Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tregoi se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u ka kërkuar serbëve në veri të Kosovës që të tërhiqen nga barrikadat.
Ai tha se kjo kërkesë u bë pas deklaratës së lëshuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian lidhur me situatën në veri të Kosovës.
"Pas këtyre deklaratave zyrtare [të komunitetit ndërkombëtar], presidenti [i Serbisë, Aleksandar] Vuçiq zhvilloi një bisedë për më shumë se dy orë me serbët e veriut, dhe ua prezantoi përmbajtjen e këtyre dokumenteve dhe deklaratave. U tregoi gjithçka që do të përfitojmë dhe kërkoi që populli ynë të tërhiqet nga barrikadat", tha Petkoviq gjatë një konference për media më 28 dhjetor.
Petkoviq tha se përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, që ishin në Beograd, do të kthehen në Kosovë për të biseduar me serbët që janë në barrikada dhe pas orës 19:00 do të takohen me Vuçiqin, në territorin e Serbisë, ku do të kuptohet se çfarë vendimi kanë marrë serbët e veriut, sa i përket çështjes së tërheqjes nga barrikadat.
SHIKONI EDHE: KFOR-i kërkon dialog për të zbutur tensionet në veriAi tha se kanë marrë garancitë “më të forta ndonjëherë” nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, për tërheqjen e serbëve nga barrikadat e ngritura në veri të Kosovës.
“Po e shfrytëzoj mundësinë për të dhënë lajmin e mirë se kemi marrë garancitë më të forta ndonjëherë nga SHBA-ja dhe BE-ja kur bëhet fjalë për kërkesat e serbëve, kushtet e tyre që të tërhiqen nga barrikadat”, tha Petkoviq.
Petkoviq e cilësoi si lajm të mirë ndryshimin e masës së sigurisë të Dejan Pantiqit, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
“Është një fitore e madhe, mbi të gjitha për popullin serb në Kosovë”, tha ai.
Ish-policit serb, Dejan Pantiq, autoritetet në Kosovë më 28 dhjetor ia ndryshuan masën e sigurisë, nga paraburgimi në arrest shtëpiak.
Ai ishte arrestuar më 10 dhjetor në Jarinjë, nën dyshimet për "sulmin terrorist" të 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.
Serbët vendosën disa kushte për largimin e barrikadave, sikurse lirimi i serbëve të arrestuar dhe "tërheqjen" e listave të supozuara me emrat e serbëve që do të arrestoheshin nga Policia e Kosovës.
“Kemi marrë një deklaratë të përbashkët zyrtare nga SHBA-ja dhe BE-ja në të cilën është përmbushur qartë kërkesa e dytë e serbëve, ku pjesa më e rëndësishme është të konfirmohet se nuk ka lista për arrestimin apo ndjekjen penale të shtetasve serbë nga Kosova për pjesëmarrje. në protesta paqësore apo barrikada”, tha Petkoviq.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, përmes një deklarate të përbashkët, thanë më 28 dhjetor se kanë marrë garanci nga autoritetet në Kosovë se nuk ka lista me emrat e serbëve që do të arrestohen apo përndiqen që protestojnë paqësisht apo për vendosjen e barrikadave.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja dhe BE-ja të shqetësuara për tensionet e vazhdueshme në veri“Me këtë deklaratë mund të konfirmoj se njerëzit tanë në barrikada janë të mbrojtur”, tha Petkoviq gjatë një konference për media.
Petkoviq tha gjithashtu se elementi i tretë i kërkesave të serbëve nga Kosova janë garancitë që Serbia i ka marrë nga misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR.
“Fjala është për konfirmimin dhe garanci krejtësisht të reja të lëshuara nga KFOR-i, në të cilat qartë thuhet dhe konfirmohet se Forcat e Sigurisë të Kosovës nuk mund të shkojnë në veri të Kosovës pa pëlqimin paraprak të komandantit të KFOR-it dhe katër përfaqësuesve të komuniteteve lokale nga veriu i Kosovës”, tha Petkoviq.
Ndryshe, Kosova është e vetëdijshme se ka marrëveshje me NATO-n që Forcat e Sigurisë së Kosovës të mos dërgohen në veri pa pëlqimin e komandantit të KFOR-it dhe kjo nuk ka qenë çështje e diskutimit.
Mirëpo, deri më tani Serbia ka qenë zëshëm kundër dërgimit të njësive speciale të Policisë së Kosovës në veri, duke thënë se kjo është në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare. Megjithatë, një marrëveshje për një gjë të tillë nuk është arritur kurrë.
SHIKONI EDHE: Asnjë marrëveshje s’i ndalon njësitë speciale të shkojnë në veriPetkoviq shtoi se Serbia do të vazhdojë të luftojë për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës dhe mbi të gjitha, për formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, më 28 dhjetor u ka bërë thirrje serbëve në Kosovë të aplikojnë për punë në institucionet e Kosovës, pasi zyrtarët serbë në veri të Kosovës, në nëntor u tërhoqën nga institucionet.
Pse u ngritën barrikadat?
Arrestimi i Pantiqit nxiti disa serbë lokalë të bllokonin rrugët në veri. Për shkak të barrikadave të vendosura, që nga 10 dhjetori, dy pikat kufitare që lidhin Kosovën dhe Serbinë - Jarinjë dhe Bërnjak - janë të mbyllura.
Më 27 dhjetor, për shkak të barrikadave të vendosura në territorin e Serbisë, u mbyll edhe pika tjetër kufitare, ajo e Merdares.
Your browser doesn’t support HTML5
Për vendosjen e barrikadave, Kosova ka fajësuar “grupet kriminale” që mbështeten nga Serbia.
Së fundi, në veri janë regjistruar një sërë incidentesh me armë zjarri, granata dore dhe shok bomba.
Cak i sulmeve kanë qenë pjesëtarët e Policisë së Kosovës, të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, ata të misionit të BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX, dhe gazetarët.