Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, tha se njësitet anti-terror të xhandarmërisë serbe më 14 qershor kanë arrestuar tre zyrtarë të njësive speciale të Policisë së Kosovës, që sipas tij “ishin të armatosur deri në dhëmbë”.
Ai i identifikoi të arrestuarit me inicialet R.Z, B.S dhe M.Sh.
“Ata u arrestuan në orën 12:38 në thellësi të territorit të Serbisë qendrore, në fshatin Gnjillica në afërsi të Rashkës”, tha Petkoviq gjatë një konference për media në Beograd.
Rashka gjendet në jugperëndim të Serbisë, rreth 10 kilometra nga kufiri me Kosovën.
Policia e Kosovës tha më herët se tre zyrtarë të saj policorë dyshohet se janë rrëmbyer nga trupat serbe “thellë brenda territorit të Kosovës”, në afërsi të vijës kufitare në komunën e Leposaviqit. Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, vendi i quajtur Tresave/Bare - ku dyshohet se janë rrëmbyer policët - gjendet 300 metra në brendësi të territorit të Kosovës.
“Dëshiroj të theksoj se pjesëtarët e policisë sonë nuk kanë shkelur në territorin e Kosovës dhe nuk kanë shkelur as rezolutën 1244 [të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara] dhe as marrëveshjen ushtarako-teknike [Marrëveshja e Kumanovës] për shkak se nuk kanë kaluar vijën administrative. Ata që kanë shkelur këto marrëveshje ndërkombëtare janë pikërisht pjesëtarë të Policisë së Kosovës”, tha Petkoviq.
Petkoviqi hodhi poshtë deklarimin e autoriteteve në Kosovë, se policët u rrëmbyen brenda territorit të Kosovës.
“Ata nuk u rrëmbyen, por u gjetën thellë në territorin e Serbisë qendrore”, tha Petkoviq.
SHIKONI EDHE: Kosova thotë se Serbia ia "kidnapoi" tre policë, Serbia thotë se i arrestoi në territorin e sajSipas tij, Serbia është e gatshme të ofrojë të gjitha provat dhe kërkoi hapjen e një hetimi ndërkombëtar, nëse është e nevojshme.
Ndërkaq, sekretari shtetëror i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Zhelko Bërkiq, gjatë një konference për media tha se policët e Kosovës kanë ardhur me veturë zyrtare në vendkalimin alternativ Tresava-Batnjik, ku e kanë lënë veturën dhe kanë vazhduar në këmbë përgjatë rrugës Orahovë- Gnjillicë, ku, sipas tij, janë lokalizuar dhe arrestuar.
Radio Televizioni Serb (RTS) njoftoi se presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është informuar për arrestimin e policëve të Kosovës gjersa ndodhej në Ambasadën ruse në Beograd, ku po merrte pjesë në një pritje me rastin e Ditës së Rusisë.
Autoritetet në Kosovë kërkuan që policët të lirohen menjëherë dhe faktori ndërkombëtar të dënojë këtë veprim të Beogradit.
Kjo ngjarje po ndodh në kohën kur tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur.
Tensionet nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, nën asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve të serbëve lokalë.
Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan, protestuesit serbë u përleshën me pjesëtarët e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR. Nga përleshjet janë lënduar dhjetëra persona nga të dyja palët.
Po ashtu, më 13 qershor, Policia e Kosovës kreu një aksion në Mitrovicë të Veriut, ku arrestoi Millun Millenkoviq. Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se i arrestuari dyshohet se ka qenë një prej organizatorëve të ngjarjeve në Zveçan më 29 maj.