Petkoviq reagon ndaj deklaratës së Rashiqit për institucionet arsimore dhe shëndetësore në Kosovë

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq. Fotografi nga arkivi.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, tha se ministri për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Nenad Rashiq, ka “njoftuar për pushtimin” e institucioneve arsimore dhe shëndetësore serbe nga autoritetet e Kosovës, duke shtuar se roli i tij në Qeverinë e kryeministrit, Albin Kurti, është të jetë “udhëheqës” dhe “megafon”.

“Rashiq po kontribuon në fushatën e përditshme antiserbe, e cila synon një Kosovë dhe Metohi të pastër etnikisht, pa serb, të cilët Kurti dëshiron t'i lërë pa spitale dhe shkolla, mjekësi dhe tekste shkollore dhe në këtë mënyrë të shkaktojë një katastrofë humanitare”, thuhet në reagimin e Petkoviqit lidhur me deklaratën që Rashiq dha për Radion Evropa e Lirë.

Mirëpo, në deklaratën e tij, Rashiq nuk ka “njoftuar” për pushtimin e spitaleve dhe shkollave që funksionojnë në zonat ku jetojnë serbët në Kosovë, dhe funksionojnë në bazë të sistemit serb. Por, ministri Rashiq ka deklaruar se duhet të planifikohen opsionet në mënyrë që të mos “befasohemi nga ajo që Beogradi fsheh nga ne”.

SHIKONI EDHE: Rashiq për shëndetësinë e arsimin serb: Duhet të jemi gati për çdo skenar

Ai po ashtu ka thënë se institucionet arsimore dhe shëndetësore në komunitetet serbe në Kosovë, të cilat financohen nga buxheti i Serbisë dhe funksionojnë nën sistemin e saj, do të duhet “të inkorporohen” në sistemin legjislativ të Kosovës, pasi marrëveshjet e arritura në Bruksel e parashikojnë një gjë të tillë.

“Duhet të gjejmë hapësirë në ligjet e Kosovës, në mënyrë që bashkëqytetarët tanë të mos pësojnë dëme”, ka thënë Rashiq për Radion Evropa e Lirë.

Me marrëveshjen e parë mes Kosovës dhe Serbisë, të arritur në Bruksel në vitin 2013, është rënë dakord për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, për ngritjen e komunave dhe të institucioneve të tjera sipas sistemit të Kosovës, si dhe për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, i cili do të rregullonte funksionimin e disa institucioneve serbe dhe financimin e tyre.

Përkundër kësaj, Kosova nuk e ka formuar Asociacionin dhe Serbia ka refuzuar t’i shpërbëjë institucionet e saj paralele.

Por, nga fillimi i këtij viti, autoritetet e Kosovës kanë filluar t’i mbyllin institucionet serbe, me arsyetimin se puna e tyre cenon rendin kushtetues të Kosovës.

Këto veprime janë kritikuar nga komuniteti serb dhe nga bashkësia ndërkombëtare, e cila thotë se lëvizjet e tilla “të pakoordinuara” mund t’i rrisin tensionet në terren.

SHIKONI EDHE:

Vuçiq del me masa të Serbisë për Kosovën, kërkon kthimin e serbëve në institucioneLista Serbe: Institucionet paralele nuk e kanë shkelur ligjin

Më 13 shtator, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se autoritetet e Kosovës do të “pushtojnë” institucionet shëndetësore dhe arsimore.

Paraprakisht, në fillim të shtatorit ai tha se Kosovë funksionojnë ende institucionet më të rëndësishme, përkatësisht shëndetësia dhe arsimi.