Gjiganti farmaceutik Pfizer ka konfirmuar të shtunën për Radion Evropa e Lirë, marrëveshjen e arritur me Qeverinë e Kosovës për furnizim me vaksina kundër COVID-19, sëmundjes që shkakton koronavirusi.
Megjithatë në përgjigje janë ofruar pak detaje mbi marrëveshjen.
Aty është thënë se sasia dhe periudha e dërgimit të vaksinave në Kosovë mbetet konfidenciale.
“Marrëveshjet për dozat dhe kohën e dërgesave arrihen në pajtueshmëri me qeveritë, ashtu sikurse dhe Qeverinë e Kosovës dhe detajet janë konfidenciale”, është thënë në përgjigje.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka thënë të premten përmes një postimi në Twitter se këto doza vaksinash do të dërgohen në Kosovë deri në fund të vitit.
Me 28 maj, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia ka thënë se Kosova pret që deri në fund të vitit të pranojë 1.213.290 doza të vaksinës së kompanisë Pfizer.
SHIKONI EDHE: Kosova blen 1.2 milion doza të PfizeritPas mbledhjes së Qeverisë, Vitia ka thënë në një konferencë për media se nga 15 qershori do të nisë së zbatuari plani i imunizimit në masë kundër koronavirusit.
Vitia po ashtu ka thënë se plani i imunizimit në masë parasheh dhënien e një numri mes "300 mijë dhe 400 mijë vaksinave në muaj".
Kjo është kontrata e parë që Kosova ka arritur të nënshkruajë me ndonjë kompani farmaceutike për sigurimin e vaksinave kundër koronavirusit.
Deri më tani, Kosova ka përdorur vaksinat e dhuruara nga programi COVAX i Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe nga Bashkimi Evropian.
Të enjten, Kosova ka pranuar një kontingjent prej mbi 100 mijë vaksinash të kompanisë Pfizer nga COVAX-i.
Aktualisht, po vaksinohen personat personat nga mosha 65 deri në 79 vjeç, pasi u vaksinuan personat mbi 80 vjeç, ata me sëmundje kronike dhe personeli shëndetësor.
Qeveria e Kosovës synon që deri në fund të vitit të vaksinojë 60 për qind të popullatës.
Që prej marsit të vitit 2020, e deri më 28 maj, 2021, Kosova ka regjistruar 107.354 raste me COVID-19.
Prej tyre, 2.242 pacientë kanë vdekur dhe 102.519 janë shëruar.
Raste aktive janë 2.593.