Në Zveçan dhe Zubin Potok ka nisur mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë në këto dy komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe.
Dushan Vuksanoviq, anëtar i grupit nismëtar për inicimin e peticionit në Zveçan, tha se mbledhja e nënshkrimeve për peticionin ka nisur mëngjesin e 19 janarit, duke shtuar se pret që brenda afatit të caktuar kohor të mblidhen nënshkrimet e nevojshme.
Siç raporton ekipi i Radios Evropa e Lirë, në Zveçan është parë një numër i madh i qytetarëve duke nënshkruar peticionin, në mesin e tyre edhe përfaqësues të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit.
Ndërkaq, kur ekipi i REL-it vizitoi Zubin Potokut, para vendit të caktuar për nënshkrimin e peticionit kishte pak persona.
Sërxhan Vuçiniq, një nga iniciatorët e peticionit në Zubin Potok, tha se kryetari shqiptarë nuk mund t'i përfaqësojë serbët, që përbëjnë shumicën në këtë komunë.
“Ne do të përdorim të drejtën tonë demokratike për ta zëvendësuar atë. Fakti është se kryetari aktual është zgjedhur me disa qindra vota dhe nuk mund të na përfaqësojë”, tha ai.
Ai shtoi se në mëngjesin e 19 janarit ka pasur shumë qytetarë që e kanë nënshkruar peticionin dhe pret që ky trend të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Ngjashëm, me organizimin dhe nën udhëheqjen e Listës Serbe, më 17 janar nisi mbledhja e nënshkrimeve për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë edhe në dy komunat e tjera në veri, përkatësisht në Mitrovicë të Veriut dhe Leposaviq.
Që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet që të mblidhen së paku 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar. Kjo nënkupton se në Zubin Potok duhet të mblidhen 1.347 nënshkrime, ndërkaq peticionin në Zveçan duhet ta nënshkruajnë 1.411. Në Mitrovicë të Veriut kërkohen të paktën 3.640 nënshkrime dhe në Leposaviq 2.689.
Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, javën e kaluar deklaroi se qytetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit dhe Zubin Potokut kanë afat që deri më 22 janar të mbledhin nënshkrimet e nevojshme për peticionin.
SHIKONI EDHE:
Peticionet në veri - “përmirësim i gabimit” apo vullnet i qytetarëve Mobilizim për t’i larguar kryetarët shqiptarë në veriAi shtoi se afati për qytetarët e Zveçanit është më i gjatë për pesë ditë, për shkak se në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) është dorëzuar më vonë kërkesa për listën me numrin e saktë të votuesve të regjistruar në këtë komunë.
Peticioni për shkarkimin e kryetarit të komunës po mbahet në bazë të Udhëzimit Administrativ që Qeveria e Kosovës e miratoi shtatorin e vitit të kaluar për t’i hapur rrugë shpalljes së zgjedhjeve lokale në komunat në veri, pasi serbët lokalë nuk po i pranojnë kryetarët shqiptarë.
Serbët kishin bojkotuar zgjedhjet e prillit të kaluar, në të cilat u zgjodhën kryetarët e rinj shqiptarë. Nisja e mandatit të tyre në fund të majit, rriti tensionet në veriun e Kosovës.
Më pas, komuniteti ndërkombëtar kërkoi shtensionimin e tensioneve dhe bëri thirrje për mbajtjen e zgjedhjeve të reja.
Nëse KQZ-ja konfirmon se peticioni ka qenë i suksesshëm, më pas organizohet votimi për shkarkimin e kryetarëve. Ky votim duhet të mbahet brenda 45 ditësh. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohen 50 për qind, plus një votë e qytetarëve me të drejtë vote.
Më pas, rezultati i dërgohet presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka afat nga 30 deri në 45 ditë që të shpallë zgjedhjet e parakohshme.