Bashkimi Evropian dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) thanë se është pezulluar projekti për restaurimin e shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë të Jugut.
Ky vendim vjen pas kundërshtimeve për restaurimin e shtëpisë së Devës, figura e të cilit është lidhur me krimet që kryen nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Ne jemi në kontakt me të gjitha palët e përfshira dhe rivlerësojmë rolin dhe kontributin tonë, duke përfshirë edhe mundësinë për të përdorur situatën aktuale si mundësi që të adresohet hapur e kaluara përmes diskutimeve dhe konsultimeve me të gjitha komunitetet e rëndësishme”, thuhet në një njoftim të përbashkët të BE-së dhe UNDP-së.
Ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Jorn Rohde e ka cilësuar Xhafer Devën si “bashkëpunëtor të ngushtë të nazistëve”.
SHIKONI EDHE: Figura e Xhafer Devës e shpjeguar nga historianëtXhafer Deva ka qenë politikan shqiptar në periudhën e Luftës së Dytë Botërore, 1939-1945. Më 1944, Deva u emërua ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Shqipërisë, e cila u formua me mbështetje të Gjermanisë naziste.
“UNDP dhe BE dënojnë fuqishëm antisemitizmin dhe ksenofobinë dhe manifestimet e shumta të tyre, përfshirë edhe rritjen e intolerancës ndaj pakicave etnike dhe komuniteteve të cenueshme. Ne jemi të përkushtuar që të mbrojmë të pambrojturit, të promovojmë të drejtat themelore të njeriut dhe të mbështesim lirinë, dinjitetin dhe të luftojmë dezinformimin”.
Më 1 shkurt, BE-ja, UNDP-ja dhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit kishin njoftuar për projektin e restaurimit të shtëpisë së Xhafer Devës.
UNDP-ja dhe BE-ja tha se qëllimi i projektit ka qenë që të sjellë komunitetet së bashku dhe të kontribuojë në kohezionin shoqëror, duke përdorur trashëgiminë kulturore si një instrument për dialogun midis komuniteteve.
Shtëpia Xhafer Devës thuhet se është ndërtuar në vitin 1930 nga arkitektë dhe punëtorë austriakë.
Sipas MKRS-së, objekti ka stil modern perëndimor-evropian dhe është i pari i këtij lloji në Mitrovicë. Karakterizohet me dekorime të shumta që, sipas MKRS-së, janë tipike për stilin e tij.
Shtëpia është në listën e përkohshme të monumenteve të mbrojtura të trashëgimisë kulturore në Kosovë.