Jeta e Muhammad Nasserit u shkatërrua pas sulmit të paprecedent që grupi palestinez Hamas, i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja, kreu kundër Izraelit një vit më parë.
Brenda disa orëve nga sulmi i 7 tetorit, që vrau rreth 1.200 njerëz, Izraeli nisi një nga fushatat më vdekjeprurëse dhe më shkatërruese të sulmeve në historinë moderne në enklavën palestineze.
Nasseri ishte gazetar që punonte për media vendëse dhe ndërkombëtare në qytetin e Gazës, kryeqytetin e territorit. Por, kur forcat izraelite nisën një pushtim tokësor të Gazës disa javë më vonë, ai u detyrua të largohej nga shtëpia dhe ta braktiste profesionin e tij.
“Na duhej të evakuoheshim shpejt dhe nuk mundëm të merrnim asgjë personale, madje as rroba”, tha Nasser për Radio Farda të Radios Evropa e Lirë. “Nuk pata kohë as të hyj në makinën time”.
Nasseri, baba i gjashtë fëmijëve, gjithashtu ka humbur anëtarë të familjes së tij të gjerë në luftën që ka hyrë në vitin e dytë.
“Motra ime dhe të gjithë fëmijët e saj u vranë”, tha Nasseri, duke shtuar se ata ishin strehuar në një shkollë të drejtuar nga Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmën dhe Punën (UNRWA) në veri të Gazës, kur ai objekt u godit nga forcat izraelite.
Kostoja e luftës së Izraelit në Gazë është shumë e madhe: si në njerëz, ashtu edhe në infrastrukturë.
Më shumë se 41.000 palestinezë, shumica e tyre civilë, janë vrarë në Gazë që nga 7 tetori, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së drejtuar nga Hamasi. Izraeli ka thënë se ka vrarë rreth 17.000 luftëtarë të Hamasit.
Më shumë se 85 për qind e banorëve të Gazës, ose mbi 1.9 milionë njerëz, janë të zhvendosur brenda enklavës, sipas vlerësimeve të OKB-së. Ndërkohë, pothuajse e gjithë popullsia e Rripit të Gazës po përballet me uri për shkak të mungesës ekstreme të ushqimit.
SHIKONI EDHE: Lufta shkatërruese e Izraelit në Gazë - në shifraNasseri dhe familja e tij janë vazhdimisht në lëvizje për t’i shmangur forcat dhe sulmet ajrore izraelite. Ata tani jetojnë në një tendë në Al-Mawasi, një copëz toke e ngushtë përgjatë Detit Mesdhe.
Por, edhe atje, Nasseri ka frikë se do të jetë në shënjestër të avionëve luftarakë izraelitë, të cilët kanë goditur kampe të refugjatëve, shkolla dhe spitale gjatë vitit të kaluar.
SHIKONI EDHE:
Një sulm izraelit ndaj një shkolle vrau 22 persona, thotë Ministria e Shëndetësisë në GazëOKB do të shtojë Izraelin dhe Hamasin në listën e shkelësve të të drejtave të fëmijëveOBSH: Kequshqyerja e fëmijëve, posaçërisht ekstreme në veri të GazësIzraeli ka thënë se ka në shënjestër infrastrukturën dhe ndërtesat “terroriste” në Gazë dhe ka akuzuar Hamasin për përdorimin e civilëve si mburoja njerëzore.
“Fëmijët e mi, të afërmit e mi dhe unë jemi në rrezik të madh”, tha Nasseri. “Të afërmit tanë janë të shpërndarë. Nuk mund të mblidhemi as në një vend për ta takuar njëri-tjetrin”.
Ai nuk është i vetëm.
Hakeemi, një inxhinier civil nga qyteti i Gazës, gjithashtu është detyruar të zhvendoset.
“E gjithë vëmendja jonë është në gjetjen e një vendi të sigurt për strehim”, i tha 41-vjeçari Radio Fardas. “Ku është më sigurt? Ku mund të gjejmë ujë? Kjo është bërë jeta jonë”.
Ende nuk duket në horizont një fund për luftën e Izraelit në Gazë, që gjithashtu ka lënë të vrarë të paktën 346 ushtarë izraelitë. Hamasi është dobësuar ushtarakisht, por ende po hedh raketa ndaj Izraelit.
Izraeli ka zgjeruar luftën e tij javët e fundit duke pushtuar Libanin dhe duke nisur sulme ajrore që kanë në shënjestër Hezbollahun, grupin e armatosur dhe partinë politike që kontrollon pjesën më të madhe të jugut të Libanit.
Pavarësisht nga dhuna në rritje që ka përfshirë rajonin, Hakeemi shpreson që një ditë të kthehet në shtëpinë e tij në qytetin e Gazës.
“Ne ëndërrojmë që do të mund ta rindërtojmë jetën tonë, të kthehemi në veri dhe ta rindërtojmë jetën që kishim para 7 tetorit”, tha babai i katër fëmijëve.