatë, kanë arritur që pasionin e tyre për pikturën mos ta shuajnë. Ndonëse shtëpia e tyre ka vetëm dy dhoma për të 7 anëtarët e familjes, ata e shfrytëzojnë për të fjetur, të ushqehen dhe jetojnë, si dhe e kanë improvizuar si atelie, për të pikturuar.

Bajram është 37 vjeçar. Ai thotë se përmes artit përpiqet që të pasqyrojë kulturën rome. Pothuajse të gjitha pikturat e tij kanë lidhshmëri me jetën e komunitetit rom në Kosovë.

Kryesisht pikturoj jetën e romëve, e paraqes kulturën rome dhe doket tona. Gjithashtu më pëlqen të pikturoj natyrën, peizazhet dhe portretet”.

Mund të them se punojmë me material i cili është lehtësisht i qasshëm për ne, për shkak se nuk kemi kushte të punojmë. Punojmë me teknikën e temperit, në letër. Kam dëshirë të punoj në pëlhurë, por për shkak të materialit që nuk e kemi, sepse nuk kemi kushte të mjaftueshme, punojmë me ato që kemi. Pra, unë dhe motra ime Fahrija, punojmë në letër dhe në këtë mënyrë prezantojmë kulturën dhe jetën tonë, përmes kësaj teknike”, tha Bajrami.

Bajrami thotë se në dy raste ka hapur ekspozitë, një herë në Komunën e Graçanicës dhe herën tjetër në Galerinë e Arteve të Kosovës. Për këtë të fundit,në të cilën janë ekspozuar mbi 200 piktura, Bajrami thotë se ku është pritur me mjaft interesim.

Kjo ekspozitë është mbajtur në vitin 2012. Ka pasur mjaft njerëz që i kanë shikuar punimet tona. Kjo ka qenë ekspozitë e veçantë, të cilën e kemi pasur në Kosovë”, tha Bajrami.

Ai shtoi se deri më tash, nuk kanë marrë ndonjë ndihmë për t’ua lehtësuar kushtet e punës.

Deri më tash as që kemi kërkuar, por besoj që për punën tonë kanë dëgjuar, por edhe e kanë parë, mjaft njerëz”.

Unë jam një artist autodidakt dhe që kur kam qenë fëmijë i vogël kam nisur të pikturoj. Nuk kam përfunduar shkollimin për pikturë, për shkak të kushteve, të cilat nuk i kemi pasur, sepse jemi një familje mjaft e varfër".

"Megjithatë, jam lajmëruar në një shkollë private për pikturë. Kjo ka qenë moti, në vitin 2000, në Uglare. Kështu kam mësuar mjaft teknika. Kështu edhe e kam përsosur punën time”, tha Bajrami.

As Fahrije Mehmeti, 39 vjeçe nuk ka të kryer shkollë për artin. Ajo ka mbaruar vetëm shkollën fillore. Ndonëse nuk ka pasur mundësi të vijojë më tej shkollimin, Fahrija tash është një artiste. Ajo pikturon portrete, ku përmes tyre pasqyron kulturën rome, komunitetit që edhe vetë i takon.

Përpos pikturave Fahrija , së voni ka filluar të pikturojë edhe shamitë, që i përdorin kryesisht komuniteti rom.

"Për mua do të thonë shumë kjo punë që bëj , pasi unë kam punuar portrete në letër, dhe tash punoj si ide të re, shamitë I ngjyrosi me ngjyra ku pasqyroj të njëjtën ide, pra kulturën rome, por jo në letër por ne material. Teknikën e njëjtë e përdori”.

Fahrija shpreson se dikush do t’iu ndihmojë që ata ta kenë një atelie të tyre, e që edhe është ëndrra e vetme e Fahrijes.

"Tash kemi një projekt, i cili dhëntë Zoti të ketë sukses, me ndihmën e njerëzve të mirë. Nëse ata kanë vullnet, të na ndihmojnë që ky projekt të ketë sukses, në mënyrë që të mbledhim para sa është e nevojshme që ta kemi atelienë tonë dhe material të mjaftueshëm që të punoj unë dhe vëllai im, me teknikën të cilën e ka”.

Mund të them se pasqyrojmë kulturën rome, por edhe grave të Kosovës. unë këtë e bëj përmes imagjinatës, ashtu siç më vjen ideja dhe e shpërfaqi. Tash për tash i kam të gatshme rreth 50 portrete”, tha Fahrija.

Sidoqoftë, ëndrra Bajramit dhe Fahrisë mbetet ndërtimi i një atelieje, gjithsesi me vullnetin e mirë të njerëzve që do të mund t’ju ndihmonin, dhe më pas ku ata do të mund të punonin duke shprehur talentin e tyre.