Pfizer do të kërkojë autorizim për dozën e tretë të vaksinës

Një dozë e vaksinës Pfizer/BioNTech. Fotografi nga arkivi.

Kompanitë Pfizer dhe BioNTech njoftuan se do të kërkonin autorizimin për një dozë të tretë të vaksinës së tyre kundër COVID-19. Sipas prodhuesit të vaksinave, një dozë e tretë brenda 12 muajsh do të rrisë shumë imunitetin dhe mbase mund të ndihmojë në mbrojtjen nga variantet e reja të koronavirusit.

Varianti Delta i koronavirusit, ka ngjallur shqetësim në gjithë botën për shkak të aftësisë së përhapjes. Pfizer dhe BioNTech thanë se ata presin që një dozë e tretë do të jetë efektive kundër variantit Delta dhe se ata do të kërkojnë autorizim në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe rajone të tjera në javët e ardhshme.

Vaksina e Pfizer deri më tash merret me dy doza.

Hulumtimet e shumë vendeve tregojnë se vaksina e Pfizer dhe të tjerat, ofrojnë mbrojtje të fortë kundër variantit shumë ngjitës Delta, i cili po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën dhe tani mbizotëron shumicën e rasteve në Shtetet e Bashkuara.

Por, antitrupat natyrshëm zbehen me kalimin e kohës, kështu që po zhvillohen studime nëse ka nevojë, dhe kur do të duhet të merret një dozë e tretë.

Të enjten, Mikael Dolsten nga kompania Pfizer tha për Associated Press se nga disa hulumtime të hershme rezulton se përmes një doze të tretë nivelet e antitrupave të njerëzve ngriten 5-10 herë më shumë, krahasuar me dozën e dytë.

Pfizer ka në plan që në muajin gusht të kërkojë nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së autorizimin emergjent të një doze të tretë, tha ai.

SHIKONI EDHE: A janë vaksinat kineze efektive ndaj variantit Delta?

Disa orë pasi Pfizer bëri njoftimin, Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA-së dhe Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën thuhej se amerikanët nuk kanë nevojë për një dozë të tretë të vaksinës, transmeton CNN.

"Tash për tash, amerikanët të cilët janë të vaksinuar plotësisht, nuk kanë nevojë për një dozë përforcuese", thanë këto institucione.

Zyrtarët e Qeverisë amerikane në vazhdimësi kanë thënë se ekziston një rrezik i ulët i infektimit për njerëzit e vaksinuar plotësisht, madje edhe nga varianti Delta.

Ky variant ka shkaktuar shpërthime të rasteve të reja të të infektuarve në Azi, Afrikë ndërsa në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara është shënuar rritje e numrit të rasteve të reja.

Ky variant fillimisht është zbuluar në Indi disa muaj më parë.

Revista Nature ka publikuar të dhënat që tregojnë se bazuar në testet laboratorike të dhjetëra njerëzve, pasi kanë marrë dozën e parë të vaksinave Pfizer ose AstraZeneca, imuniteti i tyre "mezi e frenoi" variantin Delta. Por, disa javë pasi morën dozën e dytë, pothuajse të gjithë kishin atë që studiuesit e konsideruan një rritje të imunitetit mjaft të fortë për të neutralizuar variantin Delta.

SHIKONI EDHE: Çfarë duhet të dini për variantin Delta?

Më 6 korrik, Izraeli ka njoftuar se efektiviteti i vaksinës Pfizer/BioNtech ka rënë, pavarësisht se ajo mbetet shumë efektive në parandalimin e simptomave të rënda të sëmundjes COVID-19.

Ministria e Shëndetësisë e Izraelit tha se efektiviteti i vaksinës në parandalimin e infektimit dhe të sëmundjes me simptoma ka rënë në 64 për qind, por ajo mbetet 93 për qind efektive në parandalimin e hospitalizimeve dhe simptomave të rënda të sëmundjes.

Përgatiti: Kestrin Kumnova