Kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, ka thënë të mërkurën në Bruksel se ndërmjetësuesi i këtij procesi, Mirosllav Lajçak, ka vendosur që të mos kishte takim trepalësh në këtë moment.
Ai i ka bërë këto deklarata pas takimit që ka zhvilluar me ndërmjetësuesin e BE-së për dialog, duke thënë se pala e Kosovës ka qenë e interesuar në një takim mes tre zyrtarëve.
“Ka qenë si duket qëndrim i Lajçakut që në këtë moment, takimi trepalësh jo domosdo do të kontribuonte në finalizimin e dokumenteve, sepse mendon që ka ende nevojë për koordinim shtesë para se kjo të ndodhë, madje edhe ka ide që plani i sekuencimit [të Marrëveshjes Bazë] kërkon takim të nivelit të lartë, sipas tij, dhe qartazi kryenegociatorët nuk mund ta përfundojnë këtë proces në mënyrë të suksesshme”.
Më herët gjatë ditës, me Lajçakun është takuar edhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq.
Në një shkrim në Twitter të mërkurën vonë, Lajçaku ka thënë se me Bislimin dhe Petkoviqin “biseduam për një listë të gjatë të çështjeve të dialogut, duke nisur me zbatimin e Marrëveshjes së 27 shkurtit dhe shtensionimin”.
“Bisedimet do të vazhdojnë në periudhën e ardhshme”.
"Diskutuam katër tema"
Bislimi ka thënë se me Lajçakun ka diskutuar për katër tema: plani i sekuencimit të Marrëveshjes Bazë, termat e referencës për monitorimin e Marrëveshjes Bazë, termat e referencës për zbatimin e Deklaratës për personat e pagjetur, dhe për Marrëveshjen për energjinë.
Me Marrëveshjen Bazë, Bislimi i është referuar pajtueshmërisë së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, në shkurt të këtij viti, për normalizim të marrëdhënieve.
Dy vendet më pas janë pajtuar edhe për aneksin e zbatimit, në Ohër të Maqedonisë së Veriut.
Takimi Vuçiq - Lajçak
Lajçaku është takuar të mërkurën edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Vuçiq ka thënë pas takimit se Beogradi vazhdon të insistojë në hapat konkretë për mbrojtjen e jetës së serbëve në Kosovë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura.
"Kam folur me Mirosllav Lajçakun për raundin e fundit të bisedimeve teknike midis Beogradit dhe Prishtinës dhe mënyrat për t’i ulur tensionet në terren. Serbia vazhdon të insistojë në hapa konkretë për të mbrojtur jetët e serbëve në Kosovë dhe Metohi, si dhe për zbatimin nga marrëveshjet e arritura deri më tani”, ka thënë presidenti serb përmes një postimi në Instagram.
I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë të martën se nuk sheh gatishmëri të Kosovës dhe Serbisë për ta zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, ndonëse ajo, sipas tij, ofron mundësi të jashtëzakonshme për të dyja vendet.
SHIKONI EDHE: Escobar: Nuk shoh gatishmëri të Kosovës dhe Serbisë për zbatim të Marrëveshjes së OhritTensionet e fundit në veri të Kosovës e kanë kthyer procesin e dialogut në fazë të menaxhimit të krizave dhe kanë larguar fokusin nga implementimi i Marrëveshjes së Ohrit.
Situata në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - është tensionuar qysh në fund të majit, kur Policia e Kosovës ka asistuar kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Leposaviqit e Zubin Potokut të hynin në ndërtesat komunale, me gjithë rezistencën e banorëve lokalë serbë.
Tensionet kanë kulmuar në dhunë më 29 maj, kur protestuesit serbë në Zveçan janë përleshur me ushtarë të misionit të NATO-s, KFOR.
Dhjetëra të plagosur janë raportuar nga të dyja anët.
Komuniteti ndërkombëtar ka bërë përgjegjëse Kosovën për tensionet e krijuara, ndërsa Kosova dhe Serbia kanë fajësuar njëra-tjetrën.
Bashkimi Evropian madje ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës.
I pyetur nëse arritja e pajtueshmërisë më 10 korrik në Bratisllavë mes Kosovës dhe BE-së për shtensionim të situatës, do të rezultojë me heqjen e masave ndëshkuese të bllokut evropian ndaj Prishtinës, Bislimi ka thënë se është i habitur me mosveprimin e kryediplomatit të BE-së, Josep Borrell.
“Në Bratisllavë jemi dakorduar për një marrëveshje që quhet Aranzhimet mes Kosovës dhe BE-së për implementimin e qëndrimit të 27 vendeve anëtare të BE-së, të datës 3 qershor. Titulli tregon se marrëveshja ka të bëjë me zbatimin e kërkesave të BE-së dhe rrjedhimisht u përgjigjet kërkesave të BE-së. Për ne ka qenë e qartë se kjo është rruga për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, dhe për ne është habi që edhe tetë ditë pas darkodimit, ende nuk kemi një letër shpjeguese nga ana e zotit Borrell që kërkon heqjen e masave”.
Hapat drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës
Marrëveshja ndërmjet BE-së dhe Kosovës për zbatimin e deklaratës së 3 qershorit 2023 të 27 vendeve të BE-së
10 korrik 2023
Hapi | Veprimi | Koha |
---|---|---|
1 |
Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t'u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. | Java e parë |
2 |
Policia e Kosovës kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. | Nga java e parë, në vazhdimësi |
3 |
Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat nveriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve. | Nga java e parë, zbatimi sa më parë të jetë e mundur |
4 |
BE-ja do t'i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes. | Java e dytë |
Burimi: Qeveria e Kosovës
Kosova dhe Serbia janë pjesë e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, për normalizim të raporteve, prej vitit 2011.
Palët kanë nënshkruar një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.