A mundet që një ish-zyrtar me lidhje të thella në partinë në pushtet, Fidesz, të drejtojë një lëvizje për të çliruar Hungarinë nga korrupsioni i supozuar nën udhëheqjen e kryeministrit Viktor Orban?
Pavarësisht nga dyshimet, Peter Magyar, i cili për vite të tëra shihej si një zyrtar me një besnikëri të përjetshme ndaj partisë në pushtet, ka njoftuar për planet që të bëjë pikërisht këtë, duke tërhequr pas vetes mijëra mbështetës në disa tubime në Budapest, më të mëdhatë të mbajtura në Budapest në vitet e fundit.
Në muajt e fundit, Magyar ka tronditur skenën politike në Hungari me akuza për korrupsion dhe lidhjet miqësore në nivele të larta të pushtetit. Ish-gruaja e tij, ish-ministrja e Drejtësisë, Judit Varga, po ashtu e gjeti veten të përfshirë në një skandal të madh që nuk detyroi vetëm atë që të dorëhiqej, por çoi edhe në dorëheqjen e presidentes së vendit, duke tronditur Orbanin, që dukej i paprekshëm.
Duke iu drejtuar një turme me dhjetëra mijëra persona më 6 prill, që u mblodhën jashtë ndërtesës së Parlamentit në Budapest, Magyar, 43 vjeç, u zotua se do të bashkonte hungarezët konservatorë dhe liberalë që janë të zhgënjyer nga sundimi i Orbanit dhe nga opozita e përçarë dhe joefektive.
“Hap pas hapi ne po e rimarrin atdheun tonë dhe po e ndërtojmë një shtet të ri, një Hungari sovrane, moderne dhe evropiane”, tha Magyar, duke shtuar se protesta ishte “demonstrimi më i madh politik në vitet e fundit”.
Fidesz, partia populiste e krahut të djathtë që është në pushtet që nga viti 2010, po e vëzhgon me vëmendje atë. Sipas Shërbimit Hungarez të Radios Evropa e Lirë, mediat e afërta me shtetin, e kanë portretizuar Magyarin si pjesë të “së majtës së dollarit” dhe vegël të George Sorosit, filantropistit miliarder të lindur në Hungari i cili shpesh është cak i teorive konspirative dhe keqinformimit në mediat sociale.
SHIKONI EDHE: Dhjetëra mijëra njerëz protestojnë në Budapest kundër Viktor OrbanitTamas Menczer, shefi i ri i komunikimit në Fidesz, e ka lidhur Magyarin me kandidatin opozitar për kryeministër në zgjedhjet parlamentare të vitit 2022, Peter Marki-Zay, duke pretenduar se personat e njëjtë po e mbështesin Magyarin. Marki-Zay ishte parë si një kandidat që mund të mblidhte vota në mbarë spektrin politik dhe të bashkonte opozitën thellësisht të ndarë të Hungarisë. Por, pavarësisht se bëri një fushatë entuziaste, Marki-Zay u mposht në zgjedhje, me Orbanin që rriti shumicën e tij në Parlament. Opozita, tha Meczer, dëshironte luftë, migrantë, propagandë për gjininë, duke shtuar se vetëm Orbani dhe Fideszi mund ta mbrojnë Hungarinë.
Kritikët e Orbanit, qoftë brenda vendit apo jashtë, për një kohë të gjatë e kanë akuzuar atë se ka shkatërruar institucionet demokratike të Hungarisë, ka rritur kontrollin ndaj mediave dhe ka ndryshuar sistemin zgjedhor të shtetit në favor të partisë së tij, Fidesz. Bashkimi Evropian ka bllokuar miliarda euro fonde për Budapestin për shkak të kthimit prapa të demokracisë, për shkak të keqpërdorimit të fondeve të BE-së dhe dështimit për të garantuar të drejtat e minoriteteve. Orbani po ashtu është kritikuar për qëndrimin e tij ndaj pushtimit rus të Ukrainës, qëndrim që gjerësisht është parë si armiqësor ndaj Kievit dhe miqësor ndaj Moskës.
Zoltan Lakner, politolog hungarez, muajin e kaluar i tha Shërbimit Hungarez të REL-it se Magyari po përdor zhgënjimin që shumë hungarezë kanë me politikat aktuale të shtetit dhe në paaftësinë e opozitës për t’i penguar këto politika.
“Magyar, për opozitën paraqet konkurrencë”, tha Lakner.
“Jam ngopur me situatën në 14 vjetët e fundit. Prandaj po protestoj”, tha një grua për REL-in gjatë tubimit të parë në Budapest më 15 mars, kur Magyar u zotua se do të formojë një parti të re centriste dhe do të marrë pjesë në zgjedhjet evropiane që mbahen më vonë gjatë vitit.
Sipas të dhënave nga sondazhi i Evropës Qendrore Median, 68 për qind e votuesve kanë dëgjuar për hyrjen në fushatën politike të Magyarit, dhe 13 për qind e tyre kanë deklaruar se ka gjasa që të mbështesin partinë e tij, pas zhgënjimit me normat e larta të inflacionit në BE gjatë dy vjetëve të fundit.
Pavarësisht vëmendjes dhe momentumit, Magyar përballet me disa sfida. Partia politike, që ai premtoi se do ta formonte, ende nuk është bërë publike. Përderisa ai e bëri të qartë se kundërshton sistemin që ka ndërtuar Orbani, Magyari nuk ka dhënë shumë specifika se si planifikon të rrëzojë nga pushteti partinë e Orbanit. Ai po ashtu nuk ka dhënë specifike për qëndrimet e tij për çështje të ndryshme, si për shembull për luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
I lindur në një familje të përfshirë në politikë, Magyar ka qenë një figurë e shquar në politikën hungareze, dhe i lidhur me partinë Fidesz. Që nga viti 2010, ai ka shërbyer në Ministrinë e Jashtme dhe po ashtu ka qenë i emëruar si përfaqësues i përhershëm i Hungarisë në BE. Avokat me profesion, ai po ashtu ka menaxhuar departamentin ligjor të BE-së në Bankën hungareze për Zhvillim dhe ka udhëhequr qendrën për kredi studentore të shtetit nga viti 2019 deri më 2022.
Ai mori vëmendjen e publikut në shkurt gjatë skandalit më të madh që viteve të fundit ka goditur Qeverinë hungareze.
Presidentja hungareze, Katalin Novak, dha dorëheqje më 10 shkurt për shkak se i kishte ofruar falje presidenciale një personi të dënuar si bashkëpunëtor në një rast të abuzimit seksual të fëmijëve.
SHIKONI EDHE: Dorëhiqet presidentja e Hungarisë, pas faljes së një burri të lidhur me abuzime fëmijëshNovak, një aleate kyçe e Orbanit dhe ish-zëvendëspresidente e Fideszit, kishte shërbyer si ministre për Familjen derisa u bë presidente. Ajo ka qenë mjaft e zëshme në promovimin e vlerave të familjes tradicionale dhe të mbrojtjes së fëmijëve.
Përderisa personalisht nuk ishte i përfshirë në skandal, Magyar megjithatë ishte i lidhur me të. Ish-gruaja e tij, me të cilën u shkurorëzua më 2023, është Judit Varga, një tjetër figurë kyçe e Fideszit, e cila ishte ministre e Drejtësisë dhe kishte mbështetur faljen presidenciale. Varga pritej të kryesonte listën e kandidatëve të Fideszit për zgjedhjet e Parlamentit Evropian që mbahen në qershor.
Por, Varga njoftoi – po ashtu më 10 shkurt – se do të merrte përgjegjësinë politike “dhe do të pensionohen nga jeta publike, duke dhënë dorëheqje nga posti i deputetes në Parlamentin hungarez dhe po ashtu si udhëheqëse e listës [për Parlamentin Evropian]”.
Pas dorëheqjeve, Magyar, i cili ka mbajtur disa pozita të larta në kompani shtetërore, përdori mediat sociale për të kritikuar politikanët e partisë në pushtet, Fidesz.
“As edhe për një minutë nuk dua të jem pjesë e sistemit që fajtorët e vërtetë i fsheh pas minifundeve të grave”, shkroi ai në Facebook më 11 shkurt. Më vonë gjatë asaj mbrëmjeje, Magyar dha një intervistë të gjatë për kanalin në YouTube, Partizan, që është një prej mediave të pakta të pavarura që nuk mbizotërohet nga zërat që janë pro Qeverisë hungareze.
Në video, e cila u shikua 2.5 milionë herë në këtë platformë, Magyar kritikoi korrupsioni endemik në Hungari. Ai po ashtu akuzoi Qeverinë për fushata të shpifjes për të diskredituar kundërshtarët e saj dhe tha se Antal Rogan, ministri që udhëheq zyrën e Orbanit, po udhëhiqte një makineri të centralizuar propagande.
Magjar më 26 mars publikoi incizimi e një bisede me ish-gruan e tij, ku Varga fliste për përpjekjet e një ndihmësi të lartë të shefit të kabinetit të Orbanit për të ndërhyrë në një rast ryshfeti. Prokurorët tani janë duke hetuar këto deklarata.
SHIKONI EDHE: Çfarë nënkupton rënia e presidentes hungareze për fuqinë e Orbanit?Nëse Magyar qëndron në skenën politike, atë e pret një rrugë e vështirë përpara, veçanërisht për faktin që Hungaria nuk pritet të mbajë zgjedhje parlamentare deri në vitin 2026. Ky politikan megjithatë mund të marrë pjesë në zgjedhjet për Parlamentin Evropian gjatë kësaj vere, edhe nëse deri atëherë nuk krijon partinë e re.
Në Hungari janë të regjistruara 185 parti dhe në mesin e tyre janë edhe të ashtuquajturat “parti të fjetura”, që do të thotë që janë të regjistruara, por nuk janë aktive. Magyar tha se është në bisedime me të paktën tri parti të tilla. Nëse arrihet një marrëveshje, sipas këtij skenari, partia e tij duhet më pas që të mbledhë 2.000 nënshkrime nga 20 prilli deri më 3 maj për të plotësuar kushtet në mënyrë që të marrë miratimin nga zyrtarët zgjedhorë për pjesëmarrje në zgjedhjet e ardhshme.
Dhe pavarësisht sfidave me të cilat përballet ai, zgjedhjet evropiane mund të jenë një barometër perfekt për të matur se sa mbështetje reale ka Magyari nga bashkëkombësit e tij, tha Robert Laszlo, ekspert zgjedhor në Political Capital, një institut me seli në Budapest. Kjo, sipas tij, është për faktin se në zgjedhjet votohet për listat e partive dhe jo për individët.
“Mandatet po ashtu shpërndahen përafërsisht me votat e përgjithshme, në mesin e listave të partive që kalojnë pragun prej 5 për qind”, tha Laszlo për Shërbimin Hungarez të REL-it. “Pra, do të tregojë sa ka mbështetje për Peter Magyarin, dhe kjo mund të përcaktojë të ardhmen e tij politike katër muaj pasi ai hyri në skenën politike”, shtoi ai.